Tu besosh mrekullive

Titulli: T’u besosh mrekullive (pjesa 1)

Balaami po kalonte një ditë të keqe. Ai kishte hipur mbi një gomaricë dhe po shkonte në një takim të rëndësishëm, me shpresën e madhe që të bëhej i pasur, por gomarica po i hidhte vickla. Kjo gomaricë  ishte sjellë gjithmonë mirë, por për një arsye të caktuar atë ditë ishte zemëruar. Në fillim ajo filloi të ecte shpejtë dhe doli nga rruga hyri në fushë. Balaami e goditi dhe e ktheu në rrugë. Gomaricë budallaçkë! Pse zgjodhi të rebelohej në një prej ditëve më të rëndësishme të jetës së zotërisë së saj?

Pak më tej, rruga kalonte mes dy muresh prej guri në të dyja anët. Papritur gomarica, anohet në njërin prej mureve, duke i vrarë këmbën Balaamit. I inatosur nga dhimbja, Balaami e rrahu atë edhe një herë dhe e drejtoi gomaricën përpara.

Udhëtimi vazhdoi derisa rruga kaloi përmes një vendi të ngushtë ku nuk ishte e mundur të lëvizte në asnjë drejtim. Papritur gomari u shtri poshtë Balaamit dhe nuk pranoi të lëvizte. Balaami e humbi durimin. Ai duhet të shkonte diku e të mbaronte një punë. Ai e goditi gomaricën me një shkop sa i hante dora. Por kjo gomaricë s’merrte vesh, po ia prishte ditën dhe ai po bëhej vonë për takimin.

Atëherë Zoti ia çeli gojën gomaricës që i tha Balaamit: “Çfarë të kam bërë që më rreh në këtë mënyrë tri herë me radhë?”

Balaami ishte aq i inatosur sa nuk arsyetonte. Në vend që të mendonte si foli kështu kjo gomaricë e të tronditej  që një kafshë po fliste Balaami i bërtiti gomaricës ” Pse je tallur me mua; sikur të kisha një shpatë në dorë, tani do të të vrisja.” Gjë më të çuditshme se një gomaricë që i flet një njeriu është një njeri që i flet një gomarice.

Gomarica nuk po e bënte budalla Balaamin; ai po tregohej vetë budalla. Nëse një gomaricë flet, kjo është një mrekulli, do bëje mirë ta dëgjoje dhe jo t’ia ktheje fjalën. Por Balaami po tregohej kaq kokëmushkë sa që gomaricës iu desh të fliste sërish për ta ndrequr.

” A nuk jam vallë gomarica me të cilën ke udhëtuar gjithnjë deri më sot? Mos vallë jam mësuar të sillem kështu me ty?”. Ai u përgjigj: “Jo”.

Papritur biseda u ndërpre. Balaami pa diçka që nuk e kishte vënë re më parë: ai pa Engjëllin e Zotit që rrinte në rrugë me shpatën e tij të zhveshur në dorë. Dhe Balaami u përkul dhe ra përmbys me fytyrën për tokë.

Engjëlli ishte arsyeja përse gomarica kishte dalë nga rruga më parë, dhe e kishte goditur këmbën e Balaamit pas murit e më pas ishte shtrirë poshtë tij. Engjëlli dhe shpata e tij kishin qenë në pritje të Balaamit, dhe nëse gomari do të kishte vazhduar rrugën siç donte zotëria i tij, shpata do ta kishte vrarë Balaamin. Ai nuk kishte nevojë për një engjëll mbrojtës; atij i duhej një gomaricë mbrojtëse!

Pse ishte Balaami nën kërcënimin e një engjëlli? Balaami kishte një dhunti nga Perëndia që të parashikonte gjërat, por ai ishte njeri i keq. Ai ishte rrugës për të takuar një mbret pagan i cili i kishte premtuar t’i paguante një dorë të mirë parash për të mallkuar popullin e Perëndisë, Izraelin, dhe të parashikonte një të ardhme të keqe për ta. Kjo e zemëroi aq shumë Zotin, sa që dërgoi një shpatë kundër Balaamit. Ndërkohë që Balaami donte një shpatë që të vriste gomaricën e tij, aty pranë kishte një shpatë, dhe pikërisht kjo shpatë do ta vriste Balaamin nëse gomarica e tij nuk do ta shpëtonte.

Engjëlli i Zotit i tha: “Pse e rrahe plot tri herë gomaricën tënde? Ja, unë kam dalë si armiku yt, sepse rruga që ndjek ti nuk pajtohet me vullnetin tim;

gomarica më pa dhe më ka evituar plot tri herë; në rast se nuk do të më kishte evituar, me siguri do të të kisha vrarë duke e lënë atë të gjallë.” (Numrat 22:32-33)

Balaami u frikësua dhe u përul. Ai pranoi mëkatin e tij dhe vendosi të kthehej në shtëpi. Perëndia në fund e lejoi atë të vazhdonte rrugën dhe të takonte mbretin pagan, por ai duhet të thoshte veç ato fjalë që perëndia do t’i thoshte.

Balaami u bind. Kur mbreti pagan i nxiti të mallkonte Izraelitët dhe të parashikonte një të ardhme për të, Balaami i bekoi ata dhe parashikoi një të ardhme të ndritshme. Tri herë ai deklaroi bekime mbi ta. Mbreti inatosej me çdonjërin prej bekimeve. Ai dëshironte që ky ta mallkonte Izraelin dhe jo ta bekonte. Ai i tha Balaamit  që kishte humbur rastin për tu bërë i pasur. Balaami iu përgjigj duke thënë se nuk mund të parashikonte asgjë që ishte kundër mesazhit që Perëndia i kishte dhënë për të thënë: edhe sikur Balaku “t’i jepte shtëpinë e tij plot me argjend dhe me ar.” (Numrat 24:13)

Më pas Balaami foli një profeci përfundimtare për sundimtarin e fundit që do të ngrihej mbi Izrael, jo menjëherë por në të ardhmen e largët. Balaami tha: ” E shoh, por jo tani; e sodis, por jo afër: një yll do të dalë nga Jakobi dhe një skeptër do të ngrihet nga Izraeli… ” (Numrat 24:17) Katërmbëdhjetë shekuj më vonë, Jezus Krishti u lind, i shoqëruar me shenjën e një ylli të veçantë.

Tepër e madhe për tu kapërdirë?

Çfarë duhet të mendojmë për këtë histori? A nuk duket e pabesueshme? A mund të besojmë me të vërtetë se një gomaricë ishte në gjendje të fliste, se një engjëll u shfaq duke mbajtur një shpatë, apo që e ardhmja mund të parashikohej katërmbëdhjetë shekuj përpara?

Disa studiues dhe predikues mundohen të ofrojnë një fe që do të jetë më e lehtë për tu besuar. Ata ofrojnë disa ideale të drejtësisë sociale, pa aplikuar besimin në mrekullitë, engjëjt apo profecitë. Ata nuk presin gjithçka nga Bibla sidomos ato që duken të vështira për tu besuar. Ata thonë se historitë e mrekullive në Bibël janë përralla. Ata thonë se engjëjt dhe shpirtrat janë fantazitë e një epoke më supersticioze dhe nuk duhet të merren si të vërteta. Ata thonë se parashikimi i të ardhmes është i pamundur.

Gomerët që flasin, engjëjt dhe profecitë mund të jenë të vështira të kapërdihen prej njerëzve që krenohen se janë racionalë. Por sikur gjëja më e vështirë për tu kapërdirë të mos jenë mrekullitë as engjëjt apo profecitë? Po sikur gjëja më e vështirë për tu kapërdirë të ishte krenaria jonë? Nëse Perëndia thotë se një gomaricë foli, atëherë është krenari të kundërshtosh Perëndinë. Nëse Perëndia thotë se u shfaq një engjëll, është krenari të kundërshtosh Perëndinë e të thuash jo nuk u shfaq. Nëse Perëndia e premtoi ardhjen e Jezusit para se Ai të vinte atëherë është krenari të kundërshtosh Perëndinë dhe të mohosh profecinë parashikuese.

Historitë e Biblës nuk janë tepër të mëdha për tu gëlltitur nëse së pari e gëlltisim krenarinë tonë dhe e lejojmë Perëndinë të jetë Perëndi.

Teologët liberalë, pretendojnë që të “ç’mitizojnë”  krishterimin me qëllim që ta bëjnë atë më të besueshëm për njerëzit racionalë, por sa herë që ata marrin pushtet, njerëzit ndalojë së besuari dhe kishat tkurren. A duhet të përbëjë një çudi kjo? Shpërfillja e autoritetit të Biblës dhe mohimi i çudive të mbinatyrshme të Perëndisë, zor se është një formulë për ndërtimin e besimit dhe transformimin e jetëve.

Komente

komente