Unë jam ai që jam

Titulli: Unë jam ai që jam (pjesa 2)

Por e vërteta është se unë nuk mund të them sinqerisht “Unë jam ai që jam.” Nëse them, “Unë jam,” mund të jetë e vërtetë për momentin, por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Unë nuk kam qenë këtu para vitit 1961, dhe unë mund të lë këtë jetë nga çasti në çast. Unë nuk do të ekzistoja po të mos ishin prindërit e mi dhe ata nuk do të ekzistonin pa prindërit e tyre dhe paraardhësit e brezave më parë. Jeta ime vjen nga të tjerët, dhe identiteti dhe veprimet formohen dhe ndryshohen prej të tjerëve. Prindërit e mi, mësuesit e mi dhe miqtë kanë pasur një ndikim të fuqishëm tek unë, dhe ende sot, mënyra se si sillem dhe personi që unë po bëhem, nuk përcaktohet thjesht nga fakti se kush jam unë dhe kush me rrethon, por përfundimisht prej Perëndisë. Por të thëna nga unë fjalët, “Unë jam ky që jam,” mund të duket fillimisht si një truizëm, por nuk është aspak e vërtetë.

Perëndia nga ana e tij, mund të thotë me të vërtetë, “Unë jam ky që jam” Perëndia nuk ia detyron ekzistencën e Tij askujt tjetër. Ai është burimi i tërë qenies së Tij. Ai është i përjetshëm, pa fillim dhe pa fund, duke mos u varur te askush ose te asgjë, por tek jeta e Tij me bollëk dhe te realiteti i Tij. Teologët e quajnë këtë Perëndia vetë ekzistent Që do të thotë se ai ekziston i pavarur prej krijesave të tjera, nuk vjen prej asgjëje tjetër, nuk mbështetet te askush tjetër. Kjo e veçon Perëndinë prej tërë gjërave të tjera të krijuara. Ne varemi tek Ai për ekzistencën tonë, por ai nuk mbështetet tek askush për ekzistencën e Tij. Sikurse e thotë edhe Bibla: ” Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut,

…dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë; Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi” (Veprat 17:24-28)

Unë ekzistoj vetëm se Perëndia ekziston. Perëndia ekziston sepse Ai është. Unë jetoj në këtë moment sepse Perëndia jeton përgjithmonë. Qenia ime është thjesht një dritë e zbehtë që dridhet, por ndizet prej flakës së përjetshme të qenies së Perëndisë.

Jahvehu, i madhi “UNË JAM,” është vetë ekzistent, dhe kjo do të thotë se ai është po ashtu i pandryshueshëm. Sepse gjithçka jashtë qenies së tij është krijuar prej tij dhe për shkak se Ai mbretëron mbi çdo person dhe çdo ngjarje, asgjë dhe askush nuk mund ta ndryshojë faktin se kush është Ai. Perëndia thotë në Bibël, “Unë, Jahvehu, nuk ndryshoj.” (Malakia 3:6) Ti edhe unë ndryshojmë. Por Perëndia nuk ndryshon. Ai është Ai që është, përgjithmonë i pandryshueshëm. Ai nuk ka asnjë dobësi për të mposhtur, asnjë papjekuri për ta kapërcyer, asnjë faj për të korrigjuar. Asgjë nuk mund ta përmirësojë atë a ta ndryshojë. Asgjë nuk mund t’i hiqet Atij, apo t’i reduktohet. Qenia e Tij e pandryshueshme do të thotë se Fjala e Tij është e sigurt dhe se veprimet e tij janë të besueshme.

Kur Perëndia i zbuloi Mojsiut emrin e tij Jahveh, “Unë jam ai që jam,” ai po ashtu e quajti veten “Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.” Shekujt kanë kaluar që prej kohës së atyre patriarkëve, siç ishte Mojsiu, por Perëndia mbeti i njëjti Perëndi, dhe Ai mbetet i njëjti edhe sot. ZOTI nuk mund të përmirësohet apo të përditësohet. Ai nuk e ri krijon veten për t’ju përshtatur prirjeve të reja apo për të kënaqur një zonë të re elektorale, ashtu si bëjnë disa politikanë. Perëndia nuk tha asnjëherë: “Unë jam kushdo që ti mendon se jam unë” apo “Unë do të mundohem të jem ashtu si dëshiron ti që të jem.” Ai tha, “Unë jam Ai që jam.” Nëse nuk të pëlqen Perëndia i Abrahamit, Isakut, dhe Jakobit në Bibël, ti ke një problem. Jahveh nuk ka për ta ndryshuar veten që të të përshtatet ty. Ai është Ai që është.

Perëndia është i pavarur nga të tjerët dhe i pandryshueshëm, por kjo nuk do të thotë se ai e mban veten plotësisht të izoluar prej nesh. Perëndia është i gjallë dhe veprues, Ai është i përfshirë me tërë popullin e tij. Ai është i lartë dhe i shenjtë, megjithatë Ai është i afërt dhe i dhembshur. Emri i tij është  Jahveh, “UNË JAM,” do të thotë se Ai jo vetëm është, por se ai është këtu, i pranishëm në jetën e tij me bollëk dhe me fuqinë e Tij. Ai i tha Mojsiut që tu thoshte Izraelitëve, “UNË JAMI më ka dërguar tek ti.” Izraelitëve të skllavëruar në Egjipt, prania e të madhit unë jam u thoshte se mbreti mizor dhe mania për skllavëri do të zhdukej, sepse ZOTI kishte ardhur pranë dhe nuk do të ndryshonte fuqinë apo qëllimin e tij.

Për ty dhe për mua, prania e të madhit unë jam, do të thotë çlirim prej armiqve të Perëndisë dhe një marrëdhënie personale ku ne shijojmë jetën e Tij dhe ecim përditë me Të.

Shekuj pas Mojsiut, disa prej Izraelitëve dhe mësuesve të tyre arritën ta konsideronin emrin Jahveh aq të shenjtë sa që askush nuk mund të fliste për Të. Por Perëndia nuk do ta kishte zbuluar emrin e Tij nëse nuk do të kishte dashur vetë. Ai dëshiron që ta thërrasim emrin e Tij me besim, se Ai është në kontroll dhe Ai është pranë nesh. Sigurisht, nëse flasim për Perëndinë dhe e shqiptojmë emrin e Tij, ne duhet ta bëjmë këtë me nderim. Nëse Mojsiut iu desh të hiqte këpucët dhe të fshihte fytyrën në praninë e Perëndisë, ne duhet të jemi budallenj që ta përdorim emrin e tij kot dhe të betohemi në emrin e Tij.

Një emër nuk përmban vetëm tingujt apo zanoret. Një emër është një mënyrë për ta njohur Perëndinë dhe për të kërkuar bekimet e Tij dhe, një emër na aftëson ta adhurojmë Perëndinë në emër. Fraza në hebraisht “Haleluja- do të thotë lavdëroni ZOTIN,” “adhuroni të madhin “UNË JAM.” Kënga më e bukur e popullit të Perëndisë është thjesht një Haleluja. Por edhe emri i shenjtë Jahveh, i lartë dhe i shenjtë ashtu si është, nuk është emri më i lartë i Perëndisë, përmes të cilit ai e bën të njohur veten. Për ta njohur më mirë realitetin e emrit “UNË JAM AI QË JAM,” ne duhet të dëgjojmë Jezusin.

Ju do ta dini se unë jam

Emri Jezus në Hebraisht do të thotë thjesht “ZOTI shpëton”, dhe Jezusi e ka bërë të qartë këtë kur tha se ai është i madhi UNË JAM në Shkrimet hebraike. Tri herë vetëm në një bisedë me kundërshtarët e tij, Jezusi e quajti veten UNË JAM. Jezusi u tha atyre, ” Prandaj ju thashë se ju do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja”.  (Gjoni 8:24) Më pas, duke folur për kryqëzimin e tij të ardhshëm, Jezusi tha, ” Kur ta keni lartuar Birin e njeriut, atëherë do të njihni se UNË JAM” (Gjoni 8:28) Disa përkthime të Biblës mundohen ta zbusin pak këtë por humbasin shumë prej kuptimit të saj. Ata i përkthejnë fjalët “Unë jam” si “Unë jam ai që them se jam.” Por Jezusi nuk ka thënë këtë në gjuhën origjinale. Ai tha, ” sepse po të mos besoni se unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja.” Ai tha, ” Kur ta keni lartuar Birin e njeriut, atëherë do të njihni se unë jam.” Dhe në rast se ata nuk e kuptuan në çast, pak çaste më vonë Jezusi shtoi:

“… po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam!”. (Gjoni 8:58) Jezusi është një me ZOTIN. Ai kishte ekzistuar qysh prej përjetësisë. Jezusi është i mahnitshëm, Jahvehu i përjetshëm që foli nga fillimi prej ferishtes që digjej dhe i tha Mojsiut. “UNË JAM AI QË JAM.”

Natën para se të vdiste, Jezusi parashikoi tradhtinë dhe vdekjen e Tij dhe tha: ” Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, unë jam” (Gjoni 13:19) Vonë atë natë, Juda dhe armiqtë e Jezusit erdhën për ta arrestuar atë. Jezusi i pyeti se kë po kërkonin ata. “Jezusin e Nazaretit,” u përgjigjën ata. Më pas Jezusi i tha dy fjalë: “UNË JAM.” Diçka misterioze dhe e tmerrshme ndodhi kur Jezusi tha ato fjalë: “UNË JAM,” ata u zmbrapsën dhe ranë për dhe. (Gjoni 18:5-6) Ata ranë përmbys para atij që dikur Mojsiu kishte fshehur fytyrën. Sërish disa prej versioneve tona moderne e teprojnë me përkthimin, gjithmonë me idenë që ta bëjnë sa më të kuptueshme, por realisht e humbasin paksa kuptimin. Në këto përkthime Jezusi thotë “Unë jam ai,” sikur të ishte thjesht duke identifikuar veten me personin që ata donin ta arrestonin. Por sipas gjuhës origjinale, realisht Jezusi tha: “UNË JAM.” Ishte zëri i ZOTIT, i mrekullueshmi UNË JAM, që i rrafshoi armiqtë e tij derisa ai i lejoi ta arrestonin atë.

I njëjti zë, po të flet ty dhe mua pikërisht tani. Në dritën e vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit, ne mund ta njohim atë si perëndia UNË JAM, si i Përjetshmi, i bashkuar me natyrën njerëzore. Sikurse ZOTI erdhi për të shpëtuar izraelitët prej skllavërisë, kështu edhe ZOTI zbriti për të shpëtuar popullin e vet prej mëkatit, vdekjes dhe ferrit. Besoje këtë. Vendose besimin tënd tek Ai. Jezusi na paralajmëron “Po të mos besoni se UNË JAM do të vdisni në mëkatet tuaja.” Por nëse beson, ti do të jetosh përgjithmonë.

Qenia e Perëndisë bashkon tri persona: Atë, Bir, dhe Frymë e Shenjtë. Në kohën e Mojsiut, Triniteti nuk ishte zbuluar ende kaq qartë. Me ardhjen e Perëndisë Bir, në botë për të shpëtuar të gjithë ata që besojnë dhe me dërgimin e Frymës së Shenjtë, për të jetuar mes besimtarëve, i madhi unë jam e ka zbuluar veten si Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. Jezusi urdhëroi që njerëzit e tij të pagëzoheshin” në emër të Atit të Birit dhe të Frymës së Shenjtë.” (Mateu 28:19) Perëndia që quhet Jahveh po ashtu quhet “Atë, Bir dhe Frymë e Shenjtë,” dhe çdo person i pagëzuar mban atë emër të madh.

Shkrimi thotë për Jezusin, ” Dhe populli ishte në pritje dhe të gjithë pyesnin në zemrat e veta nëse Gjoni ishte Krishti vetë.” (Luka 3:15) Kur Fryma e Shenjtë erdhi mbi kishën e hershme me fuqi, në ditën e Pentakostit, gjuhë zjarri u shfaqën mbi kokat e atyre të krishterëve. Sot zjarri i Perëndisë nuk është në një shkurre, as nuk shfaqet mbi kokat tona. Zjarri i shkurres që digjet, është brenda zemrave të atyre që e njohin Jezusin dhe kanë marrë Frymën e Tij të Shenjtë.

Një emër i mrekullueshëm, që ne mund ta përdorim për Perëndinë, falë Jezusit dhe Frymës, është emri “Atë”. Fryma e Shenjtë brenda zemrave tona, na shtyn të thërrasim, “Abba, Atë.” Emri i frikshëm Jahveh-ZOTI, të cilin njerëzit kishin frikë ta shqiptonin, del se është emri më i dashur dhe më përkëdhelës që ekziston për një baba, që në këtë rast është fjala Abba.