Të punosh mes luanëve

Titulli: Të punosh mes luanëve (pjesa 1)

Suksesi nuk është gjithmonë i sigurt. Sa më mirë e bën punën, aq më shumë të marrin inat kolegët.

Sa më shumë promovohesh ti, aq më shumë zemërohen ata që nuk promovohen. Nëse je i talentuar, punëtor dhe i ndershëm, këto cilësi mund të sjellin sukses, por mund t’i bëjnë të tjerët ziliqarë dhe që të vendosin shkopinj në rrota.

Zilia dhe grindjet fillon që në moshë të re. Vëllezërit dhe motrat konkurrojnë me njëri-tjetrin. Nëse prindërit e lavdërojnë njërin prej fëmijëve, të tjerët bëhen ziliqarë. Ata dëshirojnë që të duken më mirë se motrat dhe vëllezërit e tyre dhe ata shpesh nuk mundohen të përmirësojnë veten por përpiqen që t’i bëjnë të duken sa më keq motrat dhe vëllezërit e tyre.

Vëllezërit dhe motrat kapen me njëri-tjetrin dhe bëjnë llafe, apo kërkojnë mënyra për ta futur tjetrin në telashe.  Rivaliteti mes motrave dhe vëllezërve është i vështirë për fëmijët, por as për prindërit nuk është i lehtë!

I njëjti problem vazhdon kur fëmijët shkojnë në shkollë. Nëse fëmijët sillen mirë dhe i binden prindërve të tyre, a admirohen prej shokëve si shembuj virtyti? Jo, ata jo vetëm që i tallin këta nxënës, por i quajnë edhe të “përkëdhelurit e mësueses”. Nëse studentët mësojnë shumë  dhe marrin nota të mira, a mirëpriten prej shokëve të tyre?

Sigurisht që jo, ata tallen prej shokëve. Fëmijët të cilët dëshirojnë të punojnë shumë por nuk kanë aq talent, i kanë zili të talentuarit dhe mundohen t’ia nxijnë jetën sa më shumë atyre. Nëse nuk mund të lartësojnë veten e tyre, atëherë gjëja që do të bëjnë është të ulin të tjerët.

Do të doja shumë të thoja që rivaliteti dhe xhelozia zvogëlohen kur rritemi, po në të shumtën e rasteve bëhet më keq. Në zyra, ndërmarrje dhe biznese të çdo natyre, suksesi nuk është i sigurt.

Në rast se punon fort dhe je tejet produktiv, njerëzit e tjerë mund të duken keq kur krahasohen me ty, dhe atyre nuk u pëlqen kjo gjë.

Në rast se je i ndershëm dhe i pastër në tërë marrëveshjet e tua, ti mund të kesh konflikte me ata që preferojnë të bëjnë mashtrime. Në rast se nuk lejon dembelizmin dhe hilet mes atyre që ke nën vete, ti mund të bësh armiq të fortë. Në rast se je i pari në resht për të marrë një rritje rroge apo një pozicion më të mirë, mund të ndodhë që disa njerëz që i mendoje miq të dalin kundër teje, sidomos nëse ata i duan ato pozicione për vete. Sa më të mëdha të jenë arritjet e tua aq më të rrezikshme janë sulmet. Pikërisht gjërat që të bëjnë ty një punonjës të famshëm, mund të bëjnë ty shënjestër të spektatorëve të pakënaqur.

Si do t’ia bësh për ta zgjidhur këtë? Si mund të kërkosh përsosmëri në këto rrethana? Jeta në vendin e punës mund të jetë e vështirë, lënduese dhe, vërtetë e frikshme. Njerëzit e tjerë mund të kenë zili dhe të mundohen të të rrëzojnë. Ti mund të jesh më i sigurt në një gropë luanësh se sa në një vend pune plot me rivalë ziliqarë. Thjesht pyete Danielin dhe do ta kuptosh këtë.

Grabitqarë që vijnë rrotull

Bibla në librin e Danielit flet për një prej heronjve më të mëdhenj të historisë. Danieli kërkonte përsosmëri në  gjithçka që bënte. Me gjithçka që bënte ai i shërbente Perëndisë. Kjo bëri që ai të dallonte nga të tjerët, por njëkohësisht kjo gjë i bëri shumë armiq atij. Danieli kaloi po të njëjtat probleme rivaliteti dhe zilie që ekzistojnë edhe sot në vendin e punës, me përjashtim të faktit që Danieli nuk punonte në një biznes çfarëdo. Ai punonte në biznesin më të qelbur që ekziston: politika.

Ajo çka e vështirësonte problemin e tij ishte fakti se ai vinte nga një minoritet njerëzish që përçmohej nga shumica e kolegëve. Për më tepër ai adhuronte një Perëndi që ata e mohonin.

Danieli ishte një jude që mbante një pozicion të lartë, në qeverinë e perandorisë persiane.

Dari, mbreti persian, e drejtoi perandorinë e tij duke vendosur njëqind e njëzetë zyrtarë të quajtur satrapë, në ngarkim të disa përgjegjësive të ndryshme, me në krye tre administratorë që do të siguroheshin që satrapët të bënin punën dhe, nuk do të çonin dëm paratë e mbretit apo të mbanin para për vete.

Një prej tre administratorëve kryesorë ishte Danieli.

“Danieli shkëlqente mbi prefektët dhe satrapët e tjerë, sepse ai kishte një frymë më të lartë, dhe mbreti mendonte ta vendoste mbi tërë mbretërinë.” (Danieli 6:3)

Kjo i mërziti shumë zyrtarët e tjerë. Ata e kishin zili suksesin e Danielit. Ndoshta ata ishin nervozë që Danieli i ndershëm kundërshtonte marrjen e ryshfeteve, keqpërdorimin e parasë qeveritare dhe veprimtari të tjera mashtruese. Ashtu si shumë politikanë të tjerë para tyre, edhe këta u munduan të hiqnin qafe këtë rival duke rrëmuar në jetën e tij për të hedhur baltë mbi të. Ata menduan se të gjithë kanë një sekret të vogël në jetën e tyre; thjesht duhet rrëmuar shumë deri sa të gjendet ai sekret. Ata menduan se në një moment të caktuar çdo njeri bën një lëvizje të gabuar: thjesht mos ja hiq sytë dhe, sapo të vëresh se bën një gabim, shkatërroje. Kolegët e Danielit ishin si luanët grabitqarë sillen rrotull në pritje për një dobësi, gati për të sulmuar, për ta gllabëruar Danielin. Por sado thellë gërmonin, e sado që mundoheshin ta spiunonin, këta veteranë të politikës së ndyrë, nuk mundën të gjenin asgjë pas së cilës të kapeshin me Danielin. Ky njeri ishte si kristali.

Atëherë prefektët dhe satrapët kërkuan të gjenin një pretekst kundër Danielit lidhur me administrimin e mbretërisë, por nuk mundën të gjejnë asnjë pretekst apo korruptim, sepse ai ishte besnik dhe nuk mundën të gjejnë tek ai asnjë gabim apo korruptim.

5  Atëherë këta njerëz thanë: “Nuk do të gjejmë kurrë ndonjë pretekst kundër Danielit, veç se po ta gjejmë kundër tij në vet ligjin e Perëndisë të tij.”

Danieli 6:4-5

Ata nuk mundën ta fusnin Danielin në telashe sepse nuk gjetën asgjë të keqe te ai. Shpresa e tyre e vetme ishte ta fusnin në telashe duke e akuzuar, se ishte tepër i mirë!

Atëherë ata prefektë dhe satrapë u mblodhën me zhurmë para mbretit dhe i thanë: “O mbreti Dar, jetofsh për jetë!

7  Tërë prefektët e mbretërisë, qeveritarët dhe satrapët, këshilltarët dhe komandantët u konsultuan bashkë për të nxjerrë një vendim mbretëror dhe për të bërë një dekret të prerë, në bazë të të cilëve kushdo që gjatë tridhjetë ditëve do t’i drejtojë një kërkesë cilësdo perëndie a njeriu përveç teje, o mbret, të hidhet në gropën e luanëve.

8  Tani, o mbret, nxirr dekretin dhe firmos dokumentin, në mënyrë që të mos ndryshohet dot në pajtim me ligjin e medasve dhe të persianëve, që është i parevokueshëm”.

9  Pastaj mbreti Dari nënshkroi dokumentin dhe dekretin.

Danieli 6:6-9

Lajkat e tyre ju dukën të mira mbretit Dar. Dëgjoni se çfarë i thanë ata: (Sh.i.p për folësin: Kjo pjesë nuk është në mënyrën pohore, po mundohesh te mashtrosh dikë.)

“E kush ka nevojë për Perëndinë kur ata të kanë ty, o mbret jetofsh përjetë? Pse të mos nxjerrësh një ligj për një farë kohe, sa për tu siguruar se të gjithë e dinë se qeveria është burimi suprem i gjithë të mirave? Besimi dhe lutja nuk kanë vend në vendin e punës, në shkollë apo në qeveri. Çdo njeri që ngulmon të adhurojë Perëndinë në vend të bujarisë së qeverisë, është fanatik fetar, armik i shoqërisë. Këta njerëz duhet të hidhen në gropën e luanëve!” Mbreti ra dakord.

Shembulli i lutjes

Nëse qeveria jote do të nxirrte një ligj të tillë, si do të reagoje ti? Nëse nuk je aspak besimtar, ti mund të thuash: “Mos lutem për një muaj rresht? Pa problem fare. Se mos lutem ndonjëherë unë!” Në rast se beson se ka një Perëndi dhe lutesh njëherë në kaq kohë, kur do diçka, ti mund të thuash: “Ky duket një ligj koti, por…tridhjetë ditë pa lutje nuk është ndonjë gjë e madhe. Gjithsesi mund të rifilloj lutjen pas të jetë mbyllur muaji. Nuk ia vlen të rrezikoj jetën për këtë.” Por si reagoi Danieli? Vetëm pas pak.

Ja si e përshkruan Bibla reagimin e Danielit:

Kur Danieli mësoi që dokumenti ishte nënshkruar, hyri në shtëpinë e vet. Pastaj në dhomën e tij të sipërme, me dritaret e saj të hapura në drejtim të Jeruzalemit, tri herë në ditë gjunjëzohej, lutej dhe falënderonte Perëndinë e tij, siç e bënte zakonisht më parë.

11  Atëherë ata njerëz erdhën duke bërë zhurmë dhe e gjetën Danielin që po i lutej dhe i përgjërohej Perëndisë së tij.

Komente

komente