Titulli: Të uritur për drejtësi (pjesa 1)

A ndodh ndonjëherë që Perëndia ta urrejë kishën? A i neveritet Perëndisë ndonjëherë një shërbesë adhurimi? A ndodh që Perëndisë të mos pëlqejë një ofertë të caktuar? A i mbyll ndonjëherë Perëndia veshët kur njerëzit e tij luten dhe këndojnë? A i mbyll ndonjëherë Perëndia sytë, kur njerëzit agjërojmë dhe kryejnë rituale? Përgjigja është një po e fuqishme dhe tërë zemërim!

Dëgjo disa prej gjërave që Perëndia thotë në Bibël: ” Unë i urrej, i përçmoj festat tuaja, nuk ndiej asnjë gëzim në mbledhjet tuaja solemne.” (Amosi 5:21) ” Mos sillni më blatime të kota; temjani është neveri për mua; nuk mund t’i duroj hënat e reja dhe të shtunat, thirrjen e asambleve dhe paudhësinë bashkë me mbledhjet e shenjta. Unë i urrej hënat e reja tuaja dhe festat tuaja solemne; janë një barrë për mua, jam lodhur duke i duruar. Kur i shtrini duart tuaja, unë i fsheh sytë e mi nga ju; edhe kur i shumoni lutjet tuaja, unë nuk dëgjoj; duart tuaja janë tërë gjak. ” (Isaia 1:13-15). “Duke agjëruar ashtu si bëni sot, nuk bëni që zëri juaj të dëgjohet lart.” (Isaia 58:4) ” Edhe sikur të agjërojnë, nuk kam për ta dëgjuar thirrjen e tyre”. (Jeremia 14:12) “A nuk kemi të gjithë të njëjtin Atë? A nuk na ka krijuar i njëjti Perëndi? Pse, pra, veprojmë me pabesi me njëri-tjetrin, duke përdhosur besëlidhjen e etërve tanë? ” (Malakia 2:10)

Pa dyshim që Perëndia e urren fenë. Kisha mund ta zemërojë aq shumë Zotin sa që Ai të dojë ta mbyllë atë. Ka lutje që Ai nuk i duron dot, ceremoni që nuk mund t’i shikojë me sy, stinë agjërimi që e lodhin. Perëndia e urren fenë pa realitetin, ritualin pa marrëdhënien, ceremoninë pa sinqeritetin. Perëndia urren keqardhjen për veten pa drejtësinë sociale. Ai urren besimin që është i fokusuar te vetja, që nuk ka dashuri për Perëndinë dhe dashuri për njerëzit e tjerë. Ai e urren fenë, kur njerëzit mundohen të sillen si engjëj gjatë një ceremonie fetare, por si djaj pjesën tjetër të kohës.

Agjërim i dështuar

Tema e sotme është e gjashta dhe e fundit në serinë tonë për agjërimin. Bibla inkurajon agjërimin dhe kjo seri ka nënvizuar situata të ndryshe, ku agjërimi është i përshtatshëm. Agjërimi mund të ketë vlerë, por ne duhet të agjërojmë në një mënyrë që na afron më shumë me Perëndinë dhe me njerëzit e tjerë dhe jo që Perëndia ta neverisë atë, apo që ky agjërim të na largojë prej njerëzve.

Pak gjëra janë më të shpifura për Perëndinë apo më shkatërruese për njerëzit se sa shpërfillja e drejtësisë. Perëndia thotë, “Sepse unë, Zoti, e dua drejtësinë” (Isaia 61:8) Nëse ne njerëzit, nuk dëshirojmë fort drejtësinë, atëherë nuk e duam as Perëndinë. Nëse e duam fort Perëndinë, dëshirojmë edhe drejtësinë, paanshmërinë, të mirën për njerëzit e tjerë, trajtimin e duhur për ta dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Te Zakaria 7 Bibla flet për disa njerëz që kishin qenë në agjërim dhe kishin një pyetje për Perëndinë. Perëndia i përgjigjet pyetjes së tyre me një pyetje: ” A keni agjëruar në të vërtetë për mua, pikërisht për mua?”(7:5) Perëndia thotë që veprimtaria e tyre fetare është tepër e përqendruar te vetja. Ata mendojnë më shumë për veten se sa për vullnetin e Perëndisë apo për mirëqenien e njerëzve të tjerë. Perëndia u thotë ” Zbatoni me përpikëri drejtësinë dhe tregoni secili mirësi dhe mëshirë për vëllezërit tuaj. Mos e shtypni të venë dhe jetimin, të huajin dhe të varfrin; dhe askush të mos kurdisë në zemër të vet të keqen kundër vëllait të vet.” Si përgjigjet Zoti, kur këta njerëz i mbyllin veshët dhe ngurtësojnë zemrat ndaj thirrjes së Perëndisë për drejtësi? ” Dhe ndodhi që, mbasi Ai thërriste dhe ata nuk ia vinin veshin, ata thirrën dhe unë nuk ua vura veshin”, thotë Zoti i ushtrive. (Zakaria 7:9-13)

Isaia 58 regjistron një bisedë të ngjashme të Perëndisë me njerëzit që kishin agjëruar por ndihen të acaruar.

Ata duket se duan fort ta njohin Perëndinë dhe duan që Ai të jetë pranë tyre. Ata kishin qenë duke agjëruar për të tërhequr vëmendjen dhe ndihmën e Perëndisë, por kjo nuk ka funksionuar. Perëndia duket më larg se kurrë, dhe ata po përjetojnë më shumë probleme se sa bekime. Ata i ankohen Perëndisë “Pse kemi agjëruar, dhe ti nuk e ke parë? Pse kemi hidhëruar shpirtrat tona dhe ti nuk e ke vënë re?” “(Isaia 58:3) Atyre u ka ardhur në majë të hundës agjërimi, por Perëndisë i ka ardhur më shumë se atyre në majë të hundës. Perëndia i përgjigjet ankimit të tyre me një ankim të vetin:

Ja, ditën e agjërimit tuaj ju bëni atë që ju pëlqen dhe i detyroni punëtorët tuaj të kryejnë një punë të rëndë.

Ja, ju agjëroni për grindje dhe mosmarrëveshje dhe për të goditur pabesisht me grusht. Duke agjëruar ashtu si bëni sot, nuk bëni që zëri juaj të dëgjohet lart.

A është ky agjërimi të cilin e pëlqej, dita në të cilën njeriu pikëllon shpirtin e tij? Të përkulësh kokën si xunkthi dhe të shtrihesh mbi një shtrat prej thesi dhe hiri? A e quan këtë vallë agjërim dhe ditë që i pëlqen Zotit?

Agjërimi që më pëlqen a nuk është vallë ky: të thyesh zinxhirët e ligësisë, të zgjidhësh verigat e zgjedhës, t’i lësh të lirë të shtypurit, të dërmosh çdo zgjedhë? A nuk konsiston vallë në ndarjen e bukës sate me atë që ka uri, në sjelljen në shtëpinë tënde të varfrit pa strehë, në të veshurit e atij që është lakuriq, pa lënë pas dore ata që janë nga gjaku yt?

A është e mundur të agjërosh me qëndrimin”shikomë mua”: “Shikomë Zot, e sheh çfarë po bëj unë? Hë si të duket? Të bën përshtypje? Atëherë bëj shpejt atë që dua unë!” Ky është qëndrimi “më shiko mua” dhe ai mund t’i drejtohet edhe njerëzve të tjerë: “Hej njerëz më shikoni mua! Unë jam besimtar! Unë agjëroj, jam i devotshëm në besim dhe serioz. Nuk ju bën përshtypje kjo?” Thelbi i agjërimit nuk është t’i bësh përshtypje Perëndisë apo njerëzve të tjerë. Thelbi është të afrohesh më pranë Perëndisë dhe njerëzve të tjerë duke mësuar të duash Perëndinë dhe të tjerët më shumë se dëshirën që gjërat të bëhen siç duam ne.

Nëse agjërimi na bën thjesht më idhnak, nëse grindemi dhe luftojmë më shumë se kurrë, agjërimi nuk i bën përshtypje Perëndisë. Nëse zgjedhim të rrimë pa ngrënë për një farë kohe, por nuk na interesojnë njerëzit të cilët janë të uritur dhe të keq ushqyer, gjë që nuk e kanë zgjedhur ata vetë, atëherë agjërimi ynë e fyen Perëndinë. Nëse i shfrytëzojmë punonjësit, duke i mbingarkuar me punë, e duke mos i paguar sa duhet, nuk është çudi që Perëndia nuk na dërgon bekime në përgjigje të agjërimit tonë. Nëse e shpërfillim ngushticën e njerëzve të papunë dhe refugjatëve, nuk duhet të tronditemi kur Perëndia të shpërfillë nevojën tonë. Nuk mund të presim që Perëndia të jetë miku ynë i përhershëm,nëse largohemi qoftë edhe prej mishit dhe gjakut tonë, nëse lemë familjen dhe të afërmit vetëm, nëse i privojmë fëmijët tanë prej kohës dhe dashurisë që ata kanë nevojë, nëse braktisim prindërit e moshuar në institucione dhe në vetmi të vazhdueshme. Nëse jemi një mallkim për të tjerët, nuk mund të presim bekime për veten.

Këtu do të ndërpresim temën tonë sepse minutave tona u ka ardhur fundi. Por do të flasim më gjatë herën e ardhshme. Mos e humbisni programin tonë.

Komente

komente