Tri dëshirat nxitëse

Titulli: Tri dëshirat nxitëse (pjesa 2)

Lavdërimi prej Perëndisë

Së pari le të përqendrohemi te fakti se kujt po mundohesh t’i pëlqesh. Të gjithë ne duam që të tjerët të na miratojnë dhe vlerësojnë. Duam që dikush të jetë i kënaqur me ne, të na pranojë, të na pëlqejë dhe vlerësojë.

Një djalë dëshiron që babai ta përgëzojë. Djalit të vogël i shkëlqejnë sytë kur babai e përqafon dhe i thotë: “Të lumtë biri im!”

Një grua dëshiron që burri i vet ta përgëzojë. Asaj i shkëlqejnë sytë kur ai i bën komplimente për bukurinë, mençurinë dhe sa shumë vlen ajo për të.

Një student dëshiron lëvdimin e mësuesit. Në rast se një profesor i vë nota të larta dhe i thotë fjalë inkurajuese një studenti kjo gjë mund ta nxisë atë që ta orientojë karrierën në atë fushë studimi.

Atletët dëshirojnë lavdërimin e fansave dhe medias. Adoleshentët dëshirojnë lavdërimin e miqve. Punëtorët dëshirojnë lavdërimin e shefave, punonjësve të tjerë. Argëtuesit dëshirojnë duartrokitjet e spektatorëve. Politikanët dëshirojnë miratimin e votuesve. Pavarësisht se kush jemi, se sa të fortë dhe të sigurt mund të dukemi, ne të gjithë dëshirojmë miratimin e dikujt.

Një djalë vuan për dashurinë e babait dhe, kjo plagë mund ta shoqërojë atë deri sa të bëhet burrë.

Ai ka shumë gjasa të bëhet i alkoolizuar apo i fiksuar pas punës. Pa dashurinë dhe admirimin e bashkëshortit të vet një grua mund të ndihet e depresionuar dhe e pavlerë. Po ashtu, një bashkëshort dëshiron që gruaja e ta respektojë dhe të jetë krenare për të. Edhe ai mund të ndihet si një dështak nëse ajo nuk e vlerëson.

Dëshira për lavdërim a plaga që shkakton mungesa e lavdërimit, ndikon shumë në atë që bëjmë. Një pjesë e shqetësimit tonë, mund të vijë kur të tjerët nuk na lavdërojnë atëherë kur e meritojmë, dhe një pjesë tjetër e shqetësimit mund të vijë nga rastet kur nuk e kemi  merituar lavdërimin. Shqetësimi më i madh vjen kur nuk dëshirojmë apo nuk presim lavdërim prej Perëndisë.  Jezusi tha: “Si mund të besoni ju, ju që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia?”. (Gjoni 5:44)

Unë dua që prindërit e mi të jenë të lumtur që më kanë lindur. Unë dua që gruaja ime të jetë e lumtur që u martua me mua. Unë dua që fëmijët e mi të jenë të lumtur që unë jam babai i tyre. Unë dua që miqtë e mi të jenë të lumtur që më njohin. Unë dua që dëgjuesit e mi të jenë të lumtur që jam predikues. Por mbi të gjitha unë dëshiroj që Perëndia të jetë i lumtur që më krijoi mua. Unë dëshiroj që Zoti të më pranojë dhe të gjejë kënaqësi në mua.

Por çfarë mund të themi për faktin se unë nuk jam i mirë sa duhet për të plotësuar standardet e Tij? Unë e vendos besimin tim në gjakun e Jezusit. Unë besoj se mëkatet e mia janë falur, se Perëndia nuk do të më dënojë për to. Por kjo nuk mjafton për të kënaqur shpirtin tim. Unë nuk dua thjesht të jem i falur. Unë dua të jem i vlerësuar, i miratuar, madje edhe i lavdëruar. Unë dua që Perëndia të jetë i kënaqur me mua, të jetë i lumtur që i përkas Atij. Në ditën e gjykimit, unë nuk dua ta dëgjoj Jezusin të më thotë:

“Ti je mëkatar i mjerë, por nuk do ta vë re sa i keq je, do të lejoj të hysh në qiell.” Përkundrazi dëshiroj ta dëgjoj Jezusin që më thotë: “shërbëtor i mirë dhe besnik” dhe “Të lumtë!”

Por në rast se dështoj kaq shumë, si mund ta pres të më lavdërojë Perëndia? Në rast se kjo do të ndodhë ndonjëherë, kjo nuk do të bazohet vetëm në nivelin tim të performancës. Kjo do të varet shumë te fakti se sa shumë më do Perëndia dhe te dëshira që vetë Zoti vë në zemrën time për ta dashur Perëndinë.

Një miku im ka dy fëmijë të vegjël. Ai më tregon se si ata përpiqen ta kënaqin atë. Ndonjëherë mundohen ta ndihmojnë për të punuar kopshtin. Shumë shpesh ata më shumë e pengojnë se sa e ndihmojnë. Ndoshta puna do të bëhej më lehtë, po ta bënte vetëm. Kur pastrojnë oborrin ata më shumë i shpërndajnë gjethet se sa i mbledhin. Ata bëhen aq pis kur punojnë tokën sa që duhet më shumë kohë për t’i pastruar rrobat se ajo që pastruan kopshtin.

Megjithatë miku im është i kënaqur me përpjekjet e tyre. Ai pret më shumë prej tyre kur të rriten.

Ai pret që ata të rriten në aftësi dhe urtësi. Por tani për tani ata duan të punojnë me të atin dhe kjo gjë i fal atij shumë kënaqësi. Në rast se fëmijët vizatojnë diçka për të,  që ndoshta nuk është një kryevepër, ai e vlerëson gjithsesi si një vepër arti. Ai është i kënaqur me mënyrën se si ata po i zhvillojnë aftësitë e tyre dhe si mundohen ta kënaqin atë.

Unë besoj se ashtu si ndihet ky baba për fëmijët e tij, kështu ndihet edhe Ati ynë qiellor për ne.

Zoti gjen kënaqësi te të gjithë ne që i besojmë dhe duam t’i shërbejmë ndonëse jemi të ngathët dhe bëjmë rrëmujë. Ne kemi shumë për të mësuar dhe për të bërë gjatë rritjes sonë. Perëndia nuk do të ndalë asnjëherë punën e tij në ne derisa të na ketë bërë të përsosur. Por Zoti është tashmë i kënaqur me ne, para se të jemi të përsosur dhe plotësisht të rritur në Krishtin. Në rast se besojmë në Jezusin dhe dëshirojmë ta kënaqim Atë, ai nuk do t’i llogarisë mëkatet dhe dobësitë tona kundër nesh.

Në fund të një dite të lodhshme, kur fëmijët e mi shkojnë për të fjetur, pasi jemi lutur bashkë dhe pasi i kam uruar gjumë të ëmbël, unë ndonjëherë shkoj në dhomën e tyre dhe i vështroj teksa flenë. Ia vë dorën mbi ballë ose thjesht i shikoj për disa çaste teksa marrin frymë qetësisht.

Gjatë ditës mund të kem pasur me ta momente të këqija, fjalë të ashpra, mosbindje dhe ndëshkim, por kur dita mbyllet unë nuk i mendoj më ato gjëra. Teksa i shoh duke fjetur, e vetmja  gjë që mendoj është, sa gëzim që kam ata fëmijë. Më duket sikur zemra do të më shpërthejë prej kraharorit nga dashuria që kam për ta.

Pastaj mendoj me vete: po kur unë shkoj për të fjetur çfarë bën Ati im qiellor? A më shikon ai kur jam duke fjetur dhe më buzëqesh ëmbëlsisht? A i largon nga mendja gabimet e mia të asaj dite? A gufon zemra e tij prej dashurisë? Bibla thotë se Zoti “u jep pushim(sh.i.p gjumë) atyre që do” (Psalmi 127:2) Siç ndihet një baba kur sheh fëmijët duke fjetur, ashtu edhe Perëndia i do shumë dhe gjen kënaqësi tek ata që i besojnë Atij, e duan t’i pëlqejnë Atij. ” Sepse Zoti kënaqet me popullin e Tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.

Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.” (Psalmi 149:4-5)

Kujt dëshiron ti pëlqesh? Ndoshta ti je lënduar se njerëzit e tu të dashur nuk të kanë miratuar. Ndoshta nuk e ke kapërcyer lëndimin e prindërve mos miratues, madje dhe pasi ata janë plakur dhe kanë vdekur, diçka brenda teje të shtyn që ti tregosh sa i zoti je. Është normale që të duash t’i kënaqësh prindërit e tu, por mos u domino as mos u shkatërro prej paaftësisë  për të kënaqur njerëzit e tjerë. Vendose besimin tënd tek Jezusi. Perëndia Atë, i tha Jezusit: “dhe ja një zë nga qielli që tha: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.” (Mateu 3:17) Në rast se i beson Jezusit dhe je i lidhur me Të, Perëndia të do me të njëjtën dashuri që ka për Jezusin dhe është i kënaqur me ty ashtu si me Të.

Beso se Perëndia të pranon dhe të miraton ty për hatër të Jezusit. Pastaj “duke provuar çfarë është e pranueshme për Perëndinë” (Efesianëve 5:10) dhe, “bëje qëllimin tënd ta kënaqësh atë.” (2 Korintasve 5:9)

Duaje Jezusin dhe bëj atë që të thotë Ai: kjo e kënaq Atë. Përqendroje tërë jetën te dita përfundimtare kur do të takohesh ballë për ballë me Perëndinë dhe do ta dëgjosh Atë që të thotë: “Të lumtë!” “Dhe atëherë secili do të ketë lavdërimin e vet nga Perëndia.” (1 Korintasve 4:5)

Komente

komente