Meditime – 11 Prill

Lexoni nga Luka 19:39-40

Një mundësi që ju duhet ta refuzoni

Mësues, qorto dishepujt e tu! (v. 39)

Tundimi është një mundësi, të cilin ju duhet ta refuzoni. E diela e palmave paraqiti një mundësi, të cilën Jezusi duhej ta refuzonte. Gjëra të tilla si, kryengritja e popullit, brohoritja që ai ishte Mesia, Mbreti i Izraelit, duhet të kenë qenë shumë dehëse për Jezusin. Ai po tundohej me popullaritet, pushtet dhe lavdi. “Mësues, qorto dishepujt e tu”, u hodhën të indinjuar farisenjtë. Por Jezusi as që e kishte ndërmend t’i jepte fund festimeve. “Unë po ju them se, nëse këta do të heshtnin, do të bërtisnin gurët” (v. 40). Mendoj që Jezusi po e shijonte goxha këtë manifestim për të.

Fama, pushteti dhe lavdia, ishin gjithashtu tundimet edhe në fillim të shërbesës së Jezusit, ju kujtohet? “Pastaj djalli e çoi në një mal të lartë dhe, për një çast, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës”, thotë Luka, “dhe i tha: ‘Unë do të të jap gjithë pushtetin e këtyre mbretërive dhe lavdinë e tyre . . . Në qoftë se ti, pra, duke rënë përmbys, më adhuron, do të jetë krejt jotja” (Luka 4:5-7).

Por ashtu siç Abrahami zgjodhi të endej në vend të sigurisë, dhe ashtu siç Moisiu zgjodhi shkretëtirën e Sinait në vend të kënaqësive të Egjiptit, po ashtu edhe Jezusi zgjodhi kryqin në vend të famës, pushtetit dhe lavdisë që shtriheshin përpara tij. Mbajini sytë të fiksuar tek Jezusi, thuhet tek Hebrenjve, “i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin” (12:2).

Çfarëdo qoftë ajo që ju josh për t’u larguar nga shtegu në të cilin ju ka thirrur Perëndia, nuk është veçse një tundim, një mundësi, të cilën ju duhet ta refuzoni. —Lou Lotz

Lutje: O Zot, më bëj të fortë në kohën e tundimit.

Komente

komente

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *