Print

Titulli: Të etur për Perëndinë (pjesa 3)

Agjërimi ridrejton oreksin tënd prej ushqimit drejt Perëndisë. Ai siguron se prania e Perëndisë të kënaq më shumë se ushqimi. Bibla flet për njerëzit “perëndia i të cilëve është stomaku i tyre” (Filipianëve 3:19) Nëse perëndia yt është stomaku, nëse orekset e tua fizike drejtojnë jetën tënde, ti nuk mund të imagjinosh asgjë më të mirë se sa ushqimi i mirë, seksi i mirë, filmat e mirë, lojërat e mira, dhe çdo gjë tjetër që të pëlqen të bësh. Por nëse Perëndia yt është Zoti Jezus, ti i sheh gjërat ndryshe. Ti e sheh ushqimin, seksin, argëtimin dhe lojërat si një dhuratë e mirë prej Perëndisë, por ti e njeh Perëndinë si mirësinë më të madhe. Ti je i gatshëm të kufizosh disa të mira më të vogla, për të shijuar të mirën më të madhe. Ti për më tepër do të shijosh miqësinë më të ngushtë me Perëndinë se sa kënaqësinë fizike të pakufizuar dhe begatinë. Sikurse Mbreti David u lut: ” Ti më ke shtënë në zemër më tepër gëzim nga sa ndjejnë ata, kur kanë grurë dhe musht me shumicë.” (Psalmi 4:7) Agjërimi është një mënyrë për të kërkuar, atë “kënaqësi më të madhe”, për të qenë më të etur për Perëndinë se për gjithçka tjetër, të gjesh kënaqësinë tënde në Zotin dhe kështu të plotësosh dëshirat e zemrës tënde. (Psalmi 37:4) Agjërim do të thotë të gjesh kënaqësi në praninë e Perëndisë.

Agjërimi është një shprehje fizike e dëshirës shpirtërore. Kur ti agjëron, ti i thua Perëndisë: “Të dua ty me tërë qenien time, me trup e shpirt.” Ti jehon fjalët e Psalmit 63:1, ” O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë.” Agjërimi i thotë Perëndisë, “Ti je gjithçka për mua, gëzimi i shpirtit tim, shëndeti dhe lumturia e trupit tim. Unë e shijoj dhuratën e ushqimit, por unë e shijoj më shumë praninë e Atij që më jep ushqimin, e për një farë kohe do të shmang ushqimin për të kërkuar praninë e Dhuruesit të ushqimit.”

Asnjëherë mos agjëro sa për emër; agjëro për hir të Perëndisë. Kur nuk je duke agjëruar, shijo ushqimin plotësisht, si një mënyrë për ta falenderuar Atin që ta ka dhënë atë ushqim. Mos u ndie fajtor nëse dëshiron pak më shumë ushqim hera-herës, apo se do një krem karamel të shijshëm. Shijo këto kënaqësi të dhuruar prej Perëndisë me një ndërgjegje të pastër, por fokusohu te Dhuruesi i këtyre kënaqësive. Agjërimi i perëndishëm na ndihmon ta bëjmë ushqimin dhe kënaqësitë e tjera, më të këndshëm kur nuk je duke agjëruar, sepse mund të shijosh më shumë jo vetëm kënaqësinë që të jep ushqimi por e shikon si një dhuratë e veçantë prej Perëndisë, e një arsye tjetër është që të kënaqesh në Perëndinë.

Një tjetër gjë që nuk më pëlqen tek dietat moderne është mënyra se si trajtohet ushqimi në to. Ai trajtohet më shumë si një armik dhe jo si një dhuratë e mirë e dhënë prej Perëndisë. Një tjetër gjë që nuk më pëlqen është se dobësimi është motivimi më i madh për njerëzit që mbajnë dietë, e ky duket si synimi kryesor në jetë. Dobësimi nuk është pranë perëndishmërisë. Më mirë të dish si të agjërosh dhe të festosh edhe sikur të kesh disa kile tepër. Në të shumtën e rasteve, një dietë e fortë, nuk do të ndikojë aspak në marrëdhënien tënde me Perëndinë,por shmangia e ushqimit për të qëndruar më pranë Perëndisë do të aftësojë të çlodhesh dhe të gëzosh një kohë të veçantë me Perëndinë vetë.

Mbajtja e dietës mund të jetë diçka e mirë në disa rrethana, por shumë prej nesh mund të jenë më mirë nëse lemë mënjanë dietat dhe mësojmë si të festojmë dhe të agjërojmë.

Sa për fillim

Në programet e ardhshme do të flasim për agjërimin e veçantë për raste të veçante me qëllime të veçanta në mendje, por tani për tani të fokusohemi te synimi i parë i agjërimit: të afrohemi më pranë Perëndisë.

Si për fillim ju sugjeroj agjërimin njëzetë e katër orësh një herë në javë. Ky agjërim nuk detyrohet me ligj. Kjo është thjesht një nxitje për të filluar rregullisht agjërimin. Kjo është një mënyrë për të shprehur urinë e vazhdueshme për Perëndinë dhe të kërkosh kënaqësinë në të.

Në një agjërim njëzetë e katër orësh, mos ha ushqim pas darkës së asaj dite deri në darkën e ditës tjetër. Me fjalë të tjera, shmang mëngjesin dhe drekën dhe ushqimet midis vakteve dhe mos pi gjë tjetër veç ujit në ato njëzetë e katër orë. Përdor kohën e mëngjesit dhe të drekës për të kaluar kohë në lutje, në përsiatje të Shkrimeve dhe në miqësi me Perëndinë.

Nëse dëshiron mund ta bësh këtë si një model të përjavshëm, gjatë muajit në vijim, apo për tre muajt e ardhshëm dhe shiko se çfarë do të ndodhë. Do të jetë e vështirë në fillim, por nëse mësohesh; do të shijosh aq shumë bekime sa nuk do të duash të heqësh dorë.

Për shumë njerëz, një agjërim njëzetë e katër orësh, nuk e dëmton shëndetin , madje mund të ndihmojë paksa. Por ka disa persona që nuk duhet të agjërojnë si në rastet kur je me diabet, hipoglicemi, ulcerë, probleme me zemrën, apo nëse je shtatzënë dhe po ha për dy persona. Ti nuk duhet të agjërosh, të paktën jo pa u miratimin e mjekut. Po ashtu nëse ke pasur çrregullime në ngrënie, siç është anoreksia, agjërimi nuk është një ide e mirë për ty, ti nuk duhet të heqësh dorë prej ushqimit.

Por nëse nuk mund të agjërosh në mënyrën e zakonshme duke mos ngrënë ushqimin, si zakonisht, ti mund të gjesh mënyra të tjera për të agjëruar. Disa  njerëz zgjedhin një tjetër mënyrë agjërimi ata heqin dorë prej televizorit, radios dhe muzikës për një periudhë kohe, dhe atë kohë ia kushtojnë agjërimit dhe kërkimit të Perëndisë. Perëndia mund të drejtojë ty të agjërosh duke hequr dorë prej një kënaqësie legjitime për një kohë të caktuar sikurse është futbolli, apo diçka tjetër që të pëlqen. Përdore për agjërim kohën që do ta kaloje me një aktivitet tjetër, duke u fokusuar kështu te Perëndia. Pikërisht këtë kohë përdore për t’i kujtuar vetes se Ai që t’i ka dhënë këto dhurata është shumë më i çmuar se çdonjëra prej dhuratave të tij.

Agjërimi ndihmon për të kapërcyer vetëkënaqësinë. Ai të mpreh ndjenjat dhe dëshirat. Të nxjerr prej përgjumjes ku ndodhesh dhe të bën më të vetëdijeshëm për Perëndinë. Agjërimi nuk është një disiplinë që bëhet vetëm për hir të të agjëruarit. Agjërimi është një ndihmë e veçantë për disiplina të tjera shpirtërore si :lutja, leximi i Biblës, qëndrimi në heshtje duke medituar.

Lutja është e rëndësishme në jetën e përditshme por dhe në çdo kohë, jo vetëm kur je duke agjëruar. Por kombinimi i lutjes me agjërimin mund të forcojë lutjet tuaja. Miqësia me Perëndinë e shoqëruar me lutjen bëhet edhe më e mirë, ndërsa agjërimi e ndihmon Frymën tënde të jetë në një frymë me Frymën e Perëndisë, që drejton lutjet e tua.

Leximi i Biblës duhet të jetë pjesë e jetës së përditshme në ecjen tënde me Perëndinë. Dëgjo me kujdes udhëzimet e Perëndisë çdo ditë, jo vetëm në ditët e agjërimit. Por kombinimi i agjërimit me leximin e Biblës në ditë të caktuara mund të hapë mendjen tënde ndaj zbulesave që nuk i ke pasur në ditë të tjera kur nuk agjëroje.

Meditimi apo përsiatja mbi fjalën e Perëndisë, është po ashtu i rëndësishëm. Lënia pas e zhurmës, apo tërë aktiviteteve të tjera dhe fokusimi në heshtje te Perëndia , është  tepër i rëndësishëm për të rigjallëruar shpirtin tënd. Këto do të ndihmojnë, duke ditur se jetojmë në një shoqëri mbi-stimuluese, dhe përsiatja e qëndrimi në heshtje duhen bërë më shpesh se agjërimi. Ideale është një kohë e qetë përditë. Ti nuk ke pse të agjërosh përditë, por agjërimi në ditë të caktuara është një ndihmë e shkëlqyer për përsiatjen. Ashtu si qëndrimi në heshtje të largon zhurmat e zakonshme që të rrethojnë, agjërimi bllokon aromat dhe shijet që janë pjesë e rutinës tënde të zakonshme. Agjërimi të fokuson ty vetëm tek Perëndia.

Teksa agjërimi të bën të qëndrosh më pranë Perëndisë, kjo të bën ty më të vetëdijshëm për gjendjen tënde dhe për gjërat që mund të mbajnë ty larg Perëndisë. Ndonjëherë agjërimi mund të jetë tepër i parehatshëm, sepse mund të nxjerrë në pah gjëra që ty nuk të pëlqejnë.

Por edhe këto zbulime të pakëndshme shërbejnë për diçka më të madhe. Pasi zbulon gjërat që nuk shkojnë t’i i kërkon Perëndisë të të ndryshojë.

Kështu që ndërkohë që shumë njerëz janë duke marrë apo shkelur vendimet për të hyrë në dietë, si thua sikur të marrësh një vendim për të agjëruar? Bashkohu me Jezusin dhe me heronjtë e tjerë të besimit për të kërkuar fytyrën e Perëndisë me anë të agjërimit. Ji i etur për praninë e Perëndisë.

Kaq edhe për sot. Nuk dua të zgjatem më. Unë ju përshëndes dhe ju ftoj të na ndiqni herën e ardhshme në një tjetër temë lidhur me agjërimin. Mirë u dëgjofshim!

Add a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *