Titulli: Të uritur për drejtësi (pjesa 2)

Agjërimi i frytshëm

Agjërimi nuk duhet të ketë synim të ndryshojë Perëndinë, por ne. Qëllimi kryesor i agjërimit është të na sjellë më pranë Perëndisë dhe në harmoni me Jezusin. Çfarë do të thotë të jesh në harmoni me Jezusin? Së pari do të thotë të jesh në harmoni me prioritetet e Tij. Në deklaratën e parë publike Jezusi pohoi: “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillëzuar të varfrit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit, dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit”.

(Luka 4:18-19)

Nëse jemi në harmoni me Jezusin, do të duam të jemi Lajmi i Mirë për njerëzit e varfër, Lajmi i Mirë për njerëzit me aftësi të kufizuara, Lajmi i Mirë për njerëzit e shtypur dhe njerëzit e burgosur. Ne  do të kërkojmë që Perëndia të ndajë të mirën nga e keqja. Nëse agjërimi na ndihmon të arrijmë në gjatësinë e valës së Jezusit dhe na sjell më pranë Perëndisë, atëherë do të krijojë tek ne një uri për drejtësi, të njëjtën dëshirë që Perëndia ka për drejtësinë.

Agjërimi duhet të na prekë që të ngremë zërin për njerëzit që nuk mund të ngrenë zërin për veten. Kjo do të thotë të ngresh zërin për njerëzit që nuk kanë shumë para, apo ndikim politik. Po ashtu do të thotë të ngresh zërin për foshnjat e pashpresa, të cilat janë shënjestra të abortit. Ngrije zërin për ato krijesa të vogla, që i nënshtrohen kërkimeve embrionike, duke e mbështetur këtë gjë me lutje dhe punë, në mënyrë që Perëndia të ndryshojë qëndrimin e njerëzve dhe ligjet, në mënyrë që të vegjlit të mund të mbrohen prej vdekjes.

Agjërimi nuk duhet të kërkojë me egoizëm ndryshimin e Perëndisë në përputhje me dëshirat tona. Agjërimi duhet së pari të synojë ndryshimin tonë në përputhje me dëshirat e Perëndisë e më pas të synojë që Perëndia të ndryshojë një botë të padrejtë, që ajo të jetë në një linjë me drejtësinë e Tij. Agjërimi duhet të kërkojë përtej marrëdhënies tonë personale me Perëndinë, e të konsiderojë marrëdhënien tonë me njerëzit e tjerë.

Në vend që thjesht të agjërojmë dhe të lutemi që Perëndia të na bekojë, le të agjërojmë e të lutemi për të varfrit dhe të shtypurit. Agjëro dhe lutu që Perëndia të ndryshojë situatën e tyre e të na ndryshojë ne, që e kemi shpërfillur situatën e tyre të vështirë, a kemi qenë shkaktarë të saj.

Për çudi, sa më shumë e përqendroj agjërimin tek vetja, aq më pak të mira më sjell mua. Por nëse fokusohem më pak te vetja dhe më shumë te Perëndia dhe te njerëzit në nevojë, do të jem i bekuar. Kur kërkojmë së pari Mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij – Ai kujdeset për gjithçka tjetër. (Mateu 6:33) Kur ne kemi uri për drejtësi dhe punojmë për të mirën e njerëzve në nevojë, Perëndia premton te Isaia 58,

Atëherë drita jote do të shpërthejë si agimi dhe shërimi yt do të mbijë menjëherë, drejtësia jote do të të pararendë dhe lavdia e Zotit do të jetë praparoja jote.

Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: “Ja ku jam!”. Në rast se ti heq dorë nga zgjedha, tregimi me gisht dhe të folurit mbrapsht,

në rast se plotëson nevojat e të uriturit dhe ngop shpirtin e pikëlluar, atëherë drita jote do të lindë nga terri dhe terri yt do të jetë si mesdita.

Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht, do të ngopë shpirtin tënd në vendet e thata dhe do t’u japë forcë kockave të tua; ti do të jesh si një kopsht i vaditur dhe si një burim uji, ujërat e të cilit nuk shterojnë. (58:8-11)

Nëse dëshiron dritën e Perëndisë rreth teje, nëse dëshiron që bekimet e Tij të bien si shi mbi ty, dhe të gurgullojnë si një burim poshtë teje, atëherë kërko që gjërat të bëhen si duhen, jo vetëm për veten por edhe për njerëzit e tjerë që kanë nevojë për drejtësi.

Një armë sekrete

Është e qartë që agjërimi dhe drejtësia janë të lidhura bashkë. Është gabim të agjërosh pa treguar interes për drejtësinë.

Por po aq gabim është të ndjekësh drejtësinë pa agjëruar. Të agjërosh pa pasur uri për drejtësi do të thotë të jesh hipokrit. Por të kërkosh drejtësi pa agjërim do të thotë të mos jesh i pajisur mirë. Agjërimi mund të jetë një armë sekrete në luftën kundër padrejtësisë.

Nëse me të vërtetë e do drejtësinë dhe dëshiron të luftosh për të, mos shpërfill një prej armëve të tua kyçe. Mos e shpërfill agjërimin. Besimtarët mund të formojnë komitete të drejtësisë sociale dhe qytetarët e interesuar mund të formojnë komitete të veprimtarive politike. Ne mund të ngremë fonde për të ndihmuar të varfrit dhe të shtypurit, mund të marshojmë për jetën e foshnjave të palindura, mund të mundohemi të zgjedhim drejtues të cilët do të bëjnë drejtësi, të gjitha këto gjëra janë të mira. Por kur ishte hera e fundit që agjërove për drejtësinë? Perëndia shpërfill agjërimin e rremë, kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet të agjërojmë. Por do të thotë se duhet të agjërojmë në mënyrën e duhur.

Kur agjëron për drejtësi, uria jote të kujton urinë e dëshpërueshme që kanë njerëzit në nevojë. Ti ndien vetëm një pjesë të asaj që ata ndiejnë, e kështu interesohesh më shumë për ta. Teksa e identifikon veten me njerëzit në nevojë, uria jote fizike shpreh po ashtu urinë tënde shpirtërore për Perëndinë dhe dëshirën që të mbretërojë drejtësia e tij. Mos e shpërfill këtë armë sekrete. Teksa punon dhe lutesh për drejtësinë, bëje agjërimin pjesë të arsenalit tënd kundër të keqit.

Disa kampionë të drejtësisë e përshkruajnë veten si persona që e thonë të vërtetën “pa ju dridhur qerpiku”. Ndonjëherë ky mund të jetë një slogan pompoz i aktivistëve politikë, të cilët pëlqejnë të ankohen për çdo politikë që nuk i përshtatet atyre, por le të supozojmë se kjo përshkruan saktë se çfarë janë duke bërë disa njerëz. Ata vërtetë e thonë të vërtetën pa frikë por sërish kjo nuk mjafton. Gjërat nuk do të ndryshojnë asnjëherë vetëm se kemi thënë të vërtetën. Kur pushteti ka shkuar dëm, duhet diçka më shumë se vetëm e vërteta për ta ndryshuar atë. Duhet pushtet për të ndryshuar pushtetin dhe agjërimi është një prej mënyrave për t’i kërkuar ndihmë Perëndisë së plotfuqishëm, karshi pushteteve dhe politikave të padrejta.

Për shembull, çdo abort vret një qenie njerëzore. Kjo e vërtetë bëhet gjithmonë e më e vështirë për tu mohuar. Shumë prej përkrahësve të abortit nuk i përdorin më disa terma për foshnjat e palindura, si “një masë indesh” apo “përmbajtja e uterusit” apo “rezultatet e koncepsionit.” Ata kanë humbur argumentin rreth faktit a shkatërron aborti një jetë njerëzore apo jo? Sa më shumë imazhe me ultratinguj të shohim aq më shumë informacion shkencor kemi për rrahjet e zemrës, funksionin e trurit, apo një foshnjë që e thith gishtin e madh, po aq e vështirë bëhet të mohosh se aborti shkatërron një foshnjë reale. Shumica e njerëzve tani e pranojnë këtë si të vërtetë. Por vetëm faktet nuk e ndryshojnë një sjellje. Shumë njerëz që mendojnë se aborti shkatërron një foshnjë njerëzore ende dëshirojnë që aborti të jetë i ligjshëm. Ata pranojnë të vërtetën se aborti vret një jetë, gjithsesi nuk i mbrojnë foshnjat.

Çfarë shpjegimi tjetër mund t’i jepet kësaj, veç faktit se ata janë robëruar prej forcave të të ligut. Nëse me të vërtetë kemi dëshirë për drejtësi, ne duhet të bëjmë shumë më tepër se të flasim të vërtetën me fuqi e të vërtetojmë natyrën e padrejtësisë. Ne duhet të kërkojmë po ashtu fuqinë e Perëndisë, që Ai të mposhtë princin e keq të pushtetit të padrejtë, Satanin vetë. Ne duhet të kërkojmë që Perëndia t’i bëjë më të drejtë njerëzit në pushtet, ose përndryshe t’i largojë fare prej pushtetit.

Jezusi na mëson të lutemi, “Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.” (Mateu 6:10) Kjo është një lutje për drejtësi, që gjithçka të bëhet si duhet. Kur lutemi për këtë gjë dhe punojmë për ta realizuar, ne po ashtu agjërojmë për atë. Agjërimi i shton urgjencën lutjeve tona për drejtësi dhe shton efikasitetin përpjekjeve tona në llogari të drejtësisë.

Komente

komente