Të jetosh bindjet e krijimit

Titulli: Të jetosh bindjet e krijimit (pjesa 3)

Nëse ti beson se disa raca janë më të zhvilluara se të tjerat, dhe se vetëm më të fortët do të mbijetojnë, unë mund ta kuptoj se pse ndihesh i shfajësuar për faktin se përçmon dhe ul poshtë njerëzit që janë shumë ndryshe nga ti.

Por nuk do ta bëje këtë nëse do të besoje në krijimin. Sipas Biblës: “Dhe ai (Perëndia) ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre.” (Veprat 17:26) Është Perëndia Ai që na ka vendosur në vende të ndryshme, dhe na ka formuar në raca të ndryshme nga e njëjta origjinë prindërore. Dhe sipas fjalëve të Biblës: “Atëherë Pjetri hapi gojën dhe tha: “Në të vërtetë unë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm;por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai.” (Veprat 10:34-35) nëse besojmë në një Krijues që nuk tregon favorizime, i cili i pranon njerëzit nga çdo komb, atëherë ky do të jetë edhe qëndrimi ynë.

Ekziston edhe një mënyrë tjetër që besimi ynë në Krijimin ndikon marrëdhënien tonë me të tjerët. Kjo përfshinë ekonominë. Teksa po lexoja një biografi më të zgjeruar të Darvinit, u habita prej faktit se idetë e Darvinit për konkurrencën, për konkurrencën mes formave të ndryshme të jetës dhe mbijetesës së më të fortëve nuk e kishin zanafillën në studimin e tij të të dhënave biologjike.

Darvini i mori këto ide prej disa teorive ekonomike të Tomas Maltus (Thomas Malthus). Maltusi ishte në favor të idesë se njerëzit janë gjithmonë në garë për mbijetesë ekonomike. Njerëzit e zgjuar, të aftë dhe punëtorë janë të suksesshëm, ndërsa të varfrit janë inferiorë. Kjo quhet mbijetesa e më të fortëve. Këto ide ekonomike, janë ato që Darvini përshtati në teoritë e tij biologjike.

Ironia është se disa njerëz që e refuzojnë biologjinë e Darvinit, si diçka jo e krishterë dhe e keqe, duket se i besojnë idesë se kur vjen puna te ekonomia, fitojnë më të fortët.

Ata nuk kënaqen thjesht me faktin që të nxjerrin bukën  gojës; ata duan më shumë, më shumë dhe janë të gatshëm të rrëzojnë çdo konkurrent që i del para. Nëse drejtojnë një biznes, ata nuk i shohin punëtorët e tyre si njerëz të bërë sipas imazhit të Perëndisë, por thjesht si njësi të një makineri ekonomike, ku çdonjëri duhet të japë maksimumin e vet, pra të bëjë sa më shumë punë me sa më pak para.

Ata respektojnë ata që janë të pasur dhe të suksesshëm dhe i trajtojnë të varfrit si qenie inferiore. Kjo bëhet nën flamurin e “ sipërmarrjes së lirë”, por është darvinizëm ekonomik dhe social.

Po është mirë që të sigurosh jetesën tënde, të bësh më të mirën, të nxjerrësh fitime e kështu me radhë. Por nëse i shohim njerëzit e tjerë thjesht në termat e mbijetesës së më të fortëve, dhe jo si njerëz sipas imazhit të Perëndisë, jemi larguar shumë prej qëllimi të një jete që beson në krijimin e Perëndisë. Ne nuk mund të masim vlerat e dikujt në bazë të suksesit financiar.

Kur ti jeton të vërtetën e krijimit, ti kupton se të pasurit dhe të varfrit kanë të njëjtën vlerë në sytë e Perëndisë. Te Fjalët e Urta 22:2 Bibla thotë: “I pasuri dhe i varfëri kanë këtë të përbashkët: të dy i ka bërë Zoti.” Të kesh para dhe pushtet nuk do të thotë se je më i mirë se njerëzit e tjerë që kanë më pak. Në fakt, duhet ë tregohesh i kujdesshëm se si i trajton të varfrit, sepse Perëndia e merr këtë gjë në mënyrë personale.

Te Fjalët e Urta 14:31 Bibla thotë: “Kush shtyp të varfrin fyen rëndë atë që e ka bërë, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë.” (Fjalët e Urta 14:31) Fjalët e Urta thonë: “Ai që ka mëshirë për të varfrin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë.” (Fjalët e Urta 19:17)

Pra mos u kënaq vetëm me faktin se e beson të vërtetën doktrinore, se njerëzit janë bërë sipas imazhit të Perëndisë. Jetoje atë të vërtetë. Respekto imazhin e Perëndisë në veten dhe te njerëzit e tjerë. Konsideroji njerëzit e vendeve të tjera si të barabartë. Trajtoji punëmarrësit e tu me drejtësi. Kupto se rivalët e tu në biznes nuk janë thjesht rivalë që duhen rrëzuar. Dhe trego mirësi për të varfrit, duke e ditur se Perëndia është Krijuesi i gjithçkaje. Kështu mendojnë dhe veprojnë të gjithë ata që besojnë se njerëzit janë krijuar sipas imazhit të Perëndisë.

Të lidhesh me Tokën

Një njeri që beson në krijimin e Perëndisë, jo vetëm ndikohet nga kjo gjë për mënyrën se si jeton por edhe si lidhet me njerëzit e tjerë rreth e qark.

Disa njerëz flasin për tokën si të ishte një qenie hyjnore dhe gjallë, e quajnë perëndeshë Gaja, apo nëna Tokë. Por adhurimi i tokës është i gabuar. Ne duhet të adhurojmë Krijuesin, por jo atë që ai ka krijuar. Kësisoj, është e gabuar që t’i besosh astrologjisë apo horoskopit sikur yjet të kishin në dorë fatin tënd. Perëndia i bëri yjet. Perëndia drejton fatin tonë dhe jo yjet. Një njeri që respekton krijimin e Perëndisë nuk duhet të adhurojë natyrën.

Megjithatë, krijimi nuk është as një perëndeshë dhe as perëndi, i përket Perëndisë dhe nuk mund ta trajtojmë atë sipas qejfit tonë. Bibla thotë: “Zotit i përket toka dhe të gjitha gjërat që janë mbi të, bota dhe banorët e saj”. (Psalmi 24:1) Ky është krijimi i Perëndisë dhe prona e Perëndisë ndaj duhet ta trajtojmë me respekt. Perëndia i vlerëson të gjithë kafshët e tij, madje edhe zogjtë më të vegjël. Kjo do të thotë se duhet të tregojmë kujdes edhe për kafshët. Ne mund të hamë mish, apo të përdorim produktet e mishit për të jetuar, por nuk duhet të tregohemi mizorë me kafshët, apo t’i shkatërrojmë pa qenë nevoja.

Kur jetojmë të vërtetën e krijimit, do ta trajtojmë këtë tokë me kujdes. Bibla na mëson që ta mendojmë tokën si një kopsht. Një lloj kopshti është ai që prodhon ushqime, pra fruta ose perime. Dhe sigurisht që toka është një kopsht në atë kuptim. Ne mbështetemi në burime tokësore për të mbështetur jetën tonë. Ne nuk mund të ndotim, ujin, ajrin, tokën dhe të presim që kjo nuk do të dëmtojë jetën tonë. Pra do të bënim mirë të kujdeseshim për këtë kopsht ku ne jetojmë, duke qenë se është mënyra e Perëndisë për të siguruar për nevojat tona fizike.

Toka është kopsht edhe në një tjetër këndvështrim. Disa njerëzve u pëlqen që të kenë një kopsht me lule. Sigurisht që kjo nuk u siguron atyre ushqim, por e mbajnë thjesht për bukuri.

Atyre u pëlqejnë shumë ngjyrat e ndezura dhe aroma e këndshme e luleve. Kësisoj, disa pjesë të krijimit, nuk prodhojnë shumë ushqim, nuk kanë as shumë vlerë ekonomike. Bukuria e tyre që tregon natyrën krijuese të Perëndisë, është bërë vetëm për kënaqësinë e tij dhe tonën. Perëndia e krijoi tokën jo vetëm për të prodhuar ushqim, por edhe për të shfaqur bukuri.

Nëse ke bindjet e duhura për mënyrën sesi Perëndia e krijoi botën, por më pas hedh plehrat nga dritarja e makinës teksa kalon në rrugë, atëherë a beson vërtetë në krijimin e perëndisë? Çfarë mendon Krijuesi? Ti edhe unë nuk kemi asnjë të drejtë të dëmtojmë dhe shkatërrojmë bukurinë e asaj që Zoti ka krijuar.

Kur jetojmë sipas bindjeve të krijimit, kujdesemi për tokën sikur të ishim kopshtarë. Për hir të mbijetesës sonë ne mundohemi ta mbajmë tokën produktive dhe të vlefshme. Po kështu mundohemi të ruajmë bukurinë e saj.

Po ti a e mbron bukurinë e Tokës? Sondazhet tregojnë se shumica e njerëzve besojnë te krijimi. Por a po jetojmë sipas këtij besimi?

Unë  vetë kam dështuar shumë herë, mendoj se edhe ti mund të kesh dështuar që të jetosh sipas besimit tënd për krijimin. Ne kemi mëkatuar kundër Perëndisë, kundër njerëzve, kundër pjesës tjetër të krijimit. Ne duhet të marrim falje dhe kemi nevojë të ndryshojmë. Ne kemi nevojë për gjakun e Jezusit që të pastrojë mëkatet tona. Ne kemi nevojë për frymën e Shenjtë të Perëndisë që të na ndihmojë jo vetëm që të njohim të vërtetën për krijimin, por të bëjmë krijimin një realitet që jetohet përditë në qëndrimet dhe veprimet tona.

Komente

komente