Sa fort e dëshiron Atë?

Titulli: Sa fort e dëshiron Atë (pjesa 2)

Jakobi mposhti frikën më të madhe të jetës. Por si arriti ta bënte këtë gjë Jakobi në betejën e tij me Perëndinë e plotfuqishëm? Edhe sikur të ishte ndeshur me një njeri, ai do ta kishte pasur të vështirë të fitonte. Gjithë jetën, Jakobi ishte mbështetur në trurin e tij dhe jo tek muskujt. Ai ishte rritur gjatë gjithë kohës si çun mamaje sepse qëndronte në shtëpi me të ëmën.

Ndoshta i vëllai Esau do të kishte qenë një mundës i mirë, por kjo as që bëhej fjalë për Jakobin!

Ai mund të ishte i zoti për të bërë një ujdi të mirë biznesi, por nuk kishte shanse të fitonte në një ndeshje mundjeje.

Jakobi ishte intrigant por jo luftëtar. Megjithatë ai e mbajti veten në këtë betejë me Perëndinë! Si e arriti këtë? Sikurse e thotë edhe Xhon Kalvin. “Kush mund të qëndrojë para një kundërshtari, nën frymëmarrjen e të Cilit çdo mish kalbet dhe humbet, nën vështrimin e të Cilit malet shkrihen, nën fjalën apo shenjën e të Cilit e gjithë bota bëhet copë e thërrime?”

A nuk është e kotë dhe çmenduri të ndeshesh me të Plotfuqishmin? Nuk është çmenduri në rast se është Zoti ai që e ka filluar atë, apo kur është Zoti që na jep një forcë sekrete për të vazhduar betejën. Xhon Kalvin thotë: “Sepse nuk luftojmë kundër Tij, por veçse me anë të fuqisë që na jep Ai’ kështu që Ai i bën të dyja, lufton kundër nesh dhe na jep fuqi të luftojmë!

Ndërkohë që na sulmon me një dorë, me tjetrën ai na mbron. Po, Ai na jep fuqinë për të qëndruar dhe më pas angazhohet në sulm. Kështu mund të themi se Ai lufton kundër nesh me dorën e majtë dhe me të djathtën na mbron.” Perëndia mund të sjellë një pushtet të kufizuar kundër nesh nga jashtë, por mund të na japë përbrenda një fuqi të madhe, duke na aftësuar ashtu si Jakobi që të ndeshemi me të, për një bekim të caktuar dhe ta fitojmë.

Dhjata e Re na tregon për një ndeshje të një lloji tjetër, një garë mes Jezusit dhe një gruaje jo judease, që kishte një vajzë të zotëruar prej demonëve. Kur gruaja i kërkoi ndihmë Jezusit në fillim Ai nuk u përgjigj. Por kur nguli këmbë, Ai i tha se kishte prioritet të shpëtonte judenjtë e humbur.

Por kur gruaja vazhdoi të ngulmonte Jezusi i tha: ” Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhësh këlyshëve të qenve”. A e bëri kjo gruan që të hiqte dorë dhe të largohej? Jo ,aspak. Ajo ra dakord me fjalët e tij dhe përdori ato fjalë për të përforcuar kërkesën e saj. “Është e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.” Jezusi u kënaq prej përgjigjes. ” Atëherë Jezusi iu përgjigj duke thënë: “O grua, i madh është besimi yt! T’u bëftë ashtu si dëshiron.” Dhe vajza e saj u shërua pikërisht në atë orë. (shiko Mateu 15:21-28)

Pse Jezusi nuk ia plotësoi menjëherë kërkesën gruas?

Pse nuk ia shëroi të bijën sapo gruaja ia kërkoi këtë? Pse e mundoi dhe e la që të luftonte për të? Zoti e bëri këtë për të njëjtën arsye që e bëri Jakobin të ndeshej për një bekim. Besimi rrallëherë bëhet i fortë veç prej plotësimit të menjëhershëm të një kërkese. Besimi forcohet përmes betejave dhe përpjekjeve.

Në rast se Perëndia ndeshet me ty, madje edhe të gjymton ty, sikurse bëri me Jakobin, kjo nuk do të thotë se ai dëshiron më të keqen për ty. Ai dëshiron më të mirën. Shumë shpesh sa më e ashpër të jetë beteja në të cilën ai të përfshin ty, aq më i madh është bekimi që ai ka në plan të të japë ty.

Por ti nuk duhet të heqësh dorë. Kurrë, kurrë mos hiq dorë! Ti thua se do bekimet e Perëndisë. Mirë, atëherë më  trego sa fort i do këto bekime? A heq dorë sapo shfaqet problemi i parë, sapo del një vështirësi? Jakobi nuk hoqi dorë derisa mori bekimin. Gruaja debatoi me Jezusin derisa mori atë që i kishte kërkuar.

As ti dhe as unë nuk duhet të heqim dorë. Edhe sikur të duket sikur Perëndia të jetë kundër teje, edhe sikur të të lëndojë apo gjymtojë, mos hiq dorë. Nëse ngul këmbë, do të fitosh, sepse Perëndia dëshiron që ti të fitosh.

Nuk ka rëndësi nëse Perëndia po të buzëqesh ditën apo të sulmon natën, sepse Ai është i njëjti.

Nëse Zoti të përfshin në një betejë, do të japë forcën për t’ia dalë mbanë. Zoti nuk ndeshet me ty sepse dëshiron që të humbasësh, por sepse në fund të betejës Ai dëshiron të të thotë ty, të njëjtën gjë që i tha gruas: “I madh është besimi yt”. Ai dëshiron të bëjë me ty të njëjtën gjë që bëri me Jakobin:  Ai do të bekojë ty dhe do të japë një emër të ri.

Një emër i ri

Emrat kishin shumë rëndësi mes hebrenjve të lashtë. Emri përcaktonte identitetin. Ai tregonte se cili ishte në të vërtetë. Emri Jakob do të thotë“rrëmbyes”, dhe shpesh emrat ishin me kuptim. Por kur Jakobi u ndesh me Perëndinë dhe nuk u dorëzua, Zoti i dha atij një emër të ri, një identitet të ri. Perëndia tha: ” Atëherë ai i tha: “Emri yt nuk do të jetë më Jakob, por Izrael, sepse ti ke luftuar bashkë me Perëndinë dhe me njerëzit, dhe ke fituar.” Ndoshta hera herës ai mund të quhet Jakob rrëmbyesi, por identiteti i tij i vërtetë që prej asaj kohe do të ishte Izrael fitimtari. Në të ardhmen ai do të bënte sërish disa gjëra të këqija dhe do të shfaqte shenja të vetes së vjetër, por emri i ri do t’i shkonte shumë për shtat. Ai do të ishte gjithmonë Izraeli, njeriu që fitoi një betejë me Perëndinë, njeriu i prekur dhe i bekuar nga Perëndia. Ndonjëherë ky burrë mund të ketë pyetur veten: “Kush jam unë? A jam thjesht Jakobi, djali i ndrojtur i mamasë, mashtruesi dinak, djali me shumë probleme?” Por më vonë ai kujtohej për emrin e ri dhe thotë:”Jo!Perëndia pohoi se unë jam Izraeli, ai që luftoi me Perëndinë, fitimtari, i bekuari. Ndonjëherë mund të ketë kohëra kur unë nuk jetoj në përputhje me këtë, por ky jam unë, sepse Perëndia vetë e thotë këtë!”

Çfarë nderi të kesh një emër prej Perëndisë, të dish mirë se cili je ti në sytë e Perëndisë! Dhjata e Re thotë për Simonin se ai ishte një peshkatar i mirë dhe energjik, që mund të fliste me fjalë të mëdha, por njëherazi ai ngecej, nuk nxirrte asnjë fjalë kur ishte nën presion.

Jezusi ia ndryshoi emrin nga Simon në Pjetër, që do të thotë “Shkëmb” Edhe pasi mori emrin e ri “ shkëmb”, Pjetri nuk jetoi asnjëherë sipas identitetit të ri, nuk ishte gjithmonë i fortë si shkëmb. Një natë ai e mohoi Jezusin. (Marku 14:66-72) Një herë tjetër ai shkeli besimin e tij në hirin e Perëndisë dhe për faj të shembullit të tij të keq shumë u larguan nga udha e drejtë. (Galatasve 2:11-14) Por pavarësisht dështimeve, emri Pjetër i shkonte shumë, sepse vinte nga Zoti Jezus. Simoni i vjetër mund të shfaqej ende hera herës, por vetja e tij e vërtetë, emri i tij i vërtetë ishte Pjetër, prandaj ai bëhej gjithmonë e më shumë: Shkëmbi.

Jakobi u quajt Izrael: Simoni u quajt Pjetri. Po ti kush je? Cili është emri yt? A është emri yt “Humbës?” A është emri yt “mëkatar?”

Nuk besoj se është ky emri yt nëse jeton përmes besimit te Perëndia dhe ndeshesh me anë të fuqisë së Tij. Te Zbulesa 2:17 Jezusi u thotë atyre që besojnë në Të: ” Kujt fiton do t’i jap të hajë nga mana që është fshehur; dhe do t’i jap një gur të bardhë, dhe mbi gur është shkruar një emër i ri, të cilin s’e njeh askush, përveç atij që e merr “. (Zbulesa 2:17) Kur Perëndia të jep një emër të ri, ti mund të mëkatosh hera herës, por emri yt nuk është “mëkatar”.

Ti nuk je më ai mëkatari. Ti mund të lëkundesh, dhe të dështosh ndonjëherë, por emri yt nuk është “Dështak” ose “Humbës.” Nuk ka rëndësi se si mund të shohin njerëzit ty, emri që të ka dhënë Perëndia të jep sukses të fshehtë, te jep farë ndjesie që të thotë se do të ketë për ty shumë më tepër se sa ajo që sheh syri yt, Perëndia të jep një identitet force dhe domethënie. Emri i ri që të jep, Perëndia, tregon se cili je ti në të vërtetë. Isaia kapitulli 62 thotë kështu për anëtarët e mbretërisë së tij: ” Nuk do të quhesh më “E braktisur”, as toka jote nuk do të quhet më “E shkretë”, por do të të quajnë “Kënaqësia ime është tek ajo” dhe toka jote “E Martuar”, sepse Zoti gjen kënaqësi te ti…” Nëse ti dëshiron këtë emër të ri dhe këtë bekim prej Perëndisë, thotë Isaia ” mos e lini të pushojë” derisa kjo gjë të ndodhë.

Kërkoni këtë jo vetëm për veten por edhe për qytetin e përjetshëm të Perëndisë, dhe për të gjithë njerëzit në mbretërinë e Tij. (shiko Isaia 62:1-7)

Çalimi drejt lavdisë

Perëndia dëshiron të na japë neve bekimin e Tij më të madh, por njëkohësisht Ai dëshiron që të ndeshemi me të për ta marrë.

Bibla është një libër plot me njerëz luftëtarë, pionierë, aventurierë, dhe jo me njerëz të llastuar që predikojnë banalitete para turmave. Ungjilli që predikon prosperitetin e kollajshëm është një gënjeshtër.

Ky nuk është ungjilli që përshkruhet në Shkrime. Perëndia i Biblës i shndërron njerëzit në luftëtarë të fortë dhe jo në qaramanë të llastuar.

Bibla përsërit urdhërimin e thjeshtë: “Jini të fortë!” rreth 36 herë. Kur Perëndia thotë diçka qoftë edhe një herë, ne duhet të dëgjojmë, që kur Perëndia të thotë të njëjtën gjë herë pas here, madje edhe 36 herë, do të thotë se kjo është absolutisht e rëndësishme.

Jini të fortë! ” Rrini zgjuar, qëndroni të palëkundshëm në besim, silluni si burrat, jini të fortë.” (1 Korintasve 16:13 NASB). ” Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij.” (Efesianëve 6:10) ” Ti, pra, biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jezus.” (2 Timoteu 2:1)

Ungjilli i suksesit të menjëhershëm shfaqet atëherë kur ne zgjedhim rrugë të shkurtra, zgjidhje të thjeshta, kënaqësi pa probleme. Por shpesh kalojmë një betejë para se të bëhemi ashtu siç Perëndia e ka në plan si dhe për të pasur bekimin e Perëndisë. Dhe kujtoni: edhe sikur të marrim bekimin, ai mund të na lerë me një dhimbje fizike, ndoshta jo në shëndet të plotë dhe rehati.

Jakobi mori një bekim shumë të madh prej Perëndisë, por ky bekimi  nuk erdhi si rezultat i një jete të jetuar lehtë, pa probleme; Jakobi u nda prej atij takimi duke çaluar. Jakobi mori një përgjigje të mrekullueshme ndaj lutjes së tij për të shpëtuar ndaj zemërimit të Esaut. Këtë e kupto ditën tjetër kur takimi i frikshëm me Esaun ishte një kohë përqafimesh dhe pajtimi, por kjo nuk do të thoshte se Jakobi që në atë çast e tutje do ta kishte të lehtë.

Teksa jeta e Jakobit vazhdoi, gruaja e tij e dashur, Rakela, vdiq gjatë lindjes së foshnjës së saj, ndër vajza e tij Dina, u përdhunua dhe u çnderua, djemtë e tij grindën dhe luftuan me njëri- tjetrin, djali i tij më i dashur u zhduk për vite me radhë pas asnjë gjurmë, për tu kthyer sërish më vonë, ndërkohë që i gjithë fisi i tij ishte në krizë. Pra sado të mëdha të ishin bekimet e Perëndisë, kjo nuk do të thoshte se jeta e Jakobit do të ishte e lehtë dhe e këndshme që tani e tutje.

Tani le t’i kthehemi edhe një herë pyetjes me të cilën filluam: çfarë dëshiron më shumë? Çfarë ke frikë më shumë? Nëse ajo që ti do është thjesht të qëndrosh larg asaj që ke frikë, jeta jote nuk do të ketë asnjëherë qëllim apo fuqi. Por nëse i druhesh Perëndisë më shumë se çdo frike tjetër dhe nëse dëshiron fort bekimin e Perëndisë, atëherë duhet të ndeshesh me Perëndinë dhe me njerëzit që të dalësh fitimtar. Ti mund të kesh emrin e ri që Jezusi i jep fitimtarëve. Sikurse Jezusi duroi dhimbjen e vdekjen dhe e mposhti atë, po kështu edhe ti mund të jesh një fitimtar përmes Krishtit, kur merr kryqin tënd përditë dhe e ndjek Atë.

Ka mundësi që ti nuk e njeh cila është frika apo dëshira jote më e thellë. Vetëm atëherë kur frika vjen dhe të mbërthen e kupton se i njëjti Perëndi që ti e ke shmangur kaq shpesh është po i njëjti, prej të cilit kërkon dëshpërimisht bekimin.

Përgjatë jetës tënde Perëndia do të japë mundësi që të ndeshesh për të shtënë në dorë bekimin e Tij.

Sa shumë e do ti këtë? Bekimi i Perëndisë është një dhuratë falas, por ndonjëherë jepet pas një beteje të fortë. Sikundër Zoti ndeshet me ty për të vënë në provë forcën tënde, po kështu ai përpiqet në mënyrë sekrete brenda teje të risë fuqinë tënde dhe të sjellë ty një bekim akoma më të madh. Pra bëje tënden lutjen e Jakobit: “Unë nuk do të le të ikësh pa më bekuar njëherë.”

Komente

komente