Zgjedhja e shoqërisë tënde

Titulli: Zgjedhja e shoqërisë tënde (pjesa 2)

Arsyet pse kemi nevojë për shoqëri janë shumë: Së pari, ne duhet të kuptojmë se secili prej nesh është ndërtuar me një nevojë të brendshme për shoqëri.

Perëndia e projektoi secilin prej nesh për të pasur miqësi, miqësi me të dhe me njerëzit e tjerë. Perëndia nuk na projektoi që të jemi njerëz të vetmuar. Ti ke nevojë që të jesh me njerëz të tjerë. Ti ke nevojë për shoqërinë e tyre. Ti ke nevojë për inkurajimin e tyre. Ti ke nevojë për shokë.

Pyetja është se çfarë lloj miqsh kemi? Nëse je një fëmijë, a janë prindërit e tu shokët më të ngushtë që ke, të cilët të nxisin të jesh person sa më i mirë të mundesh, apo shokët e tu janë një tufë kalamajsh që thjesht dëshirojnë të bëjnë siç ua ka qejfi?

Nëse je adoleshent, a kalon kohë me prindërit e tu dhe i trajton ata si shokë? Po në lidhje me moshatarët e tu çfarë mund të thuash? A janë ata njerëz që u rrinë larg telasheve, apo dehen çdo fundjavë? A janë ata anëtarë të një bande rrugaçësh apo janë të krishterë? A të shtyjnë ty drejt drogës dhe seksit apo drejt leximit të Biblës dhe lutjes? Nëse je i rritur, a fokusohen miqtë e tu te shtëpitë e mëdha, pushimet luksoze, apo janë njerëz me prioritetet e duhura dhe me fokus te Perëndia?

Shoqëria ka aq shumë rëndësi sa që nëse mbetesh vetëm, me shumë mundësi do të biesh pre e personit të parë që shfaq interes për ty. Por kjo është e gabuar. Më mirë të presësh për mikun e duhur, derisa ai të vijë, se sa të shoqërohesh me miqtë e gabuar.

Fjalët e Urta 12:26 thotë: “I drejti e zgjedh me kujdes shokun e tij, por rruga e të pabesëve i bën që të humbasin.” (Fjalët e Urta 12:26) Fjalët e Urta 18:24 thotë, ” Njeriu që ka shumë miq duhet gjithashtu të tregohet mik, por është një mik që është më i lidhur se një vëlla.” (Fjalët e Urta 18:24)

Mos u nxito që të bësh miq. Gjëja më e keqe që mund të bësh nuk është të mos kesh miq, por të kesh miqtë e gabuar. Mos ji kaq në ankth për një miqësi, sa që do të bësh gjithçka që të përshtatesh me njerëzit e parë që sillen mirë me ty. Miqtë e rremë gjenden kollaj, një mikë i vërtetë është shumë herë më i rrallë. Sikurse e thotë edhe Bibla: ” Shumë njerëz shpallin mirësinë e tyre; por kush mund të gjejë një njeri besnik?” (Fjalët e Urta 20:6) Prandaj zgjidhi miqtë e tu me shumë kujdes. Gjej miq që janë besnikë: besnikë ndaj Jezusit dhe ndaj njerëzve të tjerë. Besoji vetëm miqve të cilëve ti dëshiron tu ngjash, sepse kështu ka për të ndodhur, edhe ti do të bëhesh si miqtë e tu.

Shoqëria romantike

Miqtë, të ndikojnë ty, por njëkohësisht i japin formë të ardhmes tënde. Kjo është e vërtetë për çdo lloj shoqërie, po aq e vërtetë është për shoqërinë romantike.

Nëse kultivon romancën me një njeri të zgjuar, do të bëhesh i zgjuar. Nëse kërkon romancën me një njeri budalla, pasojat do t’i vuash vetë. Ti mund të jesh kaq i etur për një shok të seksit të kundërt sa që do të dalësh me personin e parë që shfaq interes për ty. Por është më mirë të jesh beqare apo beqar e të duash të lidhesh, se sa të jesh i lidhur dhe më pas të dëshirosh të jesh beqar apo beqare. Bibla thotë: “Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët, sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë?” (2 Korintasve 6:14-15)

Ti mund të tundohesh që ta vazhdosh një marrëdhënie ndonëse e di se është e gabuar. Ti lidhesh me personin e gabuar dhe më pas i thua vetes se mund ta ndryshosh duke e kthyer në personin e duhur për ty.

Por kjo shpesh çon në situata çmendurie. Për shembull, një vajzë del me një djalë jo të krishterë dhe i lutet atij të shkojë në kishë me të. Më në fund ai pranon. Ai shkon në kishë që ta bëjë atë të lumtur, dhe pas kishe ata shkojnë në shtëpinë e tij dhe bien në shtrat së bashku. Si mendon a po e drejton ajo vajzë të dashurin e saj te Krishti ? Jo, nëse po i mëson ndonjë gjë atij, kjo gjë është hipokrizia. Po kështu ajo po tregon se preferon t’i pëlqejë atij më shumë se sa Perëndisë.

Shoqëria romantike bëhet akoma më e rëndësishme kur arrin kulmin e saj, martesën. Martohu me një person të mençur dhe do të bëhesh edhe ti i mençur; martohu me një njeri të marrë dhe do t’i vuash vetë pasojat.

Kam folur me një numër të madh njerëzish që kishin mësuan rrugët e Perëndisë qysh fëmijë, por jeta e të cilëve është shkatërruar duke u martuar me njeriun e gabuar. Disa madje kanë rënë plotësisht nga kisha dhe Perëndia, të tjerët kanë qëndruar në besim por kanë përfunduar kaq keq me partnerin e tyre jobesnik, sa që të dy ndihen të mjerë.

Disa nga këtë njerëz e dinin para kohe se martesa e tyre ishte e gabuar. Në fakt, disa prej tyre u lutën dhe i thanë Perëndisë se ata do të martoheshin, pavarësisht se e dinin se Perëndia ishte kundër asaj martese. Ata i thanë Perëndisë se kishin nevojë për këtë person, e i kërkuan Perëndisë që ta bekonte këtë martesë gjithsesi dhe të mos lejonte që kjo martesë që binte ndesh me të, të çonte në telashe që ata nuk do mund t’i përballonin.

Si mendon se i përgjigjet Perëndia një lutjeje si kjo? Nëse këta njerëz të shkatërruar dhe qaramanë, me të cilët kam folur kanë shërbyer si shembull për ty, do të sugjeroja të mos presësh nga Perëndia që ta kthejë mosbindjen tënde në një përvojë të këndshme për ty.

“Por shoku i budallenjve do të bëhet i keq.”-kjo është akoma më e vërtetë, kur ti me dijeninë tënde vendos të martohesh me një person që e di se është personi i gabuar për ty.

Këtu do të ndahemi bashkë, Mos harroni të na ndiqni herën e ardhshme, i drejtohem veçanërisht juve që jeni studentë sepse do të flasim për shoqërinë e konviktit.

Pasi jeni më në fund plotësisht të lirë nga çdo presion, mund të zgjidhni çfarë shoqërie të doni. Cila do të ishte shoqëria më e përshtatshme për ty? Për këtë na ndiqni në programin tonë Fjalët e Shpresës, herën e ardhshme në të njëjtën orë.

Komente

komente