Meditime – 11 Tetor

Lexoni nga Gjoni 6:60-69

A doni të ikni?

Atëherë Jezusi u tha të Dymbëdhjetëve: “A doni edhe ju të largoheni?”. (v. 67)

Para disa vitesh, shërbeva në një kishë që kishte një pastor interesant. Kurdoherë që takohej me dikë, të cilin kishte kohë që nuk e shihte, pastori e pyeste: “A po e ndjek akoma Krishtin? Apo e ke këmbyer për diçka më të mirë?”. Edhe pse deri diku ishte për shaka, pyetja e tij reflekton realitetin e shumë individëve, të cilët e fillojnë me gëzim jetën e tyre me bindje ndaj Krishtit, por përfundojnë duke ndërruar mendje kur ndonjë përbërës i krishterimit bëhet tepër i patolerueshëm për ta.

Këtë lloj dinamike e shohim te Gjoni 6. Aty Jezusi po jep mësim rreth disa të vërtetave që shumë prej dishepujve të tij iu dukën të forta dhe ndoshta fyese. Duke theksuar rolin që Ati kishte te shpëtimi i njerëzve, Jezusi pranon se disa nuk do ta besonin dhe do ta refuzonin atë. Por kjo për disa ishte e tepërt, dhe që nga kjo pikë e në vazhdim, shumë prej ndjekësve të Jezusit u larguan prej tij. Jezusi u drejtohet dymbëdhjetë dishepujve dhe i pyet nëse edhe ata do të largohen prej tij. Përkundrazi, ata e konfirmuan besnikërinë e tyre ndaj tij. Në fund të fundit, ku do të shkonin tjetër? Jezusi ishte i Shenjti i Perëndisë, i cili mbante fjalët e jetës së përjetshme.

Ndoshta shumë prej nesh kanë njohur të paktën një person, në mos më shumë, të cilët e filluan ecjen e besimit, por në fund, i kthyen krahët Perëndisë kur gjërat u bënë të vështira. Jeta e krishterë nuk është e lehtë. Por lum ata që e kuptojnë se Jezusi është e vetmja rrugë për tek Ati, i vetmi që mban çelësin drejt jetës së përjetshme. —Duane Loynes

Lutje: O Zot, ti na ke zgjedhur, dhe ne besojmë që do të na mbash.

Komente

komente