Të jetosh bindjet e krijimit

Titulli: Të jetosh bindjet e krijimit (pjesa 2)

Të jetuarit me besim te Perëndia krijues përfshin një ndjenjë të fuqishme të sigurisë së Perëndisë. Po kështu kjo përfshin një qëndrim mirënjohës.

Në një prej këngëve më të mëdha të Biblës për krijimin, shkruesi i saj thotë: “Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij,

dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut.

( Psa 104: 14) Në një vend tjetër, Bibla thotë:” por nuk e la veten e vet pa dëshmi, duke bërë mirë, duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme dhe duke i mbushur zemrat tona me ushqim dhe gëzim”. (Veprat 14:17) Bibla e bën të qartë se Perëndia siguron gjithçka në kohën e vet dhe jo para kohe. Ai jep çdo gjë të mirë në kohën e duhur, dhe Ai pret mirënjohje nga ana jonë për këtë.

Por për fat të keq, ka mundësi që të besosh teoritë e gabuara për krijimin dhe prapëseprapë të jetojmë sikur e kemi fituar vetë atë që kemi, ndaj edhe duhet t’i marrim meritat e suksesit dhe begatisë sonë. Në vend që të jemi mirënjohës, bëhemi krenarë. Ndoshta ti je shumë i mprehtë, dhe ke bërë shumë përpara në botën akademike. Pra para se të bëhesh më shumë krenar se ç’duhet për trurin tënd, mos harro se nga ka ardhur ajo që ti ke. A të kujtohet se çfarë i tha Zoti Jobit: “Kush e ka vënë diturinë në mendje, ose kush i ka dhënë gjykim zemrës?” (Jobi 38:36)

Ndoshta ti e ke filluar me diçka të vogël dhe përgjatë viteve, je bërë i suksesshëm dhe i begatë. Ti ke një biznes, para, shtëpi të madhe dhe mund të mendosh se gjithçka që ti ke është falë punës dhe mençurisë sate. Por mos po harron diçka? Sikurse e thotë edhe Bibla: “Ruhu, pra, të thuash në zemrën tënde: “Forca ime dhe fuqia e dorës sime m’i kanë siguruar këto pasuri”. Por kujto Zotin, Perëndinë tënd, sepse Ai të jep forcën për të fituar pasuri… ” (Ligji i Përtërirë 8:17-18) Me fjalë të tjera, ti nuk e ke arritur suksesin vetë. Ti nuk do të kishe asnjë mundësi për të bërë pasuri, nëse nuk do t’i kishte dhënë Krijuesi yt ato mundësi.

Nëse beson në mbijetesën e më të fortëve, atëherë mendoj se sa herë ia del mbanë e përgëzon veten që e je bërë ndër më të fortët. Por nëse ti edhe unë besojmë në Krijuesin, atëherë duhet të leme pas krenarinë. Në ne ka vend vetëm për mirënjohjen e përulur. Ne thjesht mund ti themi “faleminderit” krijuesit tonë që na ka dhënë kaq shumë gjëra të mira.

E gjitha kjo na tregon se si ndikon besimi ynë i bazuar te krijimi, në marrëdhënien tonë me Perëndinë: Krijimi na mahnit dhe na nxit të lavdërojmë Perëndinë. Krijimi është një realitet aktual. Ai është një teatër që shpalos lavdinë e Perëndisë dhe ne duhet ta duartrokasim atë.

Psalmi 104 është një himn shumë i bukur për krijimin e Perëndisë. Ai fillon:” Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.” (v. 1). Ky shkrimtar i frymëzuar e shikon shkëlqimin e Perëndisë tek ndriçimi i diellit. Ai e dëgjon fuqinë e Perëndisë në gjëmimin e thellë të një bubullime. Ai e shikon karakterin krijues dhe dashurinë e madhe të Perëndisë te qiejt dhe retë, te lëndinat dhe malet, te gomerët e egër, dhitë e egra dhe tek luanët, te zogjtë dhe peshqit. Shkrimtari është kaq i mahnitur nga kjo sa që nuk mund ta përmbajë veten: “Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua”. (v. 24) Ai e mbyll duke shpallur: “Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e Tij. Unë do t’i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t’i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem.” (v. 31,33)

Pra mos beso thjesht disa fakte të caktuara për krijimin. Përjeto krijimin dhe shprehja mahnitjen tënde Perëndisë me lavdërime. Teksa e shikon qiellin në një natë të kthjellët, dëgjo Psalmin 19:1 se çfarë thotë: “Qiejt tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.” Kur ti shikon një lule, apo vështron perëndimin e diellit, apo shëtit në një kopsht, apo i jep makinës nëpër një pyll, a po kur je duke bërë ngjitje në mal, apo kur provon një portokall, është koha më e mirë për të lavdëruar Krijuesin, për tu mrekulluar me madhështinë e Tij.

Perëndia ka zogjtë që i këndojnë këngë edhe luanët  që e lëvdojnë me ulërimën e tyre. Kësaj melodie i shtohen elefantët me zërin trumbetues, po kështu edhe flladi që fëshfërin dhe përshëndet Perëndinë. Përrenjtë gurgullues e lëvdojnë Atë, edhe bubullima e lëvdon Krijuesin, por ai pret që edhe unë dhe ti që ta lavdërojmë. Ai pret me padurim të dëgjojë adhurimin tonë.

Kur ne besojmë vërtetë se Perëndia është krijuesi i universit, nuk qëndrojmë thjesht duke e miratuar. Ne i kushtojmë vëmendje asaj që Perëndia ka bërë dhe e lavdërojmë atë për këtë.

Deri tani kemi parë se si ndikon besimi ynë i gjallë qëndrimin tonë ndaj Perëndisë. Thamë se ky besim sjell siguri, mirënjohje dhe lavdërim. Tani dua të shikojmë diçka  tjetër që na ka mbetur pa thënë. Le të shohim se si ndikon besimi i gjallë te marrëdhënia jonë me njerëzit dhe pjesën tjetër të krijimit.

Si të lidhesh me njerëzit

Bibla na mëson se çdo person është krijesë e Perëndisë, i bërë sipas imazhit të Tij. Nëse ti edhe unë e besojmë këtë, dhe e jetojmë atë që besojmë, atëherë kjo do të ndikojë shumë mënyrën se si lidhesh me veten dhe me njerëzit e tjerë.

Kjo do të ndryshojë atë që ti mendon për veten. Ndoshta ti ke zakon që e shtyp veten. Ndoshta ti mendon se je tepër i shëmtuar apo tepër budalla, apo tepër i ngathët, apo ku ta di unë. Ndoshta ti ndihesh i pavlerë për shkak të disa paaftësive. Mirë, ndalo aty para sa shtypësh veten më shumë dhe kujto se kush të krijoi ty.

Kur Perëndia i tha Mojsiut që të drejtonte popullin e Tij, Mojsiu tha: “Atëherë Moisiu i tha Zotit: “Mjerisht, o Zot, unë nuk jam njeri i gojës, sepse jam i ngathët në fjalë dhe kuvend”.Zoti i tha: “Kush e ka bërë gojën e njeriut, ose kush e bën njeriun të pagojë, të shurdhër, me sy ose të verbër? A nuk jam unë vallë, Zoti? Dhe tani shko, unë do të jem me gojën tënde dhe do të të mësoj atë që duhet të thuash”. (Eksodi 4:10-11)

Kur ti ia ul vlerat dhe aftësitë e tua vetes, je duke ulur atë që të ka krijuar. Bibla thotë: ” Mjerë ai që i kundërvihet atij që e ka formuar… A do t’i thotë argjila atij që i jep formë: “Ç’po bën?”. (Isaia 45:9) Perëndia nuk na ka bërë të gjithëve njëlloj, nuk na ka dhënë të njëjtat aftësi, por e ka bërë secilin prej nesh sipas imazhit të tij dhe na ka dhënë secilit karakteristika dhe aftësi që ne t’i përdorim, në vend që të ankohemi për ato që nuk kemi. A beson me të vërtetë se Perëndia të bëri ty sipas imazhit të Tij? Atëherë jeto sipas kësaj.

Dhe kujto se ti edhe unë nuk jemi të vetmit persona që mbartin imazhin e Perëndisë. Dhe kjo duhet të formojë mënyrën se si ne i trajtojmë ata. Para se të fyejmë dhe lëndojmë njerëzit e tjerë, duhet të kuptojmë se kur i fyejmë ata, po fyejmë Krijuesin e tyre. Libri i Jakobit thotë: “Me atë ne bekojmë Perëndinë dhe Atin, dhe me të ne mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë.

Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezër të mi, nuk duhet të ishte kështu.” (Jakobi 3:9-10) Krijuesi i merr ato fyerje në mënyrë personale. Ndoshta kjo është arsyeja pse Jezusi tha në predikimin e tij në mal që :” …kush do t’i thotë: “Budalla”,(sh. i. p vëllait të vet) do t’i nënshtrohet zjarrit të Gehenës.” (Mateu 5:22)

Ma merr mendja se nëse ti mendon se njerëzit erdhën në jetë aksidentalisht prej baltës së lashtë, ndoshta mund të ketë kuptim që t’i trajtosh ata si baltë. Por nëse beson se njerëzit janë bërë sipas imazhit të Perëndisë, do të ishte më mirë t’i trajtoje atë me respekt. Kjo përfshin popujt e racave dhe kombeve të tjera. Unë njoh njerëz që janë shumë rigorozë dhe të saktë në doktrinën e tyre se si e krijoi Perëndia Adamin dhe Evën. Ata dinë në detaje historinë biblike të krijimit, megjithatë i trajtojnë me përçmim njerëzit që vijnë nga grupe etnike të ndryshme. Çfarë kuptimi ka të njohësh të vërtetën nëse nuk e jeton atë? Çfarë kuptimi ka të thuash se njerëzit janë bërë sipas krijimit të Perëndisë nëse nuk i trajton ata kështu?

Me këto pyetje po ju lë të mendoni miqtë e mi. Unë ju  përshëndes, takohemi herën e ardhshme në të njëjtën orë.

Komente

komente