Tu besosh mrekullive

Titulli: Tu besosh mrekullive (pjesa 2)

Le ta fillojmë me pyetjen: Çfarë do të ishte Bibla pa mrekullitë, engjëjt apo profecitë? Do të ishte një fe, e zhveshur prej gjithçkaje të mbinatyrshme apo të çuditshme për tu besuar. A do t’ia vlente të besohej një fe e tillë? Nëse në Bibël nuk ka asgjë përtej jetës së rëndomtë dhe mënyrave të zakonshme të të menduarit, pse duhet t’i kushtojmë vëmendje këtij libri? Mund t’ia dalim shumë mirë edhe pa të.

Bibla është plot me premtime dhe profeci për të ardhmen. Profecia e Balaamit është thjesht një prej  mijërave. Shumë prej historive në Dhjatën e Vjetër të Biblës flasin për një Mesia që do të vinte dhe, ato profeci  u përmbushën në Jezusin. Pjesë të tjera të Biblës flasin për një të ardhme që ende nuk ka ardhur, duke përshkruar ditët e fundit të kësaj bote, kthimin e Krishtit dhe tokën e re ku Jezusi do të mbretërojë mbi këdo. Flaki ato profeci, dhe ke për të parë që shumë pak do të mbetej nga besimi dhe shpresa e krishterë. Besoji ato profeci, dhe kjo do të transformojë shpirtin tënd dhe tërë pikëpamjet e tua.

Bibla është plot me histori të engjëjve. Në fakt, Bibla flet për engjëjt më shumë se 350 herë. Në rast se ti heq nga Bibla çdo varg ku përmenden engjëjt, Shkrimi do të bëhej fërtele. Balaami nuk ishte i pari që pa një engjëll me shpatë. Diku nga kapitulli i tretë i Biblës, Adami dhe Eva u penguan që të hynin në kopshtin e Edenit nga një engjëll që tundte një shpatë. Kudo përgjatë Biblës engjëjt janë tepër të zënë për të zbatuar gjykimet e Perëndisë, për të mbrojtur besnikët, për të sjellë një mesazh të rëndësishëm, për të lavdëruar Perëndinë dhe për t’i sjellë lavdi Atij.

Mrekulli, Mrekulli

Sa për mrekullitë, Bibla zbulon nga tërë llojet. Pa mrekullitë Bibla nuk do të ishte kjo që është dhe Perëndia nuk do të ishte Perëndi. Në të vërtetë, pa mrekullitë, bota nuk do të ishte bota. Disa njerëz thonë se nuk mund ti besojnë mrekullive sepse mrekullitë bien ndesh me ligjet e natyrës. Por pa mrekullitë nuk do të kishte ligje të natyrës dhe nuk do të kishte as natyrë. Bota filloi me mrekullitë, mrekullitë e mëdha të krijimit, ku Perëndia solli gjithçka në ekzistencë duke thënë, “Le të bëhet!” Ato që ne i quajmë “ligjet e natyrës” ekzistojnë për shkak të mrekullive hyjnore të fillimit. Dhe pasi Perëndia caktoi botën dhe modelet e saj bazë të operimit, ato modele nuk e penguan Perëndinë që të shkonte përtej modeleve të zakonshme dhe të bënte mrekulli.

Izraeli populli i besëlidhjes së Perëndisë, filloi me një mrekulli, kur nëntëdhjetë vjecarja Sara, mbeti shtatzënë me burrin e saj Abrahamin që ish nëntëdhjetë e nëntë vjeç. Shekuj më vonë, kur pasardhësit e Abrahamit ishin skllevër në Egjipt, Perëndia i shpëtoi me anë të plagëve që hodhi mbi shtypësit e tyre e duke i nisur në drejtim të Detit të Kuq, që të kalonin mes përmes detit. Rrugës për në tokën e premtuar, ata jetuan me manë, një ushqim i ofruar mrekullisht nga qielli. Kur Balaami  kishte në plan t’i mallkonte në udhëtimin e tyre, Perëndia bëri që një gomaricë tu fliste. Fitorja e parë e Izraelitëve, në tokën e premtuar ndodhi kur Perëndia bëri që të rrëzoheshin mrekullisht muret e Jerikos.

Një tjetër fitore erdhi kur Perëndia e bëri diellin të qëndronte në qiell derisa Jozueu të mund të mposhte armikun.

Profetët e Perëndisë bënë mrekulli të ndryshme bekimi dhe gjykimi. Profeti Elia dhe pasuesi i tij, Eliseu, nuk ishin të përfshirë në disa mrekulli mahnitëse. Kur Izraelit ishte nën sundimin e mbretit të keq Ashab, Elia u lut dhe Perëndia i tha se nuk do të binte shi për tre vjet, dhe pati një thatësirë vdekjeprurëse. Më pas Elia tha se do të binte shi, dhe ra shi. Kur Elia kishte nevojë për ushqim, Perëndia dërgoi korbat që ta ushqenin. Një vejushë e varfër e cila e ndihmoi Elian, zbuloi se furnizimi me ushqim nuk mbaroi kurrë e po ashtu as vaji i ullirit. Kur djali i saj vdiq, Elia u lut dhe e ngriti atë prej së vdekurish. Kur mbreti dërgoi ushtarët për ta kapur dhe për ta vrarë Elian, profeti kërkoi zjarr prej qiellit  që i dogji ata. Kur jetës së Elias në tokë i erdhi fundi, vdekja nuk ndodhi natyrshëm, por me qerre zjarri që zbrisnin poshtë dhe e merrnin atë direkt në qiell në një vorbull ere.

Eliseu shërbëtori i Elias,  zuri vendin që la zotëria i tij. Elia e kishte bërë lumin Jordan të ndahej me qëllim që të kalonin njerëzit dhe Eliseu bëri të njëjtën gjë. Kur uji i qytetit ishte i keq, Eliseu e bëri atë të mirë. Kur një turmë të rinjsh, adhurues të idhujve e tallën Eliseun, ai i mallkoi ata, dhe dy arinj i sakatuan ata në një gjykim të mrekullueshëm.

-Kur një vejushe të varfër i mbaruan paratë dhe kredidhënësi ishte gati t’ia mbante peng të bijtë, Eliseu i tha asaj të derdhte masë pas mase vaj ulliri nga një kanë e vogël; dhe kur ajo e shiti vajin kishte më shumë para se sa i duheshin.

-Kur një burrë dhe një grua që vuanin prej infertilitetit e ndihmuan Eliseun, ai u premtoi një shtatzëni përmes një mrekullie. Fëmija i tyre më vonë vdiq, por Eliseu e ktheu atë sërish në jetë.

-Kur disa njerëz pinë helm dhe ishin gati të vdisnin, Eliseu i shëroi ata. Kur një turmë e uritur nuk kishte mjaftueshëm ushqim, Eliseu e shndërroi mungesën e ushqimeve në tepricë. Kur një gjeneral, nga një vend fqinjë kishte një lebër të pakurueshme, Eliseu i shëroi ata. Kur ndihmësi i Eliseut u bë lakmitar për para, ai u gjykua me lebër. Një profet i ri ishte duke punuar në një ndërtesë të re për trajnimin e profetëve, kur koka e sëpatës së tij ra dhe u zhyt thellë në ujë. Eliseu thjesht e hodhi një shkop në ujë, koka e sëpatës prej hekuri u ngrit mbi sipërfaqe dhe djali i ri e mori sërish atë.

-Kur mbreti armik ishte duke komplotuar për të pushtuar Izraelin, Eliseu e dinte në mënyrë të mrekullueshme çdo hap që mbreti po planifikonte. Kur ushtarët e mbretit rrethuan vendin ku qëndronte Eliseu, Perëndia i verboi të gjithë ata derisa të mund të kapeshin. Edhe pasi Eliseu vdiq dhe u varros, ndodhi një mrekulli e  madhe. Një kortezh funerali u frikësua kur një turmë vjedhësish po u vinte nga pas. Ata e hodhën trupin e vdekur në një varr dhe ia nisën vrapit. Varri ku e hodhën rastësisht, ishte i Eliseut. Kur trupi i të vdekurit preku kockat e Eliseut, njeriu u kthye sërish në jetë.

-Kur profeti Jona ishte gati për tu fundosur në det, Perëndia i dërgoi një peshk të madh për ta shpëtuar profetin prej mbytjes. Peshku e përpiu Jonën dhe ai qëndroi në barkun e tij për tri ditë, dhe pas kësaj ai e nxori nga goja dhe e la në tokë të padëmtuar.

-Kur tre djem të rinj u hodhën në një furrë zjarri për shkak se ishin besnikë ndaj Perëndisë, një engjëll qëndroi në furrë mbash me ta dhe i mbrojti nga i nxehti. Ata dolën prej furrës pa iu prekur asnjë fije floku, madje as era tym nuk vinin. Kur profeti Daniel u hodh në gropën e luanëve të uritur, Perëndia dërgoi një engjëll për të mbyllur gojën e luanëve.

Dhjata e Vjetër dëshmon për këto mrekulli dhe shumë të tjera që do të ndodhnin më pas. Kur Zoti vetë erdhi në tokë në personin e Jezusit, mrekullitë e tij, ia kalonin të mëparshmëve. Jezusi kishte lindur nga një e virgjër. Ai bëri që i verbri të shikonte, i shurdhri të dëgjonte, dhe i pagoji të fliste, i çali të ecte, i vdekuri të jetonte. Ai eci mbi dallgët, e ktheu ujin në verë, dhe ushqeu mijëra njerëz veç me një shportë pikniku. Jezusi bëri mrekulli të mëdha dhe aq shumë sa nuk numërohen. Mrekullia e tij më e madhe ishte fitorja e tij ringjallëse mbi vdekjen dhe ngritja e tij në fronin e qiellit. Apostujt e Jezusit i vazhduan këto mrekulli kur Ai u largua, duke shëruar njerëzit e sëmurë dhe duke kthyer disa të vdekur sërish në jetë.

Mrekullitë nuk janë thjesht “shtesa” në Bibël që mund t’i marrim apo t’i lemë. Ne nuk mund ta besojmë Biblën si Fjalën e Perëndisë pa besuar në mrekullitë. Ne nuk mund të besojmë në Jezusin si Biri i Perëndisë pa besuar mrekullitë.

Këtu minutat tona për sot mbaruan. Por mos harroni të na dëgjoni sërish herën e ardhshme me vazhdimin e kësaj teme.

Komente

komente