Të lutesh si fëmijët

Titulli: Të lutesh si fëmijët (pjesa 1)

A lutesh ndonjëherë? Nëse po, a e di çfarë të thuash? Apo të duket e vështirë të lutesh? Ndoshta nuk je i sigurt nga t’ia fillosh apo çfarë fjalësh të përdorësh. Por që të lutesh me të vërtetë, nuk duhet të jesh një aktor i madh. Ti duhet të lutesh thjesht si një fëmijë i vogël.

Nëse nuk mund të mbash fjalime të mëdha, nëse nuk je i sigurt që di fjalët e duhura, për të bërë një lutje mbresëlënëse atëherë mos u shqetëso. Ti mund të lutesh sido që të jetë. Nga ana tjetër, nëse nuk mund të lidhesh me Perëndinë dhe t’i flasësh ashtu siç i flet një fëmijë i vogël babait të vet, atëherë ke vërtetë probleme me lutjen miku im.

Lutja e vërtetë nuk është shfaqje, që t’i bësh përshtypje, jurisë së një spektakli talentesh. Në lutje ti ia zbraz zemrën Atit tënd. Jezusi thotë në predikimin e madh në mal:

“Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t’i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.

Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutu Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht.

Por kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë.

Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t’i kërkoni”.

Sipas Jezusit, lutja nuk është një shfaqje publike; por një bisedë personale. Ti nuk po mban një fjalim për t’i bërë përshtypje një të panjohuri; po i flet Atit që të kupton shumë mirë dhe e di se çfarë ke në mendje para se t’ia thuash.

Të mësosh të flasësh

Për shumë prej nesh ky është një lajm i mirë, sepse e thjeshtëson lutjen. Nëse nuk mund të lutesh ashtu si një drejtues fetar që ke dëgjuar diku, mos u shqetëso për këtë. Lutja është midis teje dhe Perëndisë. Thjesht zgjidh një vend, kudo qoftë, mjafton të jesh vetëm ku askush nuk mund të shikojë apo të dëgjojë ty. Tregoji Atit tënd në qiell se çfarë ke në zemër. Perëndia dëshiron t’i dëgjojë fëmijët e Tij duke u lutur.

Ndoshta lutja duket diçka e re për ty. Ti ndihesh si një foshnjë në besim dhe mendon se është e vështirë të lutesh. Ti thua se nuk ke mësuar ende të gjitha fjalët, që njerëzit e kishës kanë mësuar të përdorin prej kohësh në lutje. Mos i lejo këto mendime të të pengojnë që të lutesh. Ati yt në qiell, dëshiron fort të dëgjojë ty, teksa i flet për herë të parë.

Kur një foshnjë belbëzon fjalët: “ba- ba- bë”, mos vallë i thotë i ati, “fëmijë i keq! Nuk e shqiptove mirë”?! Jo! Kur foshnja fillon të gugatë një zhurmë që i ngjan fjalës “Babi”, fytyra e babait fillon të ndriçohet. Kësisoj, kur ngecesh në lutjen e parë, Ati yt qiellor nuk rrudh vetullat as nuk bën korrigjime me stilolaps të kuq, duke të qortuar për mënyrën si lutesh. Perëndia kënaqet kur dëgjon fjalët e para të lutjes së bijve të tij.

Mendo për disa çaste për fjalët e para që përdorim kur mësojmë të flasim, fjalë si “Babi”, “Uau”, “Më fal”, “Të dua”, “Të lutem”, “Faleminderit”, dhe “Pse?”.

A e dije se shprehje si këto mund të gjenden me shumicë në lutjet e Biblës? T’i lutesh Perëndisë është kaq personale dhe kaq e thjeshtë, ashtu si fjalët e para që thotë një fëmijë që sapo ka mësuar të flasë fjalët bazë.

Disa nga këto fjalë bazë do t’i shohim së bashku në programin tonë. Ato janë: babi, të dua, më fal, etj. Por për momentin ndalemi te muzika dhe kthehemi menjëherë në studio për të folur më gjatë për secilën prej tyre.

Ja ku jemi sërish në temën tonë “ Të lutemi si fëmijët”, në shoqërinë e programit Fjalët e Shpresës. Po flasim rreth fjalëve kyçe në një lutje dhe fjala e parë kyçe është:

“Babi”

Pjesa e rëndësishme për të filluar një lutje, është mënyra se si i drejtohemi Perëndisë. Jezusi e mëson popullin e Tij ta quajë Perëndinë “Ati ynë që je në qiell”. Ndonjëherë Jezusi vetë e ka përdorur fjalën “Abba” kur i lutej Atit të Tij. “Abba” është një fjalë që djemtë dhe vajzat hebrease i drejtoheshin babait të tyre. Kjo fjalë ka të njëjtin kuptim si “Babushi” apo “Babi”, një fjalë besimi, afërsie, dashurie dhe respekti. Çfarë privilegji, kjo mundësi që t’i drejtohesh Perëndisë kështu!

Ndonjëherë mund të tundohemi që ta ulim Perëndinë në nivelin tonë, ta bëjmë atë shok, ta quajmë si veten. Sa herë ndodh kjo duhet të kujtojmë atë që Jezusi na mësoi, se si t’i flasim Atit tonë që është në qiell. Perëndia është pranë, por Ai është shumë lart nesh.

Në çdo marrëdhënie të shëndetshme prind-fëmijë, ka shumë dashuri, por njëkohësisht shumë respekt për babanë. Një baba nuk është njëlloj me të tjerët në familje. Ai është babai! Disa prindër thonë se ata duan të jenë shokë më fëmijët e tyre, por kjo është marrëzi. Sigurisht që duhet të ketë dashuri dhe afeksion, por babai është baba, nuk është thjesht një shok. Një baba i mirë është shumë herë më i zgjuar dhe më i fuqishëm se fëmija i tij, ndaj meriton respekt.

Tani nëse kjo është e vërtetë për etërit tokësorë, është  mëse e vërtetë për Atin tonë qiellor.

Po, ne mund t’i flasim Atit tonë qiellor ashtu siç i flet fëmija babait të vet, por njëkohësisht duhet të kujtojmë se Perëndia është në qiell, se Ai është i lavdishëm, i shenjtë dhe përtej asaj që mund të imagjinojmë ne. Madje dhe Jezusi vetë ndonjëherë i drejtohej Atit të Tij kështu: “Atë i shenjtë” dhe “Atë i dashur”. (Gjoni 17:11,25) Nëse Jezusi fliste për Atin me kaq respekt, a nuk duhet të tregojmë edhe ne respekt?

Lutja fillon me një thirrje dashurie dhe respekti për Perëndinë “Atin tonë”. Nëse i beson Jezusit dhe ke Frymën e Tij në zemrën tënde dhe nëse e di se si ta thuash fjalën “Babi” apo “Atë”, ti je gati të lutesh.

Fjala “Uau”, është e shkurtër dhe e thjeshtë. Është ndër fjalët e para që mëson kur je fëmijë. Teksa rritesh mund të përdorësh edhe fjalën “Mbresëlënëse!” Lutja përfshin një sërë fjalësh si “Uau” dhe “ Mbresëlënëse”! Kush është aq madhështor sa Perëndia? A e meriton kush tjetër një uau të madhe, siç e meriton Krijuesi dhe Shpëtimtari ynë?

Një prej gjërave më të mëdha që shijojmë ndonjëherë në jetë është ndjenja i mahnitjes apo çudisë së plotë, para diçkaje që e kemi vështirë ta përshkruajmë.

Një pjesë e rëndësishme e lutjes është të lavdërosh dhe të adhurosh Zotin, duke u përulur para tij e duke pohuar “Uau!” dhe duke i treguar Atit se sa i mrekullueshëm është Ai. Lutjet e Biblës janë të mbushura plot me këto lavdërime.

Ja dëgjoni:

“O Perëndi, ti je i tmerrshëm nga shenjtorja jote; Perëndia i Izraelit është ai që i jep forcë dhe fuqi popullit. I bekuar qoftë Perëndia” (Psalmi 68:35). ” Zoti është i madh në Sion dhe i shkëlqyeshëm mbi të gjithë popujt. Ata do të kremtojnë emrin tënd të madh dhe të tmerrshëm. Ai është i shenjtë.” (Psalmi 99:2-3) ” Të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e tua, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm; të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o Mbret i kombeve. Kush nuk do të të druajë, o Zot, dhe nuk do të lëvdojë emrin tënd?” (Zbulesa 15:3-4)