Vjedhësi i varrit

Titulli: Vjedhësi i varrit (pjesa 3)

Rojet nuk binin në ujdi se çfarë duhet të bënin, por në fund disa prej tyre shkuan te priftërinjtë dhe u thanë atyre se kishte pasur shumë probleme në varreza. Ah drejtuesit e mjerë fetarë! Ata kishin arritur të vrisnin Jezusin, kishin marrë masa për të parandaluar vjedhjen e varrit dhe tani shërbëtorët e tyre po ktheheshin me lajmin se turpi i Jezusit ishte larguar. A hynë menjëherë në bisedë drejtuesit fetarë? A thanë ata: “E mahnitshme! Po sikur Jezusi të jetë vërtetë Biri i Perëndisë, sikurse tha?” Jo, ata vepruan si shumë drejtues të tjerë fetarë kur ka një problem: mbajtën një mbledhje.

Në mbledhjen e tyre, ata u përpoqën të kishin një plan si do përballeshin me problemin e varrit të boshatisur.  Opsionet ishin të kufizuara. Sigurisht që opsioni më i mirë, ishte të siguronin trupin e vdekur të Jezusit dhe ta shfaqnin para të gjithëve. Kjo me siguri do të ndalonte thashethemet se Ai ishte gjallë sërish. Por trupi ishte larguar, dhe nuk mund të gjendej askund. Kështu ata menduan një mënyrë tjetër. Kontrollin dëmtues. Nëse nuk mund të kishin trupin, atëherë do të duhet të paraqiteshin me një histori para njerëzve. Pastaj duhet të siguroheshin që historia do të përhapej shpejt.

Ata kishin nevojë për tri komitetet: një komitet në fondet sekrete, një komitet për propagandën, dhe një komitet mbi marrëdhëniet qeveritare. Të tre këto komitete kishin përvojë.

Komiteti mbi fondet sekrete së fundmi i kishte paguar Judës 30 monedha argjendi që ta tradhtonte Jezusin. Tani komiteti i fondeve, duhet të gërmonte më thellë dhe të mblidhte aq para sa t’ia mbushte mendjen rojeve të ndryshonin historinë e tyre.

Komiteti i propagandës kishte përhapur histori mes turmës dhe kishte bërë një kërkesë të çmendur që ishte: kryqëzimi i Jezusit dhe çlirimi i një terroristi me emrin Baraba. Tani komiteti i propagandës, duhet të plekste historinë që të dukej bindëse për popullin. Lajmi më i mirë që mundën të shpiknin ishte se: rojet i zuri gjumi dhe dishepujt e Jezusit erdhën dhe vodhën trupin e Jezusit.

Sigurisht, kjo histori kishte probleme të mëdha. Ishte e pamundur që tërë rojet të flinin ndërkohë që bie një tërmet dhe një gur i madh rrëzohet duke bërë zhurmë tronditëse! Dhe nëse ishin në një gjumë aq të rëndë, si e kuptuan që ishin pikërisht dishepujt e Jezusit ata që vodhën trupin? Si i panë ata dishepujt e Jezusit me sytë mbyllur, ndërkohë që flinin?

Historia u bë më pak e besueshme ndërsa dishepujt e Jezusit, ishin të gatshëm të shkonin në burg apo të vriteshin, në vend që të mohonin se kishin parë Jezusin gjallë. Nëse ata ishin thjesht vjedhësit e varrit, pse do të vdisnin për hir të një mashtrimi? Historia për dishepujt që vodhën trupin kishte shumë mangësi, por ishte më e mira që shpiku komiteti i propagandës. Ndoshta ata bazoheshin te fakti që njerëzit të cilët janë të vendosur të mos besojnë në diçka, do të besojnë pothuajse çdo lloj shpjegimi, pavarësisht se sa qesharak mund të jetë.

Për këtë duhej edhe një komitet tjetër, ai i marrëdhënieve qeveritare. Po sikur historia t’i kthehej guvernatorit? Pilati mund t’i nxirrte në gjyq ushtarak për faktin se ushtarët kishin fjetur në krye të detyrës. Asnjë ushtar nuk do të donte të rrezikonte  një gjyq ushtarak. Ushtarët nuk do të thoshin se ishin në gjumë, po të mos siguroheshin se nuk do kishin telashe. Këtu hyn në skenë komiteti i marrëdhënieve qeveritare. Pilati! Për të nuk ia vlente të shqetësoheshe. Komiteti e dinte se si të merrej me të. Ata e kishin bërë që Pilati ta vriste Jezusin, po ashtu tu jepte një togë me ushtarë. Me siguri do dinin si të merreshin me të edhe kësaj here. Komiteti i premtoi ushtarëve se nuk do të kishin probleme me guvernatorin. Veç kësaj, a do të ishin rojet të aftë ta bindin Pilatin për një histori që ngjante me historinë e UFO- ve?

Fundja, ky ishte plani më i mirë i mundshëm. Ky plan rojet i mbajti larg telasheve dhe i bëri ata më të pasur. Ai i ofronte popullsisë mundësinë për të besuar se dishepujt e Jezusit ishin vjedhësit e varrit, në vend që të  përballeshin me frikën se njeriu që ata kryqëzuan, ishte edhe vjedhësi i varrit.

Kjo histori i ofronte Pilatit një mundësi për të mbyllur një sy, si zakonisht. Ndërsa priftërinjve i ofronte teorinë që t’i shpëtonte nga besimi i diçkaje të paimagjinueshme. Nuk kishte mundësi që Jezusi të ishte gjallë! Dishepujt e tij duhet ta kenë vjedhur trupin e Tij te varri! Me siguri ata e kishin vjedhur!

Gënjeshtër e madhe apo urdhërimi i madh?

Ende sot ka drejtues fetarë të cilët do të besonin gjithçka për pashkën përveç faktit se Jezusi u ringjall me të vërtetë prej së vdekurish. Pseudo- studiuesit dhe predikuesit e rremë, që nuk mundohen të shpjegojnë ringjalljen, për sa kohë që karriera e tyre vazhdon për bukuri.  Ende sot ka turma njerëzish të cilët do të besonin më mirë, që Zoti ndaj të cilit ata mëkatojnë është i vdekur, se sa të besonin se Zoti ndaj të cilit mëkatojnë, vdiq por u ringjall dhe do të vijë sërish një ditë për të gjykuar të gjallë e të vdekur.  Ende sot, ka njerëz që e duan punën, si për shembull, ushtarë, të cilët interesohen më shumë të qëndrojnë larg telasheve me shefin e tyre, apo si të bëjnë ca para më shumë, se sa të pranojnë faktin se ngjarja më e madhe në univers ka ndodhur para syve të tyre.

Por ende sot ka njerëz të cilëve Perëndia ua zbulon të vërtetën. Ende sot, ka njerëz të cilët e përjetojnë pashkën me gëzim. Ende sot ka gra të cilat gëzohen që Jezusi jeton dhe, ato e adhurojnë atë. Ende sot, ka burra të cilët, pavarësisht mëkateve dhe dështimeve të tyre, zbulojnë se Jezusi i quan ata vëllezërit e tij.

Një prej ironive më të mëdha të regjistruara në Bibël, është kur varri i Jezusit, mbeti bosh. Njerëzit e të dy palëve, si armiqtë e Jezusit ashtu edhe miqtë e tij thanë se trupi i Tij ishte vjedhur. Secila palë fajësonte tjetrën. Armiqtë e Jezusit fajësuan dishepujt e Tij që e kishin vjedhur trupin, ndërsa miqtë e Jezusit, fillimisht akuzuan armiqtë e Tij që kishin marrë trupin. (Gjoni 20:13) Kjo zgjati derisa Jezusi vetë u shfaq dhe u tregoi të vërtetën. Ç’është e vërteta një vjedhës duhej fajësuar për këtë. Dhe ai vjedhës as do të kapej e as do të hidhej në burg ndonjëherë. Dishepujt e Jezusit, nuk e vodhën varrin. Armiqtë e Jezusit nuk e vodhën varrin. Jezusi vetë e vodhi varrin. Ai plaçkiti fuqinë e vdekjes dhe u largua. Kur u largua prej varrit, ai mori me vete miliona besimtarë të cilët do të kenë trupa të lavdishëm si trupi i tij i ringjalljes.

Drejtuesit fetarë iu përgjigjën varrit bosh, duke shpikur gënjeshtrën më të madhe. Kjo ishte: dishepujt e vodhën trupin. Por Jezusi e hodhi poshtë këtë gënjeshtër të madhe me Urdhërimin e Madh. Ai i dërgoi dishepujt e Tij nëpër botë të thonin të vërtetën. Zoti i ringjallur erdhi dhe i bindi që ai ishte gjallë, dhe i tha:”Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen”. (Mateu 28:18-20)

Po ti çfarë pranon, gënjeshtrën e madhe apo urdhërimin e madh? A beson se dishepujt e Jezusit e vodhën trupin dhe gënjyen për ringjalljen e Tij? Apo beson se Jezusi u ngrit prej vdekjes dhe i urdhëroi ata të shkonin e të predikonin nëpër botë e ta shkruanin këtë në Bibël? Mos prano gënjeshtrën; përndryshe është njëlloj sikur ia bën varrin vetes. Beso në Krishtin e ringjallur, pagëzohu, bindu urdhërimeve të Tij dhe bashkoju Atij vjedhësi të madh të varrit, i Cili e mposhti vdekjen.

Komente

komente