Meditime – 10 Prill

Lexoni nga Luka 19:35-38

Një udhëtim i gjatë

I bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit! (v. 38)

Kam hipur një herë në gomar, për një xhiro në Izrael. Pagova 10 sikla (340 lekë). Pas dy minutash që kisha hipur isha gati të paguaja edhe 10 sikla të tjerë vetëm që të zbrisja. Gomari ka një shtyllë kurrizore të dalë e të mprehtë saqë pa dyshim e bën përvojën e hipjes aspak të kënaqshme. Kjo ishte xhiroja më e gjatë e jetës sime.

Sa e gjatë ishte xhiroja e Jezusit të dielën e palmave? Sa udhëtoi ai mbi atë kërriç? Nga njëra anë, jo shumë e gjatë. Parada e të dielës së palmave filloi në Malin e Ullinjve, gjarpëroi përmes luginës së Kidronit dhe pastaj iu ngjit kodrës deri tek portat e Jerusalemit, pra, rreth 1.5 kilometra. Jo edhe aq udhëtim i gjatë.

Por, nga ana tjetër, Jezusi kishte kaluar shumë peripeci. Mos harroni që e diela e palmave nuk ishte një incident i izoluar. Ajo ishte pika kulmore e një udhëtimi të gjatë që kishte filluar disa muaj më herët, kur Luka thotë: “ai drejtoi fytyrën prerazi të shkojë në Jerusalem” (9:51). Përgjatë rrugës, pati shumë pengesa, dhe shumë kundërshtime. Perëndia kishte një plan dhe Jezusi e pozicionoi më së miri veten në atë plan, duke i rezistuar të gjitha vështirësive përgjatë rrugës, dhe përfundimisht, duke e dorëzuar veten në kryq.

Ka çaste në jetë kur merrni një vendim për të ndjekur një rrugë të caktuar. Ndoshta është një vendim i marrë me shumë lutje për të pranuar një sfidë, që vazhdon të pëshpëritë emrin tuaj, ose për të ndjekur drejtimin e Perëndisë drejt një karriere të caktuar. Vendimi që marrim në këto çaste na lëshon drejt një udhëtimi me Perëndinë që na ndryshon ne, dhe të gjithë ata që ecin bashkë me ne. —Lou Lotz

Lutje: O Zot, më bëj gati për udhëtimin.

Komente

komente

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *