Meditime – 12 Gusht

Lexoni nga Luka 1:26-38

Hirplotët

Përshëndetje, o hirplotë, Zoti është me ty. (v. 28)

Para se të bëja seancën e parë të kimioterapisë, i thirra Zotit në dëshpërim dhe në frikën time. Kam parë babin tim 46 vjeç që iu dorëzua efekteve anësore të kimioterapisë duke marrë një infeksion në mushkri, i cili i mori jetën. Pyesja veten nëse ky do të ishte edhe fati im, që të vdisja në të 40-tat. Atë ditë e hapa Biblën për të vazhduar leximin e përditshëm. “Perëndia i kohëve të lashta është streha jote dhe poshtë teje ndodhen krahët e tij të përjetshëm” (LiP. 33:27). Detyra që kisha përpara nuk ndryshoi. Megjithatë, Perëndia, përmes fjalës së tij, më siguroi se ishte me mua. Kur Perëndia shikon frikë, ai jep hir.
Perëndia ofron në jetën e Marisë një detyrë që të ndryshon jetën. Gabrieli e siguron Marinë jo një, po dy herë, që ajo ka gjetur favor në sytë e Perëndisë. Dhe Perëndia e di që Maria ka nevojë për këtë lloj sigurie: atëherë kur t’i tregojë Jozefit dhe prindërve të saj; kur sytë plot dënim të njerëzve të fiksohen tek ajo; kur ligji thërret me të madhe: “Vriteni me gurë”; kur ajo dhe Jozefi të arratisen për në Egjipt bashkë me foshnjën Jezus; kur t’i humbasë Jezusi i vogël gjatë festës së Pashkës; kur të vajtojë në këmbët e kryqit. Të japësh favor do të thotë të japësh hir ose të pajisësh me një bekim të veçantë. Atëherë kur detyra që i ngarkohet Marisë nuk duket aspak si favor, ajo nuk do t’i harrojë kurrë fjalët që ju thanë: “Zoti është me ty”.

Detyrat e vështira të jetës na bëjnë të vëmë në pikëpyetje praninë e Perëndisë në jetën tonë. E megjithatë, ashtu si me Marinë, Perëndia kënaqet kur na zbulon se ai është me ne dhe se ne kemi gjetur hir në sytë e tij. “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” (Rom. 8:31).—Michelle Christy

Lutje: Hapi sytë dhe zemrat tona, o Zot, për të parë dhe për të dëgjuar favorin tënd!


Komente

komente