Meditime – 11 Maj

Lexoni nga Ligji i Përtërirë 24:7-22

Njerëzit nuk janë për t’u shitur

Në rast se kapet një njeri duke rrëmbyer një nga vëllezërit e tij ndër bijtë e Izraelit dhe e trajton keq dhe e shet, ai rrëmbyes do të vritet. (v. 7)

Tek Ligji i Përtërirë 24, Perëndia e shtjellon më tej kuptimin e urdhërimit të tij kundër vjedhjes tek Dhjetë Urdhërimet. Me sa duket “Mos vidh” (Eks. 20:15) mund të jetë shkurtim për “Mos vidh një person” (LiP. 24:7). Fjala “vidh” është e njëjta fjalë në hebraisht për të dyja pasazhet. Disa studiues madje mendojnë se urdhërimi i tetë fillimisht kishte të bënte më rrëmbimin dhe trafikimin njerëzor. Perëndia nuk dëshiron që ne të vjedhim dikë, t’i trajtojmë keq apo t’i shesim.

Tani, me shumë mundësi ju nuk keni rrëmbyer ndonjë. E megjithatë, le të shqyrtojmë më thellë zemrat tona për të zbuluar se çfarë ka Perëndia për ne në këtë urdhërim. Cilat janë ato mënyra me të cilat mund të jemi tunduar për të “rrëmbyer” apo për të “shitur” njerëz, për t’i parë ata si mallra dhe jo si fëmijë të Perëndisë? Kurdoherë që e shohim dikë si një hapësirë në kalendar, atëherë jemi duke e parë atë si një produkt. Kurdoherë që jemi shokë me dikë vetëm për të përfituar prej tij/saj, qoftë një qeshje, popullaritet apo ndihmë për një projekt, atëherë po i “rrëmbejmë” dhe po i “shesim”.

E kundërta e vjedhjes nuk është thjesht të jesh zemërgjerë. Sipas pasazhit të sotëm, e kundërta e vjedhjes mund të jetë gjithashtu kur i shohim njerëzit, jo si gjëra që mund t’i përdorim, por si dhurata nga Perëndia, të cilat mund t’i pranojmë me zemra të hapura e bujare.—Steven Rodriguez

Lutje: O Zot, më ndihmo që mos të vjedh kurrë dikë, por ta nderoj si krijimin tënd besëlidhës, të krijuar në imazhin tënd.


Komente

komente