Të jetosh bindjet e krijimit

Print

Titulli: Të jetosh bindjet e krijimit (pjesa 1)

Nëse sondazhet thonë të vërtetën, atëherë rezultati i tyre na tregon se shumica prej nesh bien dakord me mendimin se universin e krijoi Perëndia. Ndoshta ne nuk biem dakord për metodat që përdori ai, por shumë prej nesh bien dakord se universin e krijoi Perëndia.

Edhe midis atyre që pranuan së paku disa aspekte të teorisë evolucionare, pjesa më e madhe besojnë ende se i gjithë procesi u fillua dhe u drejtua prej Perëndisë.

Vetëm një numër i vogël njerëzish thonë se Perëndia nuk ka aspak lidhje me të, që i gjithë universi, përfshi këtu edhe njerëzimin, është veçse një aksident kozmik.

Shumica prej nesh besojnë te krijimi hyjnor. Edhe çfarë? Çfarë ndryshimi sjell kjo? Një mënyrë për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje është të dëgjojmë mendimin e një personi që nuk beson te Perëndia Krijues. Fransis Krik (Francis Crick) shkroi në librin e tij me titull “Hipoteza mahnitëse”: “Hipoteza mahnitëse, pohon se gëzimet dhe trishtimet e tua, kujtimet dhe ambiciet e tua, identiteti yt personal dhe vullneti i lirë, në fakt nuk janë gjë tjetër veçse sjellja e një bashkimi të madh të qelizave nervore dhe molekulave të lidhura.”

Duket frymëzuese apo jo? Për t’ju përgjigjur Krikut (Crick), Profesor Filip Xhonson (Phillip Johnson) theksoi se ne nuk mund ta marrim seriozisht “hipotezën mahnitëse” të Krikut, edhe sikur vetë ai të dilte e të thoshte: “Unë, Fransis Krik, opinionet e mia dhe shkenca ime, madje edhe mendimet e shprehura në këtë libër, nuk kanë janë asgjë më shumë se sjellja e një e grupimi të madh nervash dhe molekula të bashkuara”.

Hipoteza e Krikut është vetë përgënjeshtrim. Nëse ai nuk do të kishte veten e tij, pse duhet ta dëgjonte atë? Nëse mendimet e tij do të ishin veç nerva dhe molekula bashkëvepruese, pse tu kushtonte vëmendje atyre?

Mohimi i Krijuesit, nga një materialist që beson vetëm në materien dhe molekulat, apo një budist që pranon doktrinën e mos ekzistencës së vetes, na lë pa asnjë bazë për të supozuar se mendimi njerëzor dhe morali kanë ndonjë lidhje me realitetin.

Pse ka rëndësi besimi te një Krijues? Për ata që nuk e dinë, ka rëndësi sepse krijimi është themeli për nacionalitetin, moralin dhe dinjitetin njerëzor. Pra nëse nuk beson ende te Krijuesi, të nxis ta shohësh si mundësi.

Megjithatë tani, nuk dua të sfidoj personat që nuk besojnë në krijimin, por dua të nxis ata që besojnë në krijimin. Ndonjëherë disa nga ne që besojnë në krijimin priren të bindin të tjerët që nuk besojnë. Ne përqendrohemi në origjinën dhe historinë e hershme të universit. Të krishterët mundohen të bindin ateistët se universi ekziston vetëm sepse Perëndia e bëri atë, dhe po kështu ne debatojmë me miqtë e tjerë të krishterë që kanë këndvështrime të ndryshme nga tonat për mënyrën si Perëndia e krijoi universin. Është mirë të dimë këto gjëra. Ne kemi transmetuar edhe më parë tema si kjo duke dhënë arsyet pse duhet të besojmë në Perëndinë krijues, e që ta marrim seriozisht historinë e Biblës për krijimin.

Por në programin tonë sot, nuk do të fokusohemi thjesht te faktet ndonëse edhe ato janë të rëndësishme.

Në vend të tyre do të debatojmë teori të ndryshme, le të supozojmë se ne të dy besojmë se Perëndia krijoi kozmosin dhe për më tepër, që kemi teorinë e duhur se si e bëri ai këtë. Dhe çfarë pastaj? Le të themi se e dimë çfarë bëri Perëndia kohë më parë, çfarë ndryshimi sjell kjo tani?

Le të pretendojmë se besojmë vargun e parë të Biblës: “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.” (Zanafilla1:1) Ne besojmë atë që Perëndia tha në librin e Isaias: ” Por unë kam bërë tokën dhe kam krijuar njeriun mbi të; me duart e mia kam shpalosur qiejt dhe komandoj tërë ushtrinë e tyre.” (Isaia 45:12) Po kështu jemi në një mendje me atë që thuhet te letra e Hebrenjëve 11:3: “Me anë të besimit ne kuptojmë se bota është ndërtuar me fjalën e Perëndisë, sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen.” Ne besojmë të vërtetën e krijimit. Por çfarë do të thotë të jetosh të vërtetën e krijimit?

Besimi te Perëndia krijues nuk është thjesht një fakt për ta mbushur mendjen tonë. Nuk është aspak një teori për diçka që Perëndia bëri kohë më parë. Ne nuk kemi thjesht nevojë për një besim të thjeshtë te krijimi. Ne kemi nevojë për një besim të gjallë në krijuesin që ndikon gjithçka: mënyrën se si lidhesh me Perëndinë dhe me tokën.

Të lidhesh me Perëndinë

Le  ta fillojmë me diçka të thjeshtë. Çfarë kupton ti me fjalët të kesh një marrëdhënie me Perëndinë. Së pari do të thotë se jetojmë në besim të plotë te Krijuesi ynë.

Është mirë të kesh bindjet e duhura për atë që Krijuesi ka bërë kohë më parë për fillimin e universit, por çfarë të mire kemi nëse nuk i besojmë atij për të sotmen dhe të nesërmen? Ne mund ti kemi shumë të qarta idetë rreth origjinës së tokës, madje mund të gjejmë dobësitë në teoritë e të tjerëve, megjithatë ndonjëherë shqetësohemi aq shumë, sikur Krijuesi ynë të mos ishte në kontroll të gjithçkaje.

Jezusi na tha se në vend që të shqetësohemi, duhet t’i besojmë Krijuesit tonë. Fundja fare, Ai siguron ushqimin për zogjtë dhe vesh fushat me lule. Nëse Ai kujdeset kështu për krijesat më të vogla, Ai do të sigurojë që ti të kesh mjaftueshëm ushqim për të ngrënë dhe mjaftueshëm rroba për të veshur. Pra mos u shqetëso për këto gjëra thotë Jezusi. Ati yt qiellor e di shumë mirë se ti ke nevojë për këto gjëra. Kërko së pari mbretërinë e Perëndinë dhe drejtësinë e Tij dhe lërja të tjerat Perëndisë.(Mateu 6:25-34)

Shqetësimet tona do të ishin të justifikueshme nëse do të besonim se gjithçka në univers ndodh rastësisht apo se nuk ka asnjë plan për jetën tonë dhe nuk është askush në kontroll të botës. Por nëse besojmë se i gjithë universi është krijim i Perëndisë, nëse besojmë me të vërtetë se e krijoi Perëndia, dhe se Ai vazhdon ta mbajë në ekzistencë dhe ta drejtojë, atëherë ka ardhur koha të ndalojmë së shqetësuari dhe të fillojmë t’i besojmë Atij.

Ne mund të besojmë se Perëndia do të kujdeset për nevojat e tanishme, por njëkohësisht mund të jemi të sigurt se Ai do të kujdeset për ne edhe në të ardhmen. Nëse do të ishe një ateist, mund të kishe një farë të drejte për të qenë i mërzitur. Po të besoje se po vdiq njeriu, kaq ishte mbaroi gjithçka, me siguri nuk do të shihje arsye për të shpresuar. Nëse do të ishe i bindur se gjithë njerëzimi do të zhduket, se toka do të gllabërohet prej diellit, dhe se i tërë sistemi solar do të shembet e nuk do të lerë asnjë gjurmë jete, pra nëse je i bindur se kështu do të jetë fundi, atëherë nuk do të fajësoja pse ndihesh i mërzitur, i zemëruar dhe i pikëlluar.

Por nëse beson te Krijuesi, të largohet mërzitja. Dëshpërimi duhet t’i lerë vend sigurisë. Zoti i cili krijoi që nga fillimi gjithçka prej asgjësë, po kështu mund të sjellë jetë prej vdekjes. Në të vërtetë Jezus Krishti, përmes të Cilit u krijuan të gjitha gjërat, tashmë është ngritur prej së vdekurish dhe nëse besojmë në Të, do të kemi një të ardhme të shkëlqyer.

Për më tepër, i gjithë krijimi duhet të jetë i lirë prej skllavërisë së mëkatit dhe prishjes, dhe të ripërtërihet, të transformohet sipas asaj që Krijuesi dëshiron që të jetë. Kur je i sigurt për këtë, pse të bëhesh pesimist?! Nuk është vdekja destinacioni ynë i përjetshëm, por jeta! Universi nuk është destinuar për shkatërrim, por për një rivendosje! Pra, mos u trishto por shpreso! Mos thuaj thjesht, që e beson të vërtetën e krijimit, por jetoje atë!