Zotëria me emrin Ndoshta

Titulli: Zotëria me emrin Ndoshta (pjesa 2)

Historinë mund ta gjeni te  Veprat kapitulli 5. Kur e dëgjon këtë histori, mund të mendosh se Gamalieli ishte një nga heronjtë më të mirë. Nëse po, atëherë nuk je i vetmi. Disa studiues të Biblës flasin për të kështu: Gamalieli ishte një prej djemve të mirë. Ai është zëri i tolerancës në këtë turmë vrasëse.

Por a është zotëria me emrin Ndoshta, realisht heroi i historisë?

Dakord, në histori duket sikur ai beson në lirinë fetare të një grupi. Por a e vure re se para se të rekomandojë që të qëndrojë neutral, Gamalieli së pari tregoi se si Mesiat e vetëshpallur po hiqeshin qafe prej ushtrive të Romës? Pra a ishte Gamalieli me të vërtetë neutral? Apo po thoshte se nuk ishte nevoja të përlyenin duart e tyre me gjak, kur kishin ushtrinë romake që mund të bënte punë të pista për ta? A po tregohej i ndjeshëm apo thjesht cinik? “Leri rehat këta njerëz! Leri të shkojnë!” tha ai. Duket i tolerant sa duhet, por realisht a nuk po thoshte ai, “Jepu litarin që u duhet, që ta varrin veten vetë, në të kundërt do t’i varë Roma.”

Sigurisht që, Gamalieli nuk mund ta linte me kaq: të qenurit zotëria me emrin Ndoshta dhe një njeri fetar. Ai duhet tu jepte një mundësi tjetër, të paktën në teori. Nga këndvështrimi njerëzor, këta peshkatarë dhe të tjerët që ishin ca askushë të pashkolluar, ndjekës të Jezusit, ishin gati të dështonin. Nuk kishte asnjë mënyrë që ata t’ia dilnin mbanë, ndoshta mund t’ia dilnin, po ndoshta mund t’ia dilnin, vetëm nëse Perëndia do të ishte në anën e tyre, sikurse thanë ata. Sigurisht që nuk ishte e thënë të ndodhte kështu, por askush nuk duhet ta lejonte këtë në teori. Edhe sikur të ishin mundësitë më të vogla që Perëndia të ishte me ta, nuk do të ishte aspak gjë e mençur të luftoje kundër tyre.

Të paktën në teori e gjitha kjo kishte kuptim. Dhe kjo është ekzaktësisht arsyeja pse zotëria me emrin Ndoshta i la të lirë këta ndjekës të Jezusit: bazuar në teorinë e tij. Ai e dha fjalimin e Tij, dhe kaq mbaroi. Çfarë mund të bënte më shumë ai? Kur apostujt u rrahën në mënyrë kafshërore, Gamalieli u ul në heshtje. Ai nuk ishte gati të rrezikonte që të lëndohej duke qëndruar mes tyre dhe kamxhikut.

Po më pas? Zotëria me emrin Ndoshta, përmendi në fjalimin e tij mundësinë teorike se Perëndia mund të ishte me apostujt, por a kaloi ndopak kohë me ta pas kësaj për të zbuluar nëse ata kishin lidhje vërtet me Perëndinë ose jo? A u mundua të mësonte më shumë për Jezusin prej tyre? Jo me sa dimë ne.

Me sa duket, zotëria me emrin Ndoshta, nuk ishte i interesuar për të zbuluar nëse Jezusi ishte ringjallur me të vërtetë ose jo. Si farise që ishte, Gamalieli besoi (në teori të paktën) që Perëndia do të ngrinte të vdekurit e do t’i kthente në jetë. Por kur apostujt folën për ringjalljen jo në teori por në praktikë, Gamalieli nuk shfaqi interes. Ai nuk u shqetësua për të zbuluar nëse historia e tyre ishte e vërtetë ose jo. Ai nuk i peshoi provat. Ai nuk shkoi te dëshmitarë të ndryshëm, që kishin parë Jezusin të gjallë. Ai qëndroi i ftohtë dhe neutral. Ai nuk kishte dëshirë të mësonte për Krishtin e ringjallur.

Ne jetojmë në një kohë kur konsiderohet si virtyt të mos mbash krahun e askujt. Çelësi për t’ia kaluar mirë me të gjithë është që asnjëri prej nesh të bëhet serioz për diçka. Zotëria me emrin Ndoshta, është heroi ynë. Ai me siguri duket më i mençur se fanatikët që sulmojnë, madje vrasin të tjerët për atë që besojnë.

Por a janë këto të vetmet zgjidhje, qoftë për ata që nuk kanë bindje të forta, qoftë për ata që duan të lëndojnë njerëzit me bindje të ndryshme? Jo, ka një mënyrë tjetër: mënyra e apostujve, e vetë Krishtit. Kjo nuk është mizoria fanatike, apo toleranca për hir të frikës, por besimi i patundur dhe kuraja për të vuajtur për hir të besimit. Apostujt nuk ishin fanatikë, që donin të vrisnin për hir të besimit të tyre; por ishin heronj, të gatshëm të vdisnin për besimin e tyre.

Kur krahasojmë Gamalielin me disa prej njerëzve gjaknxehtë rrotull tij, ai duket shumë i mirë. Por kur krahasojmë atë me apostujt e Jezusit, nuk duket dhe aq i mirë. Gamalieli mbajti fjalime dhe qëndroi neutral dhe nuk ndërmori rreziqe. Apostujt duke rrezikuar jetën e tyre i deshën armiqtë aq sa të ndanin ungjillin me ta dhe tu thoshin se Jezusi ishte e vetmja rrugë shpëtimi. (Veprat 4:12) Ata rrezikuan jetën e tyre për të folur për Krishtin madje u rrahën keq për këtë.

Por ata u gëzuan gjithsesi, thotë Bibla: “Kështu ata u larguan nga sinedri, duke u gëzuar sepse qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin e Jezusit… nuk pushonin duke mësuar dhe duke shpallur lajmin e mirë: që Jezusi është Krishti. ”

Pra kush është heroi këtu? Me siguri nuk është, zotëria me emrin Ndoshta. Nuk është njeriu që tha: “Me të parë me të bërë”, e më pas vazhdoi duke shpërfillur Jezusin dhe ndjekësit e tij. Jo! Heronjtë e vërtetë ishin ata që kishin aq shumë siguri për ringjalljen e Jezusit sa që ndanë Krishtin me të tjerët dhe ishin të gatshëm të vuanin për hir të tij. Ata e donin kaq shumë Krishtin e ringjallur, i donin edhe njerëzit e tjerë po aq shumë, sa që vazhduan të rrezikonin gjithçka me qëllim që të ndiqnin Krishtin dhe të ndanin Lajmin e Mirë me të tjerët. Maturia e zotërisë me emrin Ndoshta, nuk krahasohet para kurajës së dishepujve.

Para se të vazhdoj me diçka tjetër, le të bëjmë një pushim të shkurtër muzikor. Po flasim për zotërinë me emrin Ndoshta, një mësues tolerant. Po flasim për zotërinë me emrin Ndoshta, një mësues me emrin Gamaliel i  këshilloi drejtuesit e tjerë të mos vrisnin të krishterët, por ai vetë nuk kishte interes të njihte Jezusin.

Zotëria me emrin zemërim

Reagimi neutral i zotërisë me emrin Ndoshta, ndaj mesazhit të Krishtit të ringjallur mund ta ketë lënë atë shumë më larg mbretërisë së Perëndisë, se fanatikët që donin të vrisnin të krishterët. Kjo mund të duket çmenduri, por kini parasysh se çfarë ndodhi me një ish student të Gamalielit. Ky njeri ishte kaq i zemëruar me të krishterët sa që kundërshtoi mesazhin e tyre dhe kundërshtoi këshillën  e mësuesit të tij. Nëse Gamalieli ishte zotëria me emrin Ndoshta, atëherë ky njeri ishte zotëria me emrin Zemërim. Në vend që t’i linte rehat të krishterët, sikurse sugjeroi Gamalieli, ai vazhdoi të mbikëqyrte vrasjen e martirit të parë të krishterë dhe më pas bëri ç’ishte e mundur që të vriste edhe të tjerët që ishin në listën e tij.

Por këtij njeriu, Saulit nga Tarsi dhe jo Gamalielit, do t’ia shfaqte veten Jezusi! Saul vrasësi, mori një emër të ri dhe një zemër të re, dhe u bë apostulli Pal. Ndërkohë, mësuesi i Palit, zotëria me emrin Ndoshta, nuk u kthye asnjëherë në besim, në Krishtin.

A ka mundësi që Jezusi të merrej me dikë që mundohet të jetë neutral me të? A është e mundur që Jezusi të shpëtonte më mirë zotërinë me emrin Zemërim, në vend që të shpëtonte zotërinë me emrin Ndoshta? Me sa duket zotëria me emrin zemërim reagon ndaj Jezusit në një mënyrë të dhunshme dhe negative, por të paktën reagon. Zotëria me emrin Ndoshta thjesht thotë se Jezusi mund të ketë të drejtë dhe më pas e shpërfill atë në anën praktike. Ai nuk do të lejojë asgjë që ta shkundë atë apo ta tronditë e ta detyrojë të reagojë. Atë nuk do ta tronditë as lajmi se Perëndia dërgoi Birin e Tij që të vdiste dhe më pas të ringjallej për ne.

Unë dyshoj se në këto çaste po i flas shumë zotërinjve apo zonjave me emrin ndoshta. Ti di pak për Jezusin, ke dëgjuar për ringjalljen e Tij, madje mund të jesh i prirur ta besosh. Por ti dëshiron të mbash një mendje të hapur. Ti je i gatshëm t’i lesh të krishterët të bëjnë atë që duan, për sa kohë nuk ndërhyjnë në punët e tua. Ku i dihet? Perëndia mund të jetë me ta. Ndërkaq nuk ke për të bërë asgjë radikale, si për shembull të bashkohesh me ta. Ndoshta Jezusi është i vërtetë, por ndoshta nuk është. Sido që të jetë, ti nuk je shumë i etur ta zbulosh këtë. Ti do të qëndrosh neutral.

Komente

komente