Zotëria me emrin Ndoshta

Titulli: Zotëria me emrin Ndoshta (pjesa 3)

Dëshiroj ta fillojmë programin tonë me një thënie nga Bleiz Paskal (Blaise Pascal). Ai dikur tha se “Ka vetëm dy kategori njerëzish të arsyeshëm: ata që e duan Krishtin me gjithë zemër, sepse e kanë gjetur Atë dhe ata që e kërkojnë Krishtin me gjithë zemër sepse nuk e kanë gjetur atë”. Nëse nuk e do Atë plotësisht, kërkoje plotësisht. Gamalieli nuk e bëri asnjërën nga këto. Ai nuk kishte dëshirë të kërkonte. Ai ishte nga ata njerëz që tolerojnë; ai tha një “ndoshta” të butë dhe të ftohtë. A po bën edhe ti të njëjtën gjë? A ke vendosur të mos jesh kundër Krishtit, apo për Të, apo thjesht do ta lësh në pritje?

Si mund t’i thuash “ndoshta” me qetësi dhe butësi lajmit që Jezusi vdiq për të fshirë mëkatet tona? Si mund të thuash se je neutral për ringjalljen e Jezus Krishtit? Si mund t’i rezistosh një lajmi si ky? Ti mund të besosh lajmin e ringjalljes me gëzim; apo mund ta kundërshtosh si një shaka të hidhur. Nëse je i pavendosur, të paktën mund të ndjekësh këtë çështje, e të kërkosh derisa ta zbulosh të vërtetën.

Nuk ka zonë neutrale

Por një gjë që nuk mund ta bësh është kjo: nuk mund të thuash “ndoshta” e më pas të shkosh në rrugën tënde.

Ky është reagimi më i keq i mundshëm ndaj Jezusit të ringjallur. Ti nuk mund t’i shmangesh kësaj. Nuk mund të qëndrosh në kufi. Nuk ka zonë neutrale ndaj Jezusit. Jezusi tha: “Kush nuk është me mua, është kundër meje.” (Mateu 12:30) Në fakt, qëndrimi në zonën neutrale, me një “ndoshta për Jezusin” e fyen Atë më shumë se sa një “Jo e zemëruar”.

Një gjë që Jezusi nuk e kapërdin dot është vaktësia. Ai nuk mund të tolerojë jo të krishterët që e lenë në pritje Jezusin dhe nuk mund të kapërdijë as ata që e konsiderojnë veten të krishterë por nuk kanë përkushtim apo dashuri të vërtetë ndaj Tij.

Jezusi dikur u tha besimtarëve të një kishe: ” Unë i njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose i ngrohtë!

Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime.” (Zbulesa 3:15-16)

Duket sikur shoqëria jonë e vlerëson tolerancën. Por çfarë lloj tolerance është kjo? Në tolerancën e shëndetshme, zemrat tona janë të ngrohta ndaj të tjerëve sa që refuzojmë tu bëjmë keq sado gabim ta kenë. Në tolerancën e sëmurë, zemrat tona janë kaq të vakëta ndaj Perëndisë dhe të tjerëve saqë nuk duam t’ia dimë nëse ata e nderojnë Perëndinë, apo e marrin shpëtimin e Tij. Doroti Sejërs (Dorothy Sayers) e shpreh kështu: “Në botë quhet tolerancë, por në ferr quhet dëshpërim. Ai mëkat që nuk beson në asgjë, nuk do t’ia dijë për asgjë, nuk dëshiron të dijë asgjë, nuk shijon asgjë, nuk gjen qëllim në asgjë, jeton kot, por mbetet gjallë sepse nuk ka diçka për të cilën do të vdiste”.

Ne kemi parë se si Gamalieli toleroi lajmëtarët e Krishtit të ringjallur por nuk tregoi aspak interes për lajmin e tyre. Tani le të kalojmë vëmendjen për pak te grupi i njerëzve që ishin më afër ringjalljes së Jezusit se Gamaliel: ushtarët që po ruanin varrin e Jezusit, mëngjesin që Ai u ngrit prej së vdekurish.

Ushtarët ishin pikërisht atje kur dheu u lëkund dhe engjëlli hapi varrin me një dritë si vetëtime. Ata ishin kaq të shtangur prej kësaj sa u ra të fikët dhe u rrëzuan përtokë. Kjo ishte një nga ato përvoja që ta ndryshojnë jetën! Por kur ushtarët erdhën në vete dhe panë varrin bosh, cili ishte shqetësimi i tyre më i madh? “Bobo, si do t’ua shpjegojmë këtë superiorëve tanë?” Ata kishin qëndruar veç disa centimetra larg ngjarjes më të madhe në univers, megjithatë e para gjë që ju shkoi në mendje ishte si do tu jepnin llogari shefave.

Ata shkuan te drejtuesit fetarë dhe i shpjeguan problemin. Drejtuesit i premtuan ushtarëve se do t’i mbanin jashtë telasheve me guvernatorin dhe, u mësuan atyre një gënjeshtër të thurur mirë që t’ia thoshin kujtdo që do të pyeste, madje edhe i dhanë një shumë të madhe parash. Si reaguan ushtarët? Ata u kënaqën shumë. Ata thanë: “Punë e madhe çfarë ndodhi te varri!

Ishte e çuditshme dhe mbinatyrore, por nuk do të bëjmë shumë pyetje, as nuk do të mundohemi të zbulojmë më shumë rreth këtij Jezusit. I shpëtuam shefave tanë, kjo ka rëndësi. Jo vetëm që nuk na qortuan, por morëm edhe para shtesë. Çfarë mund të duam më shumë?!”.

E çuditshme apo jo? Ti mund të jesh aq shumë i fokusuar në planet e tua të vogla, si mbajtja e punës dhe bërja e ca parave ekstra, sa që mund të jesh duke qëndruar para vendit ku u hap varri i Jezusit dhe të mos jesh realisht i interesuar për atë që ndodhi.

Miku im, si i je përgjigjur Jezusit të ringjallur? A je ti si ata ndjekësit e parë të Jezusit? A i ke besuar Krishtit të gjallë? A gëzohesh në privilegjin për të jetuar për Të, madje edhe për të vuajtur për Të, nëse është e nevojshme? A je kaq i emocionuar sa që nuk pret sa tu tregosh të tjerëve për Të?

Apo thjesht nuk je i interesuar? Ndoshta preferon të shpërfillësh Jezusin. Ndoshta ti shqetësohesh më shumë për javën tjetër se sa për përjetësinë. Je më i shqetësuar për shefin tënd, për biznesin dhe llogarinë bankare se sa për Perëndinë. A do të shpërfillësh ringjalljen e Jezusit dhe thjesht të rrëmbesh ato para dhe të thuash një gënjeshtër, ashtu si ata ushtarët e pamend?

Apo je më i butë, më i sofistikuar, ashtu si zotëria me emrin Ndoshta? Je tolerant. Je mendje hapur. Je kaq i zoti në të qenit neutral, sa që nuk reagon as pas lajmit se Biri i Perëndisë vdiq dhe u ringjall sërish.  Nëse ky është qëndrimi yt atëherë ke më pak arsye justifikimi se Gamalieli.

Nëse ngulmon duke e bërë heroin tënd zotërinë me emrin Ndoshta, atëherë a mund të të kujtoj ty diçka? Gamalieli kishte të drejtë të paktën për një gjë. Ai tha për ndjekësit e Jezusit: “sepse në qoftë se ky plan ose kjo vepër është prej njerëzve, ajo do të prishet, por nëse është prej Perëndisë, ju nuk mund ta prishni, sepse do të gjendeshit në luftë kundër vetë Perëndisë!”.

Nëse Perëndia nuk do të kishte qenë me atë grup të vogël të krishterësh, lëvizja e Jezusit do të ishte zhdukur. Njerëzit e paarsimuar nuk mund të dilnin kundër argumenteve të ekspertëve fetarë. Këta njerëz të varfër, këta fshatarë të pafuqishëm ishin të pambrojtur para përndjekjes së përgjakshme të perandorisë romake. Nëse do të kishin vetëm forcën dhe urtësinë e tyre, do të ishin të destinuar të dështonin dhe lëvizja e Jezusit ishte e destinuar të zhdukej.

Por nëse Perëndia ishte me ta, askush nuk do të ishte në gjendje t’i ndalonte ata të krishterë. Nëse zotëria me ermin Ndoshta na viziton ne sot, mendoj se edhe Gamalieli vetë do të pranonte se kisha e Jezusit kishte kaluar provën e kohës. Ky grup i vogël njerëzish të pafuqishëm është bërë një kishë e madhe dhe mbarëbotërore.

Këshilla e zotërisë me emrin Ndoshta ishte: “Me të parë me të bërë!”. Tashmë kanë kaluar dymijë vite. Edhe sa do të presësh? Edhe sa kohë të duhet për të parë?

Ti sot ke më shumë informacion, diçka që zotëria me emrin Ndoshta nuk e kishte. Ti e shikon se si një lëvizje që nuk mund t’i shpëtonte kohës, pa ndihmën e Perëndisë, tashmë ka mbijetuar dhe është rritur. Më shumë njerëz i janë përgjigjur me besnikëri Jezus Krishtit se sa çdo drejtuesi tjetër apo ideologjie.

Krishterimi është një veturë që nuk është përplasur. Kisha e Jezusit ndërron epokat, duke marrë vrull rrugës.

Dua sërish të të pyes, cili është reagimi yt ndaj Jezusit?

Mos u mundo të jesh neutral. Nuk ka zonë neutrale. Mos e “shpërfill” në thonjëza, Jezusin. Besoji Atij.

Mos thuaj ndoshta do t’i besoj. Thuaji Po!

Komente

komente