Meditime – 13 Maj

Lexoni nga Eksodi 23:1-9

Të lirë për të folur të vërtetën

Mos dëshmo duke u radhitur nga ana e shumicës për të prishur drejtësinë. (v. 2)

Në filmin me titull “Dymbëdhjetë burra të inatosur”, juria e një gjykate qëndron e gatshme për të dënuar një djalë me vdekje. Ai akuzohet se ka vrarë të atin e tij. Nga dymbëdhjetë burrat që janë në juri, njëmbëdhjetë prej tyre janë të bindur se djali është fajtor, dhe vetëm njëri prej tyre po i pengon për vendimin. Burri i dymbëdhjetë nuk është i bindur se djali është fare i pafajshëm, por thjesht nuk është i sigurt që është fajtor për akuzën, dhe nuk dëshiron të dënojë një djalë të pafajshëm me vdekje për shkak të neglizhencës.

I përballur me njëmbëdhjetë njerëz të tjerë, do të ishte kollaj t’i dorëzoheshe vullnetit të turmës. Por burri i dymbëdhjetë udhëhiqet nga një kërkim këmbëngulës për të vërtetën. Duke e nënshtruar veten ndaj këtij kërkimi, ai në fakt, zotëron një liri radikale që asnjë prej burrave të tjerë nuk e ka. Në vend që të pranojë një dëshmi të rreme të kollajshme, ai është i gatshëm të presë me durim për të vërtetën.

Urdhërimi i nëntë është kundër dhënies së dëshmisë së rreme, por nuk ka të bëjë thjesht që të mos gënjejmë. Ky urdhërim gjithashtu mbart një pjesë thelbësore pozitive të nënkuptuar për të qëndruar të patundur për të vërtetën. Është kaq e lehtë të biesh në mentalitetin e grupit, të ndjekësh turmën në vend që ta përkushtosh veten ndaj të vërtetës. Por, disi në mënyrë paradoksale, kur e lidhim veten tonë me të vërtetën, kjo gjë na çliron për të qëndruar për të vërtetën, madje edhe përballë presioneve të mëdha të jashtme. Cilat janë mënyrat me anë të të cilave tundoheni për t’iu bashkuar turmës në vend që të prisni për të vërtetën e Perëndisë?—Steven Rodriguez

Lutje: O Zot, të lutem më çliro që të qëndroj i patundur për të vërtetën.


Komente

komente