Unë jam ai që jam

Titulli: Unë jam ai që jam (pjesa 1)

Fërishtja kishte marrë flakë por nuk po digjej. Nuk ka rëndësi se sa shumë ndriçonte flaka, ajo nuk po e konsumonte ferishten. Kjo pamje ishte e mrekullueshme, edhe për këtë bari të vjetër delesh. Ai kishte përshkuar shumë vende dhe kishte parë gjithcka të bukur në natyrë por asnjëherë diçka të ngjashme. Pasi la tufën, Mojsiu iu drejtua ferishtes që po digjej për të parë më mirë. Më pas i erdhi një zë nga brenda ferishtes dhe kurioziteti i Mojsiut u kthye në frikë.

Perëndia i foli atij nga shkurrja “Mojsi! Mojsi!” Dhe Mojsiu i tha, “Ja ku jam.”

“Zoti vuri re që ai ishte zhvendosur për të parë, dhe Perëndia e thirri nga mesi i ferishtes dhe i tha: “Mojsi, Mojsi!”. Ai u përgjigj: “Ja ku jam”. Perëndia tha: “Mos u afro këtu: hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë”. Pastaj tha dhe këto fjalë: “Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit”. Dhe Moisiu fshehu fytyrën e tij,sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë. (Eksodi 3:4-6)

Çdo vend që Perëndia zgjedh të shfaqet personalisht dhe të japë një mesazh është një vend i shenjtë. Çdo takim i drejtpërdrejtë me Perëndinë është një përvojë e frikshme. Perëndia asnjëherë nuk e shfaq plotësisht veten, edhe atëherë kur shfaqet si një zjarr i shndritshëm dhe i shkëlqyer, është thjesht një grimë e shenjtërisë së Tij verbuese, por Mojsiu dinte shumë më tepër se kaq për Perëndinë, aq sa e shtyu atë të përkulej dhe të mbulonte kokën dhe shikimin e tij, në vend që të hiqej si i fortë dhe i shenjtë sa duhej për të folur sy në sy me Perëndinë.

Megjithatë, Perëndia nuk u shfaq thjesht për të trembur Mojsiun. Ai e ftoi Mojsiun në shërbim të tij dhe e dërgoi të shpëtonte popullin e Tij. Izraelitët kishin qenë skllevër në Egjipt për shumë vite, kohë përpara se Mojsiu të kishte lindur. Izraelitët duhet ta kenë pyetur shumë shpesh veten se pse Perëndia i etërve të tyre po i lejonte ata që të vuanin. Vitet kalonin njëri pas tjetrit, brezat vinin e shkonin, por skllavëria e tyre vazhdonte. Nëse ti ke kaluar përmes kohëve të vështira pa asnjë ndihmë, ti mund ta kuptosh si  ndiheshin izraelitët. Si mund të lejonte Perëndia që problemet të vazhdonin të mblidheshin e të bëheshin pirg vit pas viti? A nuk e shihte Perëndia se çfarë po ndodhte atje? A nuk i dëgjon Ai lutjet dhe rënkimet tona? Nuk do tia dijë ai për ne? Dëgjoni se çfarë i tha Zoti Mojsiut:

” Pastaj Zoti tha: “Sigurisht që e kam parë pikëllimin e popullit tim që ndodhet në Egjipt dhe e kam dëgjuar britmën e tij për shkak të shtypësve të tij, sepse i njoh vuajtjet e tij. Kështu zbrita për ta çliruar nga dora e Egjiptasve dhe për ta çuar nga ky vend në një vend të mirë dhe të hapur, në një vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti.”

 

Izraelitëve të skllavëruar në mjerim dhe ty që mund të kesh ngecur në telashe tani, Perëndia i thotë: “Unë shikoj, unë dëgjoj, unë interesohem për ty, do të shpëtoj dhe do të çoj në tokën e premtuar.”

Madje edhe në kohët më të vështira të izraelitëve, Perëndia nuk i kishte braktisur ata. Ai ishte shumë më pranë se ç’mund ta mendonin ata, dhe plani i Perëndisë për ta po ecte më mbarë se çmendonin ata. Madje edhe gjatë viteve të dhimbshme të skllavërisë, kombi i Izraelit mbijetoi madje lulëzoi. ” Por sa më tepër i shtypnin, aq më shumë shtoheshin dhe përhapeshin; prandaj Egjiptasit arritën të kenë shumë frikë nga bijtë e Izraelit ” (Eksodi 1:12) Si mund të përballonin kaq mizori pa u zhdukur si komb? Për të njëjtën arsye që një ferishte mori flakë por nuk u dogj: Perëndia ishte atje. Shekuj më vonë, kur Fryma e Shenjtë erdhi te dishepujt e Jezusit, gjuhë zjarri u shfaqën mbi kokat e tyre pa i djegur ata. Shumë prej ndjekësve të Jezusit u shtypën dhe u vranë, por kisha vazhdoi të forcohej dhe të rritej në numër. Atje ku digjet zjarri i Perëndisë, populli i tij nuk vdes.

Nëse bëjmë një krahasim, Mojsiu vetë ishte si ajo ferishtja që po digjej. Ai kishte mbushur tetëdhjetë vjeç, kur Perëndia i foli atij. Megjithatë edhe në atë moshë, Mojsiu kishte shëndetin dhe energjinë të ecte disa kilometra për të çuar bagëtinë në kullotë.

Ai po plakej dhe fuqitë e tij as po e linin as po i thoshin lamtumirë. Pikërisht në atë moshë flaka e Perëndisë do të shkëlqente si asnjëherë më parë. Mojsiu do të kishte fillimisht një përballje me Faraonin, diktatorin e kombit më të fuqishëm në botë. Më pas Mojsiu do të drejtonte miliona njerëz për t’i nxjerrë prej skllavërisë. Për dyzet vitet e tjera, derisa u bë njëqind e njëzet vjeç, Mojsiu do të drejtonte udhëtimet e tyre, do të shpallte ligjet e tyre, do të gjykonte diskutimet e tyre dhe do të përballej me lloj- lloj problemesh dhe sfidash. E vërteta e Perëndisë dhe fuqia e Tij do të shkonin para Tij, flaka hyjnore do të digjej gjithmonë e më shumë brenda Tij, megjithatë Mojsiu as nuk do të lodhej as nuk do shterohej. Deri në  fund të jetës së tij, shikimin e kishte të mprehtë dhe trupi qëndronte i fortë. (Ligji i Përtërirë 34:7)

Kur Mojsiu vdiq në moshën 120 vjeçare, kjo nuk ishte për arsye se vitet e kishin konsumuar trupin e tij por sepse Perëndia e kishte thirrur atë në një botë tjetër.

Mojsiu nuk ishte në dijen të kësaj kur Perëndia e takoi atë në shkurren që po digjej dhe i tha të linte tufën e deleve dhe të bëhej bari për kombin e Tij. Kur Perëndia i tha Atij të konfrontohej me Faraonin dhe të fuqishmit e Egjiptit, Mojsiu i tha Perëndisë, ” Por Moisiu i tha Perëndisë: “Kush jam unë që të shkoj te Faraoni dhe t’i nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?” Përgjigja e Perëndisë ishte e thjeshtë: “Unë do të jem me ty.” Nëse Perëndia do të ishte me të, nuk kishte rëndësi se çfarë dobësie mund të kishte Mojsiu. Nëse Perëndia shkonte me Të, nuk kishte rëndësi sa i fortë ishte Faraoni. Një fuqi më e madhe se çdo zjarr, një forcë më e madhe se çdo armë atomike, një energji më e ndritshme dhe më fortë se dielli dhe tërë yjet, do të punonte përmes Mojsiut.

Si e ka emrin Ai?

Perëndia është i fuqishëm dhe, ai nuk është thjesht një forcë apo një fushë energjie. Ai është personal. Ai interesohet për njerëzit. Ai flet. Ai vepron. Por kush është ai? Si e ka emrin? Mojsiu donte ta dinte këtë.

Atëherë Moisiu i tha Perëndisë: “Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t’u them: “Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju”, po të jetë se ata më thonë: “Cili është emri i tij?”, ç’përgjigje duhet t’u jap?”.

Perëndia i tha Moisiut: “UNÉ JAM AI QÉ JAM”. Pastaj tha: “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: “UNÉ JAM-i më ka dërguar tek ju””.

Perëndia i tha akoma Moisiut: “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: “Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit më ka dërguar tek ju. Ky është emri im përjetë. Ky ka për të qenë gjithnjë emri im me të cilin do të kujtohem nga të gjitha breznitë.”

(Eksodi 3:13-15)

Kjo është një prej gjërave më misterioze që Perëndia ka thënë ndonjëherë për veten, megjithatë ajo zbulon për Të më shumë se çdo atribut tjetër. Nëse do të më takoje, e do të më pyesje për emrin dhe unë të përgjigjesha.

“UNË JAM AI QË JAM”, ti mund të mendoje se unë thjesht po pohoja diçka të dukshme. Unë jam ai që jam, dhe ti je ai që je- a nuk e di ti tashmë këtë pa qenë nevoja të ta thonë të tjerët?!

Por Perëndia nuk po bën si i vështirë kur thotë, “UNË JAM AI QË JAM.” Ai po thotë diçka shumë të rëndësishme: Ai po zbulon një emër të mrekullueshëm. Emri hyjnor Jahveh (që ndonjëherë shqiptohet Jehovah, dhe shfaqet në disa përkthime me germa të mëdha “ZOTI ” vjen nga fjala ‘ekzistencë’ në hebraisht. Perëndia është i madhi “UNË JAM,” Ai që është. Ai është plotësisht i vërtetë, plotësisht i gjallë, dhe jashtëzakonisht i mrekullueshëm. Dhe ndryshe nga ne, ekzistenca e tij, karakteri dhe veprimet e tij nuk varen nga askush tjetër veç tij.

Po të më pyesje si e kam emrin dhe unë të përgjigjesha, “unë jam ky që jam,” përshtypja e parë mund të jetë sikur thashë diçka të panevojshme.

Po Perëndia si e quan veten? A mund të thotë ai Unë jam Ai që jam? Na ndiqni herën e ardhshme për vazhdimin e kësaj teme.