Zgjedhja e shoqërisë tënde

Titulli: Zgjedhja e shoqërisë tënde (pjesa 1)

E di se çfarë? Unë e di se çfarë do të ndodhë me ty në të ardhmen. Edhe sikur të mos të të kisha takuar asnjëherë më parë, e të mos dija asgjë për ty, mund të tregoj diçka ku mund të mbështetesh për të parashikuar të ardhmen tënde.

A jam unë një drejtues fetar me fuqi të veçanta? A jam një parashikues fati me një sferë të kristaltë? Mos vallë studioj horoskopin? Jo, por unë mund të parashikoj gjithsesi si do të jetë e ardhmja jote. Ja se çfarë duhet të bësh. Shiko se kush janë shokët e tu dhe si janë ata. Kështu do të mund të kuptosh shumë mirë se kush do të jesh ti në të ardhmen.

Më beso: për të kuptuar se çfarë të ardhme do të kesh, harroji drejtuesit fetarë, sferat e kristalit, fallxhorët apo horoskopin dhe, thjesht shiko me vëmendje miqtë me të cilët shoqërohesh.

Mos vallë po e ekzagjeroj fuqinë e faktorit miqësi? Jo, unë po them të vërtetën. Nëse shoqërohesh me miqtë e duhur, kjo do të bëjë ty një person më të mirë dhe, do të japë një të ardhme më të mirë. Nëse ke shokët e gabuar, kjo do ta shkatërrojë karakterin tënd dhe do ta rrënojë jetën tënde. Kjo nuk është vetëm teoria ime, por është ajo që thotë Zoti. Bibla thotë te Fjalët e Urta 13:20 “Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.”

Më kujtohet një njeri që ishte provë e gjallë e kësaj. Ai ishte atlet në rininë e tij. Pjesën më të madhe të kohës e kalonte me çuna që përdornin fjalor të ndyrë dhe talleshin me të krishterët, pinin alkool dhe binin me vajza të ndryshme në shtrat sa herë që i krijohej mundësia. Me miq si këta, vështirë se bën armiq!

Brenda pak vitesh, ky njeri filloi të vidhte me qëllim që të mbështeste zakonin e drogës. Ai la shtatzënë një vajzë dhe më pas pagoi që ajo të abortonte fëmijën e saj duke vrarë kështu të vetmin fëmijë që i kishte dhënë atij statusin e babait.

Një herë, kur nuk ishte esëll, ai humbi një prej këmbëve të tij në një aksident. Ndaj tani, në vend që të jetë atlet, ai sillet rrotull me një gjymtyrë artificiale. Ai është prova më bindëse se” shoku i budallenjve do të bëhet i keq.”

Por unë jam i lumtur të them se njëkohësisht ai është provë e gjallë se” Kush shkon me të urtët bëhet i urtë.” Disa vite më parë, kur gruaja e tij ishte nën rrënoja, kuptoi më në fund se diçka duhet të ndryshonte tek Ai. Prandaj në vend që të vinte vërdallë me miqtë e tij të alkoolizuar dhe të droguar, ai filloi të kalonte kohë me Alkoolistët Anonimë, një grup njerëzish të cilët nxisnin njëri-tjetrin që të qëndronin esëll. Alkoolistët Anonimë e ndihmuan atë të bëhej më i mençur dhe të qëndronte esëll.

Sigurisht që qëndrimi esëll është i rëndësishëm, por jeta ka shumë më tepër se sa thjesht shmangien e alkoolit dhe drogave. Ky njeri ndiente ende në shpirt një boshllëk, kështu që filloi një kërkim shpirtëror. Ai provoi kristalet. Ai shkoi në seminaret e Lëvizjes Epoka e Re. Po kështu u shoqërua me anëtarë kultesh të cilët flisnin shumë për “spiritualitetin.” Por të gjitha këto, veç sa e bënë atë të ndihej më i dëshpëruar dhe bosh. Në fund ai takoi disa ndjekës të Jezusit. Ai filloi të shkonte në kishë dhe të kalonte kohë me të krishterët e tjerë. Zemra e tij filloi të ndryshonte. Pas kësaj ai u pendua për gjitha gjërat e mëparshme dhe vendosi të besonte te Jezusi. Kur foli me mua ai qau me trishtim për të shkuarën, por njëkohësisht qau nga gëzimi për ndryshimin që Jezusi kishte bërë në jetën e tij dhe, më tregoi mënyrën se si pastori dhe të krishterët e tjerë e kishin ndihmuar atë të gjente një jetë të re.

Më lejo ta them edhe një herë: nëse dëshiron të dish të ardhmen tënde, hidhi në sy miqve të tu. Nëse miqtë e tu janë me të vërtetë të mençur, e ardhmja jote do të shkëlqejë. Por nëse miqtë e tu janë budallenj, e ardhmja jote do të jetë e zbehtë. ” Kush shkon me të urtët bëhet i urtë, por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.” Pra nëse do që të ndryshosh të ardhmen tënde, atëherë kam veç këto fjalë për të thënë: GJEJ MIQ TË RINJ!

Nëse dëshiron që të çlirohesh prej varësisë së alkoolit, kjo nuk ka për të ndodhur nëse vazhdon të shoqërohesh me të njëjtët pijanecë. Gjej miq të rinj, njerëz që janë të përkushtuar të qëndrojnë esëll. Këta njerëz janë të mençur dhe dinë se si të merren me varësinë dhe, mund të ndihmojnë ty të bëhesh i mençur.

Nëse vazhdon të hapësh telashe me ligjin, është e kotë të fshehësh veprimet e tua, nuk ke për t’ia dalë mbanë kurrë, nëse vazhdon të shoqërohesh me po atë grup çunash që hapnin telashe. Gjej miq të rinj, njerëz të cilët qëndrojnë larg problemeve dhe punojë shumë, njerëz që e trajtojnë njeri-tjetrin me respekt dhe dashuri.

Nëse ke dyshime dhe të duket e vështirë t’i besosh Perëndisë, nëse ndihesh sikur je larg Jezusit dhe dëshiron të qëndrosh më pranë Tij, kjo nuk ka për të ndodhur nëse vazhdon të shoqërohesh me njerëz që tallen me Perëndinë, apo mendojnë se janë më të zgjuar apo më të sofistikuar se Ai. Gjej miq të rinj, njerëz të cilët e duan Zotin Jezus dhe, jetojnë sipas Biblës.

Shoqëria e duhur

Më lejo të bëj ty një pyetje: Cilët janë miqtë e tu këto kohë? Me kë e kalon pjesën më të madhe të kohës? Idetë e kujt i merr seriozisht? Kujt ke qejf t’ia plotësosh dëshirat? Kë ke frikë se mos e lëndon? A janë shokët e tu njerëz të mençur, që po të bëjnë më të zgjuar, apo janë njerëz të marrë, që të çojnë drejt së keqes? A i ke zgjedhur me kujdes miqtë e tu, apo je gjendur në turmën e gabuar?

Nuk ndodh menjëherë që të bashkohesh me turmën e gabuar. Ti fillon të tërhiqesh pak e nga pak. Bibla flet për  “ecjen” së pari me turmën e gabuar, më pas shoqërohesh me ta dhe në fund “qëndron” me ta duke kaluar më shumë kohë, dhe më pas zë rrënjë në atë shoqëri.

Nëse dëshiron të kesh një të ardhme të shkëlqyer dhe të shijosh bekimet e Perëndisë, do të shmangësh gjithë pasojat dhe do të refuzosh në çdo fazë që të përzihesh me një shoqëri të keqe. Psalmi 1 thotë ” Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.” (Psalm 1:1-2) Me fjalë të tjera, lumturia vjen kur shmang miqësitë e këqija dhe në vend të tyre e sheh Perëndinë si mikun më të ngushtë, kalon kohë me Të, i fokusuar tek Ai dhe vullneti i Tij.

Miqtë ndikojnë zgjedhjet që bëjmë. Më kujtohet një udhëtim që bëra me shkollën, në adoleshencën time të hershme. Ne kishim në program të vizitonim një fabrikë, një muze dhe, disa vende të tjera të rëndësishme. Përveç këtyre në programin tonë përfshihej edhe një vizitë në një qendër tregtare. Prindërit më dhanë një shumë të vogël parash dhe unë u mundova ta shpenzoja me shumë kujdes. Blerja ime e parë ishte një pistoletë me ujë, sepse një pistoletë me ujë është shumë e rëndësishme për sukses në jetë, dhe arsyeja tjetër pse e bleva ishte se gjithë shokët e mi blenë një pistoletë. Blerja ime e dytë ishte një kapelë inxhinieri, sepse kjo është shumë praktike dhe moderne si kapele dhe për më tepër të gjithë shokët e mi e blenë një. Blerja ime e tretë ishte një revistë FATOSI, sepse kjo revistë letrare ishte shumë e njohur atëherë, por edhe sepse të gjithë shokët e mi e blenë një.

Ne të gjithë priremi të sillemi ashtu si shokët tanë, apo jo? Nuk është një problem dhe aq i madh kur bëhet fjalë për të blerë një pistoletë uji, një kapele apo një revistë.

Por në pamjen e gjerë, bëhet problem shumë i madh nëse nuk jemi si shokët tanë. Shoqëria mund të na ndikojë për mirë por edhe për keq. “Ai që ec me të drejtët bëhet më i mençur” thotë Bibla,”por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.”

Çfarë është ajo gjë që e bën shoqërinë të ketë kaq ndikim të madh tek ne?

Për më shumë rreth kësaj pyetje do të ndalemi herën tjetër duke analizuar arsyet së bashku, të ilustruara me situata të ndryshme. Veç kësaj do të ndalemi te zgjedhja e shoqërisë romantike. Do t’i japim përgjigje pyetjes: “është më mirë të jesh beqar e të duash të lidhesh, apo të jesh i lidhur dhe më pas të doje të ishe beqar?” Si të tregohemi të mençur në zgjedhjen e partnerit të jetës? Për të gjitha këto na ndiqni në programin tonë të radhës.

Komente

komente