Meditime – 12 Shtator

Lexoni nga Veprat e Apostujve 18:1-11

Fol, Perëndia është me ty

Mos ki frikë, por fol dhe mos hesht, sepse unë jam me ty dhe askush nuk do të vërë dorë mbi ty që të të bëjë keq, sepse unë kam një popull të madh në këtë qytet. (v. 9-10)

I admiroj njerëzit që janë tipa të heshtur e të fortë, të cilët zakonisht mendojnë para se të flasin dhe dinë ta frenojnë gjuhën. E megjithatë, unë mendoj ndonjëherë aq gjatë për një përgjigje saqë mendimet e mia nuk konkretizohen kurrë në një “fjalë të thënë siç duhet”. Kur kam diçka të rëndësishme për të thënë, unë neglizhoj, sepse kam frikë nga ballafaqimi, mosmarrëveshjet apo nga reagimi i dikujt. Në letrën e apostullit Pal drejtuar Efesianëve, ai u kërkon lutje: “që kur të hap gojën time, të më jepet të flas me guxim për ta bërë të njohur misterin e ungjillit” (Ef. 6:19). Pali shpesh përjetoi kundërshti si nga hebrenjtë ashtu edhe nga johebrenjtë, dhe dyshoj që në ndonjë rast, ai mund të jetë tunduar të heqë dorë kur u përball me protesta, abuzim dhe keqkuptim. Në pasazhin e sotëm, Perëndia i flet Palit në një vegim dhe i premton se do ta mbrojë atë ndërkohë që u jep mësim njerëzve në Korint.

Në thelb Perëndia thotë: “Kush do t’i arrijë këta njerëz nëse ti nuk flet? Unë jam me ty. Mos u shqetëso. Mund t’ia dalësh. Mos hesht. Ka njerëz në këtë qytet që dua t’i mësoj përmes teje”. Urdhërimi “Mos ki frikë” është edhe ngushëllues edhe sfidues. Duke e ditur se Perëndia është në anën tonë, nëse ne flasim të vërtetën me guxim, atëherë fjalët tona mund të kenë ndikim përtej asaj që ne mund ta imagjinojmë.—Denise Vredevoogd

Lutje: O Perëndi, ji me ne, na mbro dhe na jep fjalët që dëshiron të themi.

Komente

komente