Meditime – 11 Qershor

Lexoni nga Fjalët e Urta 4:18-27

Ruani zemrën tuaj

Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet e jetës. (v. 23)

Kur shërbeva si pastor në një universitet, njoha tre studentë të cilët do t’i quajmë Meli, Joni dhe Ani. Meli punonte në një shtëpi pleqsh, por dha dorëheqjen pasi hyri në fuqi një rregull që e ndalonte stafin t’u jepte përqafime rezidentëve. Kjo gjë u vu re nga drejtoria dhe ata e rishikuan vendimin e tyre. Meli e ruajti vendin e punës, dhe gjithashtu zemrën dhe integritetin e saj.

Jonin nuk e pranuan në shkollën e mjekësisë që kishte zgjedhur. Ai më tha se ishte goxha i sigurt se ishte për shkak të pikëpamjeve të tij për abortin. Më vonë atë e pranuan në një tjetër shkollë mjekësie. Sot, ai ka një klinikë pediatrie të suksesshme, dhe ai ruajti të patundur zemrën bashkë me integritetin e tij.
Ani shkoi në Zambia që të ndihmonte njerëzit. Ai u infektua me një sëmundje dhe gati sa vdiq. Në vend që të ankohej, ai më shkroi: “Kam vendosur se nëse do të shkoj aty ku jetojnë njerëzit, atëherë duhet të jem i gatshëm të sëmurem me sëmundjet e tyre”. Ani pranoi përgjegjësinë për vendimet e tij, dhe ruajti integritetin e zemrës së tij.

Zemra është uzina jonë e mendimeve, kopshti i emocioneve tona dhe burimi i dëshirave dhe veprave tona. Perëndia na fton të lutemi për urtësi në situata të tilla dhe na premton se paqja e tij “do të ruajë zemrat dhe mendjet tona në Krishtin Jezus” (Fil. 4:7). Meli, Joni dhe Ani janë tre njerëz me tre zgjedhje. Pasi u sprovuan, burimi i zemrës së tyre vazhdoi të rrjedhë lirshëm. Ky është çelësi për integritetin personal.—Chic Broersma

Lutje: O Zot, zëvendësoi ujërat e përbaltura të zemrës sonë me ujin tënd të gjallë. Dhe bëj që të jemi të vërtetë para teje dhe para të tjerëve.

Komente

komente