Meditime – 10 Maj

Lexoni nga Ruthi 1:1-18

E kundërta e shkeljes së kurorës

Kudo që të shkosh ti, do të shkoj edhe unë, dhe kudo që të rrish ti, do të rri edhe unë. (v. 16)

Nëse e kundërta e vrasjes është të japim jetën tonë për të tjerët, dhe nëse e kundërta e vjedhjes është zemërgjerësia, cila është e kundërta e shkeljes së kurorës? E kundërta më e dukshme ndaj urdhërimit: “Mos shkel besnikërinë bashkëshortore” (Eks. 20:13) është një besnikëri besëlidhje në martesë. Por ndoshta mund të shkojmë edhe më tej. Nëse shkelja e kurorës është shkelja e besnikërisë, atëherë çdo hap që marrim drejt ndërtimit të besimit, llogaridhënies dhe besnikërisë reciproke është një hap më shumë në drejtim të kundërt të kurorëshkeljes.

Në pasazhin e sotëm, si Naomi edhe Ruthi kanë humbur bashkëshortët e tyre. Ato nuk përkufizohen më përmes besëlidhjes së tyre martesore. Në kohën e tyre, martesa ishte gjithçka. Pa bashkëshortë, ato nuk kishin as status, as pronë e as gjëra të tjera. Me pak fjalë, ato nuk kishin asnjë gjë, përveç njëra-tjetrës. Por, ato vunë në praktikë besnikërinë, duke u angazhuar për të qenë ndihmë për njëra-tjetrën.

Urdhërimi i Perëndisë kundër shkeljes së kurorës është gjithashtu një urdhërim pro besnikërisë. E kundërta e shkeljes së kurorës nuk është thjesht kufizimi nga marrëdhëniet seksuale jashtë martesës. Por ka të bëjë me kultivimin e një ekosistemi të pasur të miqësisë së krishterë, të një ambienti të mbushur me Frymën ku besnikëria dhe dashuria reciproke i eliminojnë qoftë edhe dëshirat për tradhti. Historia e Ruthit dhe e Naomit na tregon se madje as na duhet të jemi të martuar për t’iu bindur urdhërimit të shtatë. Në çfarëdo kohe që e përkushtojmë veten ndaj njëri-tjetrit, duke treguar besnikëri dhe integritet, jemi duke jetuar brenda mirësisë së këtij urdhërimi.—Steven Rodriguez

Lutje: O Zot, më ndihmo t’i përkushtohem të tjerëve me besnikëri.


Komente

komente