Meditime – 12 Maj

Lexoni nga Marku 14:55-72

Profeti i vërtetë në një botë me profetë të rremë

Dhe Jezusi tha: “Unë jam”. (v. 62)

Jezu Krishti është dëshmitari i vërtetë i cili vë në dukje gënjeshtrat e botës. Gjatë gjykimit të tij, Jezusi përmbushi urdhërimin e nëntë: “Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd” (Eks. 20:16). Ai dëshmoi të vërtetën rreth vetes së tij vetëm me dy fjalë të thjeshta: “Unë jam”. Ai tha një nga të vërtetat më të mëdha, që Perëndia ishte me ne në mish përmes Jezu Krishtit. Ai dëshmoi ndaj kësaj të vërtete me të gjithë qenien e tij. Bashkë me dëshminë e tij të thjeshtë dhe të fuqishme, Jezusi dëshmoi kundër nesh, të afërmve të tij, por me vërtetësi. Fjalët e tij vunë në dukje gënjeshtrat e të gjithë atyre që ishin rreth e rrotull tij.

Në gjyqin e tij gjejmë një kontrast shumë goditës. Nga njëra anë, dëshmitarët e rremë thanë gënjeshtra në lidhje me gjërat që kishte thënë Jezusi dhe rreth identitetit të tij. Nga ana tjetër, Pjetri gënjeu në lidhje me marrëdhënien personale që ai kishte me Jezusin. Të gjithë të tjerët në këtë histori janë dëshmitarë të rremë. Jezusi është i rrethuar nga të gjitha anët me gënjeshtra e mashtrime. Megjithatë, nga një perspektivë frymërore, ndodh krejt e kundërta. Sepse në fakt, është Jezusi ai që qëndron në vendin e gjykatësit të botës, duke ekspozuar dyfytyrësinë e saj. Është pikërisht ai që dëshmon haptazi ndaj dashurisë së Perëndisë me anë të fjalëve të tij, si dhe përmes kryqit. Ka hendeqe të mëdha midis asaj që themi dhe asaj që besojmë. Por Jezusi është e vërteta. Me anë të plagëve të tij, ai mund të shërojë plagët e hendeqeve tona të integritetit. Dhe ndërkohë që e vërteta e tij nxjerr në pah të çarat e hipokrizisë sonë, reagimi ynë më i mirë, ashtu si Pjetri, është të qajmë.—Steven Rodriguez

Lutje: O Zot, më lejo të qaj për dyfytyrësinë time dhe të dëgjoj të vërtetën tënde.


Komente

komente