Të punosh mes luanëve

Titulli:Të punosh mes luanëve (pjesa 2)

Fillojmë pa humbur kohë. Lexojmë nga Danieli 6.

12  Kështu iu afruan mbretit dhe folën para tij për dekretin mbretëror: “A nuk ke nënshkruar një dekret në bazë të të cilit gjatë tridhjetë ditëve kushdo që do të bëjë një kërkesë drejtuar çfarëdo perëndie ose njeriu me përjashtimin tënd, o mbret, do të hidhet në gropën e luanëve?”. Mbreti u përgjigj dhe tha: “Kjo gjë është vendosur në pajtim me ligjin e medasve dhe të Persianëve, që nuk mund të ndryshohet”.”

Atëherë ata nisën përsëri të flasin përpara mbretit: “Danieli, që është një ndër të mërguarit e Judës, nuk tregon asnjë konsideratë për ty, o mbret, ose për dekretin që ke nënshkruar, por i drejton lutje tri herë në ditë Perëndisë të tij”.

14  Me të dëgjuar këtë, mbreti u hidhërua me të madhe dhe duke dashur në zemër të vet ta çlirojë Danielin, u përpoq deri sa perëndoi dielli ta shkëputë nga duart e tyre.

15  Por ata njerëz erdhën te mbreti duke bërë zhurmë dhe i thanë: “Dije, o mbret, që është ligj i medasve dhe i persianëve që asnjë dekret ose edikt i shpallur nga mbreti nuk mund të ndryshohet”.

Mbreti u zu ngushtë. Ai duhej të ruante autoritetin e tij dhe të zbatonte ligjin që sapo kishte vendosur.

Kështu mbreti e dha urdhrin dhe ata e sollën Danielin dhe e hodhën atë në gropën e luanëve.

Mbreti i tha Danielit: ” Perëndia yt, të cilit ti i shërben vazhdimisht, do të vijë vetë të të shpëtojë.” (v. 16)

“Një gur u mor dhe u vendos mbi grykën e gropës së hapur dhe pastaj mbreti e vulosi atë me unazën e tij dhe me unazat e fisnikëve të tij. Kështu situata e Danielit, nuk do të kishte asnjë mundësi manipulimi.

Atëherë mbreti u kthye në pallatin e tij, dhe kaloi natën pa ngrënë dhe pa asnjë argëtim. Madje as nuk mund të flinte.

Sapo agoi dita mbreti u çua dhe nxitoi për te gropa e luanëve. Kur iu afrua gropës, ai e thirri Danielin me një zë të dëshpëruar: ‘Daniel, shërbëtor i Perëndisë së gjallë, të Cilit i shërben vazhdimisht, a të ka shpëtuar Ai ty prej luanëve?’

Danieli u përgjigj ‘O mbret, jetofsh përjetë!

22  Perëndia im dërgoi engjëllin e tij që ka mbyllur gojën e luanëve, dhe ata nuk më kanë bërë asnjë të keqe, sepse kam dalë i pafaj përpara atij; por edhe përpara teje, o mbret, nuk kam bërë asnjë të keqe’.

Atëherë mbreti u gëzua shumë dhe urdhëroi që Danieli të nxirrej nga gropa. Kështu Danielin e nxorën nga gropa dhe nuk u gjet mbi të asnjë lëndim sepse kishte pasur besim te Perëndia i tij.”

Në rast se je një dyshues, ti mund të mendosh se mbijetesa e Danielit nuk ishte realisht një mrekulli. Ti mund të mendosh se luanët nuk ishin të rrezikshëm apo shumë të uritur për të sulmuar. Atëherë dëgjo se çfarë ndodhi më pas.

Pastaj mbreti urdhëroi që të silleshin ata njerëz që kishin paditur Danielin dhe i hodhën në gropën e luanëve, ata, bijtë e tyre dhe gratë e tyre. Dhe para se të arrinin në fund të gropës, luanët u hodhën mbi ta dhe copëtuan tërë kockat e tyre.

Me sa duket ata nuk ishin luanë dembelë dhe të miqësorë. E vetmja mënyrë që Danieli të mbijetonte ishte mbrojtja e Perëndisë dhe e engjëllit të Tij.

Çfarë tregon kjo histori e vërtetë, për punën mes luanëve, apo punën në situata që janë të vështira madje armiqësore? Le të shohim katër direktiva si të përballosh të punuarin në një vend të vështirë.

  1. Ji një person me parime.

Danieli ishte një person me parime, që nga dita e parë që shkoi për trajnim pune deri në ditën që vdiq. Qysh në moshë të re, Danieli tregoi shumë aftësi të mira dhe premtonte shumë për të ardhmen. Vite më parë, kur Danieli ishte i ri, ai u mor nga familja e tij në Jeruzalem dhe, u çua në Babiloni. Atje u trajnua që të punonte për mbretin babilonas. Por kishte një problem. Ky djalë i ri në programin trajnues duhet të hante ushqimin dhe të pinte pijet nga tryeza e mbretit.

Ushqimi dhe pija mbretërore, i ishte ofruar më parë perëndive pagane dhe shkelte ligjet për ushqimin, ligje që Perëndia ia kishte dhënë popullit në atë kohë.

Danieli mund të kishte thënë: “Unë nuk kam zgjedhje tjetër. Më mirë të ha dhe të pi atë që më japin.” Por në vend të kësaj Danieli vendosi që nuk do të ndoste veten. Ai i kërkoi shefit më të madh që të kishte një dietë ndryshe nga të tjerët. Fillimisht shefi e kishte me dy mendje, por Danieli e bindi që ta lejonte këtë gjë. Më pas Danieli dukej më i mbushur dhe më i shëndetshëm se gjithë djemtë e tjerë që hanin ushqim mbretëror.

Edhe sot të rinjtë përballen me zgjedhje të vështira. Në shkollë ju mund të ndieni presionin që të pajtoheni me ide që bien ndesh me krishterimin me qëllim që të merrni nota të mira. Ti mund të ndihesh presionin që tu bashkohesh festave ku ka dehje dhe seks të shfrenuar.

Kur ti fillon një punë, të thuhet se duhet të punosh edhe të dielën, ndërkohë që ti dëshiron të shkosh në kishë. Ty mund të të kërkohet të mashtrosh në cilësi dhe të gënjesh blerësit. Ndoshta mund të jesh tunduar të mendosh: ” Unë duhet të bëj atë që më kërkohet, përndryshe mora fund.  Që të ruaj suksesin duhet të sillem si pagan. Nuk kam zgjedhje tjetër.”

Por ti ke gjithmonë një zgjedhje. Ti mund të zgjedhësh të qëndrosh për parimet e tua, ose të heqësh dorë prej integritetit dhe të bësh atë që është më e lehtë.

Ti mund të zgjedhësh të qëndrosh për atë që është e drejtë, ose mund të shesësh shpirtin tënd. Pra guxo të jesh ndryshe.

Zgjedhjet që bën kur je i ri shpesh kthehen në zakone që të shoqërojnë për tërë jetën. Vendimet që merr tani formojnë karakterin tënd të ardhshëm, qoftë për mirë apo për keq.

Danieli qëndroi në parimet e tij qysh në rini, ndonëse kjo ishte e rrezikshme dhe, ky zakon e shoqëroi atë për tërë jetën. Vite më vonë, kur Danieli ishte plak dhe, rivalët e tij po rrëmonin në jetën e tij që të gjenin diçka për ta akuzuar, nuk mundën të gjenin asgjë.

E vetmja gjë që gjetën ishte fakti që ai jetonte sipas Fjalës së Perëndisë dhe lutej përditë.

Po ti? A i vendos parimet e perëndishme mbi pagesën, popullaritetin dhe promovimet? Në rast se punëtorët e tjerë do të spiunonin ty, a do të zbulonin se jeton sipas Fjalës së Perëndisë? Në rast se do të akuzonin se i shërben Perëndisë, a do të kishte mjaftueshëm prova për të të dënuar ty? Ji person i parimeve. Fillo ta bësh këtë sa më parë në jetën tënde dhe, qëndro i patundur në Zotin vit pas viti.

  1. Syno përsosmërinë pa justifikime.

Teksa Danieli qëndronte për parimet e tij, kërkonte njëkohësisht cilësi e përsosmëri në punë. Danieli mund të kishte nxjerrë një mal me justifikime për mos bërjen e asgjëje. Ai ishte marrë prej familjes dhe vendlindjes që në moshë të re. Ai ishte pjesë e një minoriteti të shtypur. Ai u përball me sulme për besimin e tij. Por a u ankua për këtë? A mendoi se meqenëse gjithçka ishte kundër tij nuk kishe shanse për të pasur sukses?! Jo, Danieli vendosi që të përdorte aftësitë e tij në maksimum në atë situatë që ishte.

Në Bibël thuhet se që në fillimet e trajnimit të Danielit, Perëndia i dha atij ” njohuri dhe mend në gjithë letërsinë dhe diturinë.” (1:17) Mbreti e gjeti të riun Daniel “ dhjetë herë më të mirë” se të ashtu quajturit ekspertë të gjithë mbretërisë së tij.

Ky kërkim për përsosmëri filloi në rininë e tij dhe  e shoqëroi Danielin në çdo fazë të jetës, përgjatë çdo ndryshimi dhe çdo shefi të ri. Gjatë kohës që ai ishte një burrë i vjetër, ai nuk po punonte më për babilonasit; Persianët kishin marrë vendin. Por Danieli vazhdonte të ishte më i zgjuari, më punëtori dhe, më i zoti ndër kolegët e tjerë. Kjo ishte arsyeja përse mbreti Dar dëshironte që Danieli të vendosej në krye të menaxhimit të punëve. Qysh në moshë të re, Danieli, nuk kishte kohë për justifikime. Ai ishte tepër i zënë për të dhënë më të mirën e tij.

Po ti çfarë po bën? A po synon përsosmëri, apo harxhon frymën me justifikime? A ankohesh për familjen tënde dhe për mënyrën si je rritur? A ja vë fajin për dështimet e tua, trajtimit të padrejtë, diskriminimit, shefave të rinj, punëtorëve të tjerë armiqësorë, a gjithçkaje tjetër që ta vështirëson punën? Danieli u përball me të gjitha këto, por ai studioi fort, u mundua të jepte më të mirën, dhe arriti gjëra të mëdha. Telashet e tua janë sfida që duhen mposhtur, nuk janë shfajësime për tu dorëzuar apo për të dalë keq. Ji një fitimtar, mos ji një ankues. ” Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit, duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit.”(Kolosianëve 3:23-24) Mos i thuaj vetes se ke të drejtë të varësh buzët apo ta bësh punën shkel e shko. Besoji Perëndisë dhe bëj absolutisht më të mirën. Syno përsosmërinë pa justifikime.

Komente

komente