Meditime – 12 Janar

Lexoni nga Zanafilla 1:28-31; 3:1-14

Duke mësuar të pranojmë se jemi të pafuqishëm

Atëherë Perëndia pa të gjitha ato që kishte bërë dhe, ja, ishte shumë mirë. (1:31)

Kush dëshiron të pranojë se është i pafuqishëm? Dorëzimi i kontrollit tek Perëndia sugjeron kapitullim, hedhjen e armëve, valëvitjen e flamurit të bardhë. Shpeshherë kur të krishterët shohin fjalën “i pafuqishëm” ata e marrin si për dobësi apo paaftësi. Por e vërteta është që ndërsa ia dorëzojmë frerët Perëndisë, ne i afrohemi më shumë qëllimit origjinal të krijimit të Perëndisë.

Në kopshtin e Edenit, bota ishte në harmoni. Adami dhe Eva ishin në harmoni me Perëndinë, duke pranuar vendin e tyre si krijesa që mbartnin imazhin e tij dhe duke iu përgjigjur Perëndisë kur ai i thërriste. Ata ishin në harmoni me njëri-tjetrin si bashkëpunëtorë dhe shokë jete. Ata ishin në harmoni me natyrën, duke kuptuar rolin e tyre në ruajtjen dhe konservimin e krijimit të Perëndisë. Madje harmonia mbretëronte në mendjet e tyre, në “veten” e tyre. Nuk kishte asnjë ndarje artificiale mes trupit, mendjes dhe shpirtit. As ndonjë kakofoni zërash që bërtisnin për të kontrolluar mendjet e tyre. Nuk kishte asnjë nevojë për pushtet. Perëndia ishte në kontroll dhe ata ishin të kënaqur. Ata ishin “të pafuqishëm” dhe kjo gjë ishte e shkëlqyer.

Pastaj gjarpri vuri në punë dinakërinë e tij. Sfida e tij bëri që të ketë rebelim në Kopsht. Një betejë vullnetesh zëvendësoi marrëdhëniet e harmonishme. Pafuqia ishte diçka të cilës duhet t’i druheshim. Kjo është bota që trashëguam. Megjithatë, nga perspektiva e Kopshtit, pranimi i pafuqisë sjell bekime, jo frikë. Kur heqim dorë nga një jetë me beteja, fitojmë mundësinë për t’ju afruar Edenit.—Karen Bables

Lutje: Edhe një herë, Zoti im Jezus, unë dorëzoj gjithçka.

Komente

komente