Meditime – 11 Janar

Lexoni nga Luka 2:1-7
Çfarë na tregon shtëpia e parë e Jezusit
Dhe ajo . . . e vendosi në një grazhd. (v. 7)

Shtëpia e parë e Jezusit ishte një govatë ushqimi mbrapa një hani që nuk kishte dhoma të lira. Mendoni pak për këtë. Perëndia i universit, me anë të të cilit dhe për të cilin u krijuan të gjitha gjërat (Kol. 1:16), kjo Fjalë e përjetshme që ekzistonte përpara fillimit (Gjoni 1:1), mund të kishte zgjedhur çdo vend në botë për shtëpinë e tij të parë, por ai zgjodhi një grazhd në një qytezë të fjetur barinjsh.
Vitin e kaluar, një ungjilltar televiziv mori shumë kritika sepse u kërkoi teleshikuesve që të besonin bashkë me të që Perëndia t’i jepte një avion privat me vlerën 54 milion dollarë. Këtë dëshirë ai e mbrojti me një deklaratë tronditëse: “Unë besoj me gjithë zemër se nëse Jezusi do të ishte fizikisht sot në tokë, ai nuk do të udhëtonte hipur mbi një gomar”. Unë, për vete, nuk jam shumë i sigurt për këtë. Vetë fakti që Jezusi e bëri shtëpinë e tij të parë në një grazhd na jep një mesazh të qartë.
Do të kalonin dhjetëra vite përpara se apostulli Pal të shkruante se Jezusi “e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori” (Fil. 2:7), por grazhdi te Luka 2 është një parathënie nga Jezusi se mbretëria e tij do të ishte shumë ndryshe. Jezusi mori trajtë shërbëtori, në çdo aspekt, duke qenë i bindur përfundimisht deri në vdekje. Kjo jetë me përulësi filloi pikërisht atëherë, pikërisht atje, atë natë në Bethlehem. Jezusi, duke u identifikuar me njerëzit më të përulur, na fton të gjithëve të ndjekim rrugën e përulësisë. Një ditë do të banojmë me të në shtëpinë e Atit të tij. Por deri atëherë, ndjekësit besnikë mësojnë të ecin nëpër rrugën e shërbëtorit, duke jetuar jetë që të drejtojnë te Shërbëtori përfundimtar.—Jon Opgenorth

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju ndihmojë të jetoni sipas mënyrës së Jezusit.

Komente

komente