Thirrja për të luftuar

Titulli: Thirrja për të luftuar? (pjesa 2)

A nuk do të ishte studimi biblik më emocionues nëse ajo kohë do të shërbente si një kohë kur besimtarët mësojnë strategji si të luftojnë Satanin? Në këtë mënyrë kisha mund të jetë një vend jo vetëm për fëmijët, gratë dhe të moshuarit, por edhe për burrat. E kam fjalën për ata burra të guximshëm dhe të rrezikshëm, që janë të fortë në Zotin dhe fuqizohen vazhdimisht prej tij. Kështu kisha do të fuqizohej, nuk do të dobësohej.

Sido që të jetë, edhe sikur kisha të mos ketë shumë burra, edhe sikur ata pak që janë të kenë ngurtësuar zemrën e tyre ndaj Zotit, e vërteta mbetet që: të gjithë, si burrat ashtu edhe gratë jetojnë në një zonë lufte. Ndoshta ti dëshiron një jetë të qetë, të lehtë dhe të rehatshme, por nëse nuk je gati të luftosh kundër mëkatit, nëse nuk je në mision për të fituar fitoret për Jezusin, ti je i humbur. Sepse nuk mund të negociosh, as të bësh paqe me Satanin.

Para Luftës së Dytë Botërore, qeveria britanike dëshironte kaq shumë  të shmangte konfliktin sa që u zmbraps ndërsa, Adolf Hitleri pushtoi vendet njëri pas tjetrit. Krye ministri  Çeijmbërlejn (Neville Chamberlain) u mburr duke thënë se do ta zgjidhte konfliktin “me anë të diskutimeve dhe nuk do të përdorte forcën” dhe tha fjalë lajkatare për Hitlerin dhe Musolinin. Pasi marrëveshja e Munihut i dha Hitlerit Çekosllovakinë, (Chamberlain) u shpreh, “Besoj se tani është koha që të kemi paqe. Shkoni në shtëpitë tuaja dhe, bëni një sy gjumë.” Shumë qytetarë britanikë u gëzuan jashtë mase. Por paqja nuk do të zgjaste shumë, po ashtu edhe gjumi. E vetmja mënyrë për të ndaluar Hitlerin ishte lufta.

Kur një tiran, dëshiron të pushtojë sa më shumë territore të mundet, në atë vend nuk mund të ketë paqe. Satani është një  tiran dhe ai dëshiron të pushtojë gjithçka që mundet. Satani dëshiron të të ketë nën zotërimin e tij, dhe të të mbajë nën pushtetin e mëkatit. Satani dëshiron që ti të vdesësh në mëkatin tënd dhe, të marrë ty me vete në ferr. Ai dëshiron që edhe njerëzit rreth teje, të humbasin.  Ai dëshiron që ata ta shpërfillin Jezusin, të besojnë fetë e rreme, dhe të përfundojnë në ferr. Nëse pret paqe në kohën tonë, një jetë pa përpjekje apo konflikt, Satani, do të ketë kontroll të plotë tek ti.

Mos ji një paqebërës shpirtëror. Qëndro kundër Satanit. Luftoje atë, Ji një luftëtar. Bashkohu me ushtrinë e Jezusit, dhe mos prit një jetë të lehtë dhe të paqtë. Është e vështirë të qëndrosh kundër sulmeve të Satanit. Është e vështirë të shkosh në territoret e sulmuara prej armikut dhe, tu sjellësh lirinë e Krishtit atyre që janë sunduar prej Satanit. Këtu në tokë nuk do të ketë paqe. Do të ketë luftë shpirtërore derisa Jezusi të kthehet sërish. Te Efesianëve 6:10-11 Bibla thotë, ” Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij. Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit.”

Miq, kjo temë është e para në serinë tonë për luftën shpirtërore. Në ditët në vijim kemi përgatitur të tjera tema me dëshirën e mirë që t’ju ndihmojmë të jeni të fortë në Zotin dhe të përdorni mbrojtjen dhe armët që Ai na jep.

Fuqia e tij e madhe

Gjëja e parë dhe më e rëndësishme për betejën shpirtërore është të kërkojmë forcën dhe drejtimin e luftëtarit më të madh. Shkrimi e thotë qartë, “Zoti është një luftëtar” (Eksodi 15:3) Pse erdhi Jezusi në tokë? Për të filluar një luftë! Jezusi thotë,”nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.” (Mateu 10:34). Rezultati final e ardhjes së Jezusit  do të jetë paqja, por para se të fillojë paqja, ai sjell një shpatë kundër së keqes, dhe ai sjell ndarje mes atyre që bashkohen me të dhe e refuzojnë atë.

Jezusi nuk erdhi në tokë për të negociuar me Satanin. Ai nuk erdhi për diplomaci as për të gjetur një kompromis. Jezusi erdhi për të shkatërruar. ” Prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.” (1 Gjoni 3:8) Biri i Perëndisë u bë si njëri prej nesh dhe vdiq për ne. “Që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin.” (Hebrenjve 2:14)

A e mendon ti Zotin si një luftëtar, si shkatërrues të armiqve të tij? Në Bibël Perëndia shpesh e zbulon veten në këtë mënyrë, dhe kështu e përmendin edhe lutjet biblike. Psalmi 18 fillon me fjalët e dashurisë -“Të dua Zot”- por a janë këto fjalë për një zot të ëmbël që bazohet veç tek ndjenjat e tij? Jo ai është Perëndia i forcës dhe i betejës. Psalmisti thotë: “Të dua ty Zot, forca ime”, dhe më pas vazhdon duke thënë:

“Zoti gjëmoi në qiejt dhe Shumë i Larti bëri që të dëgjohet zëri i tij me breshër dhe me thëngjij. Hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau armiqtë; lëshoi një numër të madh rrufesh dhe i bëri të ikin me vrap. Sepse me ty mund të sulmoj një aradhe dhe me Perëndinë tim mund të kërcej mbi një mur? Ti më ke dhënë forcë për betejën.” (Psalmi 18)

Një tjetër Shkrim, Psalmi 68 , flet për shqetësimin e Perëndisë për jetimët dhe të vejat, por a do të thotë kjo se Perëndia është i butë dhe bën veç të mira? Jo, një arsye sepse Perëndia është kaq ngushëllues për njerëzit e dobët dhe të prekshëm të shoqërisë është se ai ka një pushtet tmerrues ndaj armiqve të tij. dëgjoni se çfarë thotë psalmi 68.

“Perëndia u çoftë dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, dhe ata që e urrejnë ikshin para tij. Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave? Mbretërit e ushtrive ikin me ngut. Qerret e Perëndisë janë një mori, mijëra e mijëra.  Po, Perëndia do të shtypë kokën e armiqve të tij? Perëndia yt ka vendosur forcën tënde; forco, o Perëndi, sa ke bërë për ne.” (Psalmi 68)

Zoti Jezus na fton të bashkohemi me Të në luftën kundër Satanit dh të keqes, kundër mëkatit, mizorisë, frikës, shkurajimit dhe gjithë armëve të tjera të Satanit. Jezusi mund të tregohet i ndjeshëm ndaj atyre njerëzve që janë të butë, e të lënduar, por njëherazi ai di të jetë i egër dhe tmerrues ndaj Satanit dhe demonëve të tij. Jezusi shpesh takoi njerëz të pushtuar e të torturuar prej demonëve. Ata njerëz nuk kishin fuqinë dhe forcën për të çliruar veten prej fuqisë demonike. Por Jezusi ishte mëse i fuqishëm për tu marrë me ta, dhe ata e dinin mirë këtë.

Ata i zinte frika sa herë që e shihnin Jezusin duke ardhur. Disa demonë klithnin në zemërim; të gjithë ndiheshin të kërcënuar prej Jezusit. Ata e dinin që kundër tij nuk mund të fitonin. Sikurse Bibla thotë për Zotin:” Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi.” (Psalmi 66:3) Demonët nuk janë qullacë. Ata janë engjëj rebelë të cilët kanë humbur gjithë mirësinë por sërish kanë një forcë të tmerrshme. Fuqia njerëzore nuk mund t’i frikësojë ata, por fuqia hyjnore e Jezusit i tmerron ata. Në fakt, mjaftonte që Jezusi të thoshte disa fjalë që demonët t’ia mbathnin.

Me këto fjalë, dua të mbyll pjesën e dytë të temës “Thirrur për të luftuar”. 

Komente

komente