Meditime – 13 Gusht

Lexoni nga Luka 2:41-52

Kohë tranzicioni

A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim? (v. 49)

Po ta përshkruaja jetën time aktuale me një fjalë, do të thosha tranzicion. Ky tranzicion nxitet nga përfundimi i dhjetë viteve shërbesë bashkë me bashkëshortin tim i cili ishte president i një universiteti; nga diplomimi dhe martesa e fëmijës sonë të parë; rrugëtimi për në universitet i fëmijës së mesëm; zhvendosja në një shtëpi tjetër; si dhe pritja që njëri nga prindërit tanë t’i nënshtrohet trajtimit për humbjen e kujtesës. Edhe pse jam në ankth, i kujtoj vetes se Jezusi nuk zhduket kur ka tranzicione. Kur ai sheh ankth, ai më siguron se është pikërisht aty ku më ka premtuar se do të jetë.

Maria i hyn një stine tranzicioni. Pasi i humbet Jezusi, ajo e ballafaqon atë në tempull me forcën e tre ditëve pikëllimi. Ajo e thekson fort se kjo situatë i shkaktoi asaj shqetësim të madh. Në greqisht fjala e përdorur do të thotë dhimbje e madhe, torturë. Por përgjigja e Jezusit e drejton atë në një drejtim të ri: pra, drejt nënshtrimit. Kur mori lajmërimin nga Gabrieli, Maria ia nënshtroi veten vullnetit të Perëndisë (Luka 1:38). Tani, me lajmërimin e Jezusit, ajo duhet t’i nënshtrohet birit të saj. Dhe e gjitha kjo paralajmëron vdekjen e Jezusit në kryq. Gjatë çdo tranzicioni të marrëdhënies së tyre, Jezusi i bën thirrje Marisë që t’ia besojë veten e saj Perëndisë edhe një herë. Jezusi nuk kishte humbur; ai ishte aty ku duhet të ishte.

Edhe ne përjetojmë tranzicion. Pikëllohemi. Stresohemi. Kur nuk e gjejmë dot Jezusin në gjithë këtë tranzicion, mendja jonë thotë se i humbëm të gjitha. Por, në ankthin dhe në vuajtjen tonë, Jezusi na siguron se atij i intereson vullneti i Atit. Ai po punon për të mirën tonë dhe për lavdinë e Atit.—Michelle Christy

Lutje: O Jezus, ne besojmë se ti je pikërisht aty ku duhet të jesh.


Komente

komente