Meditime – 11 Korrik

Lexoni nga Marku 8:11-13

Të shohësh shenjat e Perëndisë

Përse ky brez kërkon një shenjë? Në të vërtetë po ju them se këtij brezi nuk do t’i jepet asnjë shenjë. (v. 12)

Jezusi ngre një pyetje të mirë. Madje mund të dallojmë pak acarim në tonin e zërit të tij. Për fat të keq, edhe brezit tonë i pëlqejnë shenjat, mrekullitë dhe çdo gjë që është fantastike dhe na lë mbresa. Disa nga filmat më të njohur paraqesin superheronj me fuqi të jashtëzakonshme.

Prandaj nuk ishte e pazakontë kur farisenjtë erdhën te Jezusi dhe i kërkonin ta tregonte veten se ishte Mesia duke treguar fuqi të mbinatyrshme. Ironia këtu është se Jezusi kishte bërë tashmë një sërë shenjash dhe mrekullish. Nuk e kishin dëgjuar ata vallë se si e kishte shëruar Jezusi njeriun me lebër dhe atë të paralizuarin? Nuk e kishin dëgjuar vallë se si kishte qetësuar stuhinë dhe si kishte ushqyer pesë mijë burra? Padyshim kjo do ta acaronte Jezusin.

Por ndoshta Jezusi ishte gjithashtu i acaruar nga fakti se shenja mrekullish kishte gjithandej dhe farisenjtë nuk duket se i vinin re. Në fakt, e gjithë bota është plot me shenja të pranisë dhe fuqisë krijuese të Perëndisë: bukuria e luleve në fusha, bukuria e zogjve në qiell, madhështia vjollcë e maleve, dhe lista mund të vazhdojë kështu pafund.

Një besimtar i urtë dikur e shpjegoi kështu: “Shenja e njerëzve të vërtetë të besimit nuk është që ata vijnë në kishë për të gjetur Perëndinë, por që ata e gjejnë Perëndinë kudo, nuk është te lartësimi i madh i vendeve të shenja, por që ata shenjtërojnë vendet e zakonshme” (William Barclay, The Gospel of Mark, f. 215). —John Koedyker

Lutje: O Zot, më ndihmo sot të shoh shenjat e tua.


Komente

komente