Meditime – 10 Janar

Lexoni nga Psalmi 121
Kush më mbron?
ZOTI është ai që të mbron. (v. 5)

Programi i futbollit në qytetin tonë kishte nevojë për trajnerë, dhe, edhe pse nuk kisha luajtur kurrë futboll, pranova të ndihmoja me grupin e kopshtit të fëmijës tim. Sa e vështirë mund të ishte? Pas disa seancash stërvitore, i erdhi radha ndeshjes sonë të parë. Arbitri më pyeti: “Trajner, kush e mbron portën tuaj?”. As nuk e kisha idenë se për çfarë po më pyeste derisa një nga prindërit që rrinin në anësore më tregoi pak për pozicionin e portierit. Për këtë nuk ishim stërvitur fare. Por na rezultoi që portieri është goxha i rëndësishëm në futboll! Të shkretët kalamaj!
Ne të gjithë kemi nevojë për dikë që na mbron. Pa atë, ne jemi të pambrojtur. Psalmi 121 është një “Këngë e shtegtimeve”, një nga të shumtat që këndonin izraelitët ndërkohë që udhëtonin nga vende të largëta për të festuar Pashkën në Jerusalem. Ndërkohë që kalonin nëpër zona të rrezikshme të shkretëtirës, dielli përvëlues i lodhte gjatë ditës, ndërsa netët me hënë i ekspozonin ndaj kaçakëve të kodrave. Është e dukshme se si frika ka qenë një shoqërues i vazhdueshëm për ta. Dhe për këtë arsye psalmisti përsërit vazhdimisht se Zoti është ai që mbron Izraelin. Për shkak se Perëndia mbron, ata mund të flenë dhe të zgjohen përsëri (v. 8) pa pasur frikë nga kodrat, i nxehti apo hajdutët.
Perëndia, si mbrojtësi i besimtarit, premton se ai na mbron dhe se ruhemi për Perëndinë. Perëndia na ruan si xhevahir (1 Pjetrit 2:9-10), në mënyrë që të na japë trashëgiminë e shpëtimit tonë, e cila ruhet për ne në qiell (1 Pjetrit 1:4). A e shikoni çfarë intimiteti i jashtëzakonshëm dhe çfarë mbrojtje e padepërtueshme? Nuk është çudi që Romakëve 8:39 feston, duke thënë se në të gjithë krijimin nuk ka asgjë që “do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë”.—Jon Opgenorth

Ndërsa luteni, lavdëroni Perëndinë, atë që ju mbron.

Komente

komente