Meditime – 12 Qershor

Lexoni nga Psalmi 78:1-8

Kutia e kuqe e veglave e gjyshit

Do t’i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e ZOTIT. (v. 4)

Djali im e tërhoqi lavatriçen nga muri për të parë se përse nuk po punonte më. Duke qëndruar pas makinerisë së anuar, po shikonte nga unë në një mënyrë të çuditshme ndërkohë që isha ulur dhe po e vështroja nga një distancë e afërt. Shikimi i tij sugjeronte se po mendonte: “Babi, po më dukesh pak si plak i ulur aty. Më bën të mendoj për gjyshin. Ai nuk është më dhe një ditë, edhe ti do të ikësh, dhe ky mendim nuk më bën shumë të lumtur”. Pasi e rregulloi lavatriçen, dhe ndërsa po fuste veglat në kutinë e tyre, më pyeti: “A të kujtojnë këto ndonjë gjë? “. “Po”, i thashë unë, “në fakt atë po mendoja. Ato janë veglat e babait tim”. “Po”, tha ai.

Një kuti veglash e kuqe dhe veglat janë gjëra të vogla që na kujtojnë për vdekshmërinë tonë. Vdekja është e hidhur. E megjithatë, Perëndia farkëton lidhjet midis gjyshit, babait dhe birit, dhe kur këto lidhje mbahen më anë të besimit tek i njëjti Zot, atëherë janë të ëmbla dhe të përjetshme. Eksodi 20:6 thotë se Perëndia e tregon dashurinë e tij tek mijëra breza të atyre që e duan dhe që zbatojnë urdhërimet e tij. Dhe këtë Perëndia e arrin përmes vdekjes së Jezusit dhe triumfit të tij mbi varrin. Prandaj, ne shpallim bashkë me Shkrimin: “Po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, kështu edhe Perëndia ata që kanë fjetur në Jezusin do t’i sjellë bashkë me të . . . Dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin. Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë” (1 Thes. 4:14, 17-18).—Chic Broersma

Lutje: O Zot, le të vazhdoj të lutem, të studioj Biblën, të të dua dhe të të shërbej ty, duke ia kaluar besimin tim fëmijëve të mi dhe fëmijëve të fëmijëve të mi.

Komente

komente