Shkolla e goditjeve të forta

Titulli: Shkolla e goditjeve të forta (pjesa 1)

Cilat stinë në jetën tënde kanë kontribuar më shumë për të të bërë ty një person më të mirë: kohët e mira kur gjithçka po shkonte siç doje, apo kohët e vështira, çastet e krizës, vështirësitë? Le të jemi të sinqertë. Kam përshtypjen se do të më duhet të pranoj se ndryshimet tona më të thella dhe momentet e rritjes kanë ndodhur në kohë stresi, shqetësimi, poshtërimi dhe lëndimi.

Disa njerëz pohojnë se Perëndia nuk ka lidhje fare me vështirësitë e jetës, se vetëm kohët e bukura vijnë nga Perëndia. Por, Bibla nuk thotë kështu. Predikuesit 7:14 thotë, “Në ditën e bollëkut ji i gëzuar, por në ditën e fatkeqësisë mendohu thellë. Perëndia ka bërë si njërën ashtu dhe tjetrën.” Prandaj mos u mundo të shmangësh mendimet rreth vështirësive të jetës, dhe mos pretendo se Perëndia nuk ka lidhje me to. Perëndia ka bërë si kohët e bukura dhe ato të vështira, e shumë shpesh kohët e vështira na bëjnë mirë.

Perëndia na mëson gjëra në shkollën e goditjeve të rënda, që nuk i mësojmë askund tjetër. Cili është mësimi më i vështirë dhe më efikas në tërë shkollën e goditjeve të forta? Vdekja. Njerëzit më të mençur dhe më seriozë janë ata që përballen sinqerisht me vdekjen në vend që të mundohen mos të mendojnë për të. Predikuesit 7:1-4 thotë,

“Një emër i mirë pëlqehet më tepër se një vaj i parfumuar, dhe dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes. Është më mirë të shkosh në një shtëpi ku mbahet zi se sa të shkosh në një shtëpi ku ka festë, sepse ky është fundi i çdo njeriu, dhe kush rron ka për të vënë mend.

Trishtimi është më i mirë nga gazi, sepse përpara një fytyre të trishtuar zemra bëhet më e mirë.

Zemra e të urtit është në shtëpinë ku mbahet zi, por zemra e budallenjve është në një shtëpi të gëzuar.”

Me fjalë të tjera, nëse jeni të zgjuar, nuk do të shpenzoni tërë kohën tuaj me filma, festa apo udhëtime kroçera. Ti nuk do të shmangësh vendet që të kujtojnë sëmundjen dhe vdekjen. Ti do të vizitosh njerëzit nëpër spitale, në shtëpinë e të moshuarve dhe në funerale. Dhe ti do ta bësh këtë për hatër të tyre por edhe për veten tënde. Ti do të shkosh atje për të treguar dashuri dhe për të ofruar inkurajim, por do të shkosh edhe për të mësuar. Një festë të përkëdhel ndjenjat, por një funeral ta mbërthen zemrën. Ai të nxit të mendosh për pamjen e madhe. Ajo që ka më shumë rëndësi nuk është nëse je beb i bukur kur lind, por çfarë ke arritur nga jeta në kohën kur të varrosin. Mos ji aq i cekët sa qëllimi yt më i lartë të jetë vetëm argëtimi, të jesh në modë apo të hedhësh parfumin e duhur. Mos harro se vdekja do të vijë një ditë. Emri që ti ngre përgjatë jetës, identiteti që mbart me vete në përjetësi, ka më shumë rëndësi se sa aroma e një parfumi.

Unë e di se çfarë do të thotë që një nëntëmbëdhjetë vjeçar të zvarritet nga një makinë e shkatërruar për të dalë prej saj, duke e ditur sa pranë vdekjes isha. E kuptova si kurrë më parë se jeta ime është e çmuar dhe një dhuratë e brishtë, dhe se do të bëja mirë ta jetoja jetën në maksimum. Unë e di se çfarë do të thotë që një baba i ri të shkojë në spital për muaj me radhë dhe në fund të mbajë fëmijën e pajetë në krahë, e më pas t’ia hapë varrin me këto duar. Kurrë nuk e kam ndjerë kaq të fortë dëshirën për jetën e përjetshme dhe për kthimin e Krishtit dhe asnjëherë nuk do ta marr si diçka të mirëqenë që kam fëmijët gjallë. Unë kam dëgjuar njerëz me sëmundje të pashërueshme të shprehin besim dhe një dëshirë të fortë për Perëndinë, besim shumë herë më i fortë se sa besimi që kishin kur ishin të shëndetshëm.

Pasi kam dëgjuar dhe përjetuar këto gjëra, nuk jam aq i zgjuar sa duhet të isha, por jam më i zgjuar se çdo të isha, po të mos kisha hyrë në atë dhomë spitali, në atë azil pleqsh apo sallë funerali. Ta shikosh vdekjen apo sëmundjen me sy, nuk është dhe aq për të qeshur, por na sjell në vete për jetën që po bëjmë, për kohën dhe energjitë e humbura, dhe na detyron të fokusohemi vetëm në gjërat që kanë me të vërtetë rëndësi.

Trishtimi më shumë se gëzimi na bën njerëz më të mirë. Më të mirë na bëjnë edhe vendet ku ne nuk do të donim  të shkonim, apo gjërat që nuk do të donim t’i kalonim dhe kjo po ashtu vlen për fjalët që nuk do të donim të dëgjonim. Neve nuk na pëlqen të na konfrontojnë për diçka, që duhet të ndryshojmë, por ndonjëherë është pikërisht kjo që na duhet.

“Është më mirë për dikë të dëgjojë qortimin e të urtit se sa të dëgjojë këngën e budallenjve, sepse ashtu siç është kërcitja e shkurreve nën një tenxhere, kështu është e qeshura e budallait. Edhe kjo është kotësi.” (7:5,6)

Nëse një mik apo një bashkëshorte ngulmon që ke një problem me alkoolin, ti mund të zgjedhësh që thjesht të dëgjosh të qeshurat e shokëve me të cilët ti pi, por është më mirë të dëgjosh qortimin e mençur, se sa këngën e njerëzve të marrë. Kur dikush në punë të ve në pah disa probleme, ndoshta nuk të pëlqen t’i dëgjosh ato, por ai qortim mund të përmirësojë punën tënde dhe të shpëtojë që të mos humbasësh punën. Lajkat të bëjnë të ndihesh më mirë por të bëjnë më keq; një qortim i ndershëm të bën të ndihesh keq por ama të bën më mirë.

Katër strategji të dëmshme

Ne mund të mësojmë mësime më të çmuara nga kohët e vështira dhe fjalët që na godasin. Por mësimi nuk ndodh automatikisht. Vështirësitë mund të na përmirësojnë, por mund edhe të na hidhërojnë. Kritikat mund të na ndreqin, por mund të na bëjnë më kokëfortë. Çfarë e bën ndryshimin? Çelësi është besimi. Çelësi është t’i besosh Perëndisë, ta shohësh atë si poçarin dhe veten tonë si argjila, së cilës ai i jep formë. Telashet mund të nxjerrin në pah anën tonë më të mirë, nëse besojmë se Perëndia po na jep formën që do, por po ashtu mund të nxjerrin në pah anën më të keqe, nëse e shpërfillim Perëndinë dhe ndjekim strategjitë tona të dëmshme për bashkëpunim. Teksa lexojmë më tej te Predikuesit 7, shohim katër strategji të dëmshme: pandershmëria, dritëshkurtësia, zemërimi dhe, të menduarit sipas dëshirave tona.

Vargu 7 flet për pandershmërinë: “Me siguri shtypja e bën të pamend njeriun e urtë, dhe dhurata bën që të humbasë arsyen.” Nëse nuk ke besim, një fjalë e ashpër mund t’ju bëjë cinik dhe të pandershëm. Nëse i ke frikë njerëzit më shumë se Perëndinë, ti mund të rrëzohesh prej kërcënimeve dhe gabimeve dhe të bësh diçka që ti e di se është e gabuar. Në rast se vijnë kohë të vështira dhe ti mendon se nuk po merr aq sa meriton, ti mundohesh të nxjerrësh para si të mundesh, edhe sikur kjo të përfshijë korrupsionin dhe marrjen e ryshfeteve. Pandershmëria është një mënyrë bashkëpunimi në një botë të ashpër.

Reagim i dytë i keq, përballë vështirësive është të jesh dritëshkurtër. Vargu 8 na thotë “Më mirë fundi i një gjëje se fillimi i saj, dhe më mirë ai që ka frymë të durueshëm se ai që ka frymë krenare.” Durimi pret për kohën e duhur të Perëndisë; krenaria e do gjithçka në çast. Durimi fokusohet te rezultati përfundimtar; krenaria kërkon një kënaqësi të menjëhershme. Disa prej gjërave më të mira në jetë janë gjëra që ti thjesht duhet të presësh për to, por ti mund të jesh tepër dritëshkurtër për ta njohur këtë. Seksi më i mirë është ai që shijohet në martesë; por nëse je një beqar dritëshkurtër, ti dëshiron të bësh seks tani dhe kështu eliminon shanset për të pasur një martesë të shëndetshme dhe të lumtur.

Begatia është më e madhe kur punon që të paguash me para në dorë, dhe kur mbledh kursime; por nëse je dritëshkurtër, ti e do gjithçka tani, dhe ti shton borxhet në kartat e tua të kreditit. Po ashtu sa herë blen bileta lotarie duke shpresuar për një pasuri të menjëhershme, ti  dëmton të ardhmen tënde dhe mundësitë për të pasur sukses. Destinacioni yt më i mirë është kur pret për qiellin, duke synuar jetën tënde për lumturinë e përjetshme, në vend që thjesht të jetosh për momentin; por nëse je dritë shkurtër, ti thjesht dëshiron të argëtohesh sa më shumë të mundesh dhe nuk i kushton vëmendje të ardhmes tënde të përjetshme.

Komente

komente