Meditime – 11 Shtator

Lexoni nga Veprat e Apostujve 10:9-35

Nuk është nevoja as për frikë as për favoritizëm

Atëherë Pjetri hapi gojën dhe tha: “Në të vërtetë po e marr vesh se Perëndia nuk tregohet i anshëm; por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai”. (v. 34-35)

Vitin e kaluar ishin me mijëra vetë që kërkuan përkufizimin e fjalës “ksenofobi” në faqen e internetit Dictionary.com. Njerëzit dëgjuan fjalën dhe donin të dinin se ç’kuptim kishte. Ajo u bë Fjala e Vitit e asaj faqeje interneti për vitin 2016. Një nga përkufizimet thotë: “frikë ose urrejtje për të huajt, për njerëzit nga kultura të ndryshme, ose nga të panjohurit”. Sipas blogut të fjalorit, rrënjët e fjalës janë të dyja fjalë greke, ksenon që do të thotë “i panjohur, mysafir” dhe fobos që do të thotë “frikë, panik”. Askush nuk mund ta mohojë që ka plot gjëra sot për t’u pasur frikë, por ne kemi një zgjedhje për mënyrën si reagojmë.

Ndërkohë që ne i mësojmë fëmijët tanë të jenë të kujdesshëm me të panjohurit, si të rritur Perëndia na thërret t’i duam ata.Perëndia i sheh ndryshe nga ne njerëzit, sidomos të huajt. Ju kujtohet që Jona i sheh banorët e Ninivesë si armiqtë e Izraelit, ndërkohë që Perëndia ka dhembshuri për ta kur vijnë në pendim. Po ashtu, gjatë ditëve të hershme të kishës, Perëndia i tregoi Pjetrit një vegim dhe i thotë atij të bëjë një vizitë tek Korneli, një johebre, duke i konfirmuar se lajmi i mirë i Jezusit është për të gjithë, jo vetëm për hebrenjtë. Perëndia dëshiron t’i largojë ndasitë kulturore që shkaktohen nga frika apo urrejtja. Ai i ka krijuar të gjithë njerëzit dhe ai do që ne ta zëvendësojmë frikën me dashurinë e tij gjithëpërfshirëse.—Denise Vredevoogd

Lutje: O krijuesi i gjithçkaje, largo nga ne çdo frikë nga “të tjerët” dhe na jep kurajë dhe dashuri për të pranuar dhe për të arritur njerëz nga çdo komb.

Komente

komente