Meditime – 1 Gusht

Lexoni nga Mateu 9:35-10:1

Kur të shikon Jezusi

Por duke parë turmat, pati dhembshuri për ta, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë. (v. 36)

Një herë, kur isha në Los Anxhelos bashkë me bashkëshortin tim, u çuam nga një kafe dhe po shkonim drejt hotelit. Rrugës kalojmë pranë një gruaje, e cila ishte mbledhur kruspull në një qoshe bashkë me pirgun e gjërave të saj. Shikimet tona u kryqëzuan dhe sytë e saj u dukën se thoshin: “A më sheh?”. Kjo pyetje nuk më hiqet nga mendja.

Kjo është klithma e turmës dhe e zemrës së çdo njeriu. Sytë e Jezusit nuk anashkalonin asgjë. Le të shohim pak disa vargje në vijim: “Dhe kur Jezusi e pa” (Luka 13:12); “Por ai vështronte rreth e qark për të parë atë që e bëri këtë” (Marku 5:32); “Dhe posa e pa” (Luka 7:13); “A e sheh këtë grua?” (Luka 7:44). Gjërat që Jezusi shikon e bëjnë atë të ketë dhembshuri.

“A më sheh?”. Një pyetje kjo që i bëjmë të tjerëve por edhe Perëndisë. Kur vazhdojmë të dyshojmë nëse na vërejnë apo jo, atëherë zgjedhim disa gjeste të padukshme, siç janë, vetëmbrojtja, fshehja, arratisja, preokupimi me interesat tona, ndrydhja, maskimi, pavarësia ekonomike apo shmangia. Kur duket se jemi të padukshëm, pavarësisht se në ç’gradë apo në ç’masë, Jezusi na shikon. Ai shikon të vërtetën dhe thellësinë e nevojës sonë. Ai i afrohet me dhembshuri nevojës sonë, në vend që t’i largohet.

Përgjatë dy javëve në vazhdim, ju ftoj të përjetojmë mënyrat me të cilat Perëndia është angazhuar, në mëshirën e tij, me gratë që ka parë. Do ta fillojmë me një histori te Zanafilla dhe më pas do të zhvendosemi te ungjijtë. Le të ecim bashkë me Jezusin për të parë ato që shikon ai.—Michelle Christy

Lutje: Zoti Jezus, na ndihmo të shikojmë ashtu si na sheh Ti dhe si angazhohesh me ne.


Komente

komente