Meditime – 10 Shkurt

Lexoni nga Gjoni 9:1-41
Urdhëro pak baltë syve
Por një gjë di, që isha e verbër dhe shoh tani. (v. 25)

Një miku im drejtues kishe, u dha anëtarëve të grupit të tij të studimit të Biblës disa shirita pëlhure për të lidhur sytë dhe për t’i mbajtur ato ndërkohë që dëgjonin këtë histori nga Gjoni 9. Pas kësaj, të gjithë, ende me sytë e lidhur, diskutuan rreth asaj që dëgjuan dhe rreth detajeve që kishin vënë re. Shumë i zgjuar miku im.
Ajo që vë re unë është se sa shpejt kthehet vëmendja nga nevoja që paraqitet, pra, verbëria e këtij njeriu, tek një argument teologjik: “Kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?” (v. 2). Sa shpesh e përdorim viktimën për të mbështetur sistemin tonë të besimit ose agjendën tonë politike. Ndërkohë, personi në nevojë është duke qëndruar mu përpara nesh.
Jezusi thotë: “As ky s’ka mëkatuar, as prindërit e tij, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë” (v. 3). Me sa hir dhe në ç’mënyrë të dobishme e përkufizon ai vuajtjen njerëzore. Jezusi nuk e përdor gjendjen e vështirë të këtij njeriu për të përkrahur një agjendë të caktuar teologjike. Përkundrazi, ai e sheh verbërinë e këtij burri si një rast ku Perëndia mund të veprojë.
Dhe Perëndia vepron. Shiriti i verbërisë i hiqet nga sytë, dhe për herë të parë në jetën e tij, ai shikon, me sytë që i nguliten tek fytyra e njeriut që e shëroi, duke parë tanimë jo vetëm dritën e diellit por edhe Dritën e Botës. Kur shihni njerëz që janë duke vuajtur, ndiqni shembullin e Jezusit. Shmangni dëshirën e fortë për të spekuluar, dhe kërkoni një mënyrë si të ndihmoni. Kur gjendeni vetë duke vuajtur, vazhdoni të kërkoni fytyrën e Jezusit. — Lou Lotz

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju hapë sytë ndaj nevojave të njerëzve që vuajnë.

Komente

komente