Meditime 1 Qershor

Lexoni nga Mateu 5:3-10

Vajtues të lum

Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen. (v. 4)

Një vajzë e vogël, teksa po kryente një porosi, u vonua për t’u kthyer në shtëpi. “Pse u vonove”, e pyeti e ëma. Vogëlushja i shpjegoi se rrugës për në shtëpi kishte takuar një shoqe e cila po qante sepse kishte thyer kukullën e saj. Mamaja i tha – “Pra, ndalove ta ndihmoje që të rregullonte kukullën?”. “Jo”, iu përgjigj e bija, “ndalova që ta ndihmoja të qante”. Bota është e mbushur me vajza të vogla me kukulla të thyera, me djem të vegjël me kamionë të prishur, me të rinj me ëndrra të shuara dhe me nëna dhe baballarë me familje të shkatërruara. A do të gjejmë pak kohë për t’i ndihmuar të qajnë?

Këshilla e botës është: “Harrojini shqetësimet, jepini forca dhe jini të lumtur”. Por Jezusi na thotë të kundërtën: “Lum ata që vajtojnë”. Si do ta pranojmë ngushëllimin që na premton Jezusi nëse e ngurtësojmë zemrën dhe refuzojmë të vajtojmë me të tjerët, por vajtojmë vetëm për humbjen e rinisë, pasurisë apo të pushtetit tonë? Ne do ta marrim ngushëllimin atëherë kur të shkojmë përtej rehatisë sonë për të vajtuar për mëkatet tona dhe për ato që copëtojnë jetët e njerëzve. A jemi të gatshëm të qajmë me ta? Të ndajmë barrët që ata po mbartin?

Profeti Jeremia vajtoi për shkak të gjykimit të Perëndisë që po vinte mbi Jerusalem. Apostulli Pal derdhi lot shqetësimi për kishat, duke u lutur çdo ditë që do të kurseheshin nga mësuesit e rremë. Gruaja e rrugës i lau këmbët e Jezusit me lotët e saj. Të gjithë këta ishin vajtues që u bekuan nga ngushëllimi i Perëndisë.

Kini kujdes. Mos e lini vajtimin tuaj të kthehet në keqardhje për veten, në dëshpërim apo zemërim. Dilni nga shtëpia. Kthejeni qetësisht vajtimin tuaj në shërim për të tjerët.—Chic Broersma

Lutje: O Zot, unë e shmang vajtimin. Më mëso të vajtoj.


Komente

komente