Meditime – 12 Korrik

Lexoni nga Marku 8:14-21

Një mësim ende i pamësuar

Ende nuk po e kuptoni dhe nuk e merrni vesh? . . . Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni? (v. 17-18)

Nuk ishte as hera e parë dhe as e fundit që Jezusi po acarohej nga topitja frymërore e dishepujve. Ata thjesht janë “në autobus”. Jezusi po përpiqet t’u mësojë disa të vërtetë frymërore por dishepujt e kanë mendjen vetëm te gjërat tokësore, si për shembull, buka që kishin harruar.

Kjo është gjendja njerëzore, të cilën e ndajmë me dishepujt, që pa një lidhje besimi me Perëndinë përmes Krishtit, ne jemi të verbër dhe të shurdhët nga ana frymërore. Xhon Kalvin thotë se për sa i përket njohurisë së Perëndisë dhe favorit atëror që na është treguar, ne jemi “më të verbër se mola”. Diku tjetër ai këtë e quan “dembelosje frymërore”. Ne kemi nevojë për dritën e zbulesës së veçantë të Perëndisë për të kuptuar të vërteta frymërore.

Kjo do të thotë se duhet të përdorim “syzet e Shkrimit” për të qenë në gjendje të shikojmë dhe të kuptojmë Perëndinë dhe hirin që ai na tregon në Krishtin. Diku tjetër në këtë kapitull, Pjetri bën rrëfimin e tij se Jezusi është Krishti. Tek po kjo histori te Mateu, Jezusi i thotë Pjetrit që: “këtë nuk ta zbuloi as mishi, as gjaku, por Ati im që është në qiej” (Mat. 16:17). Le të lutemi për veten dhe të tjerët sipas vargjeve të këngës “Hapi Zot sytë e zemrës sime. Unë dua të të shoh ty”.—John Koedyker

Lutje: Dhe Perëndia që urdhëroi dritën të ndriçojë në errësirë, le të ndriçojë “në zemrat tona për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit” (2 Kor. 4:6).

Komente

komente