Meditime – 13 Mars

Lexoni nga Galatasve 3:10-14

Të çliruar nga mallkimi

Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit. (v. 13)

Duke qenë se Krishti na shpëtoi plotësisht, përse vallë do të përpiqej dikush të shpëtohej duke ruajtur ligjet e Perëndisë? Dallas Uillard dikur theksoi se ne e kemi të disponueshme fuqinë e mbretërisë së Perëndisë. Kjo është pjesë e domethënies së vargut “mbretëria e Perëndisë është afër” (Marku 1:15). Këtë Uillard e krahasoi me elektrifikimin rural në fillim të shekullit të 20-të, kur për herë të parë, njerëzit që kishin jetuar në fshat kishin mundësi të lidheshin me rrjetin energjetik. Disa njerëz nuk i besuan elektricitetit dhe kështu refuzuan që ta lidhnin shtëpinë e tyre me rrjetin. Ata vazhduan t’i lanin rrobat me dorë dhe të gatuanin sipër zjarrit të hapur dhe të blinin blloqe akulli për ta mbajtur ushqimin e freskët, në vend që të sillnin energjinë elektrike e cila do ta bënte jetën shumë më të lehtë.

Por le të supozojmë që dikush ishte lidhur në rrjetin energjetik. Pra, të supozojmë që ata kishin elektricitet. Përse vallë do të vazhdonte dikush t’i bënte gjërat me mënyrën e vjetër kur i kishte aty metodat shumë më të mira? Po kështu edhe me Krishtin: përsosmëria dhe shpëtimi janë tashmë tuajat, u thotë Pali galatasve. Atëherë përse, duke e pasur gjithë atë fuqi, vazhdoni të insistoni se shpëtimi vjen nga respektimi i ligjit? Sepse nëse gabon me ligjin, qoftë edhe për pak, pra, nëse respekton 99 ligje por prapë thyen njërin, atëherë je i dënuar. Kush është ai që dëshiron të jetojë me këtë frikë të përhershme? Dhe kush do të jetonte me atë lloj presioni kur fuqia e Perëndisë është e përcaktuar gjenetikisht brenda jush ashtu siç është?

Pali thotë se ne jemi të lirë nga mallkimi i ligjit. Prandaj, mos e riktheni zvarrë mallkimin në jetën tuaj!—Scott Hoezee

Lutje: O Zot, le të mos e pengojmë kurrë fuqinë tënde të rrjedhë përmes nesh.


Komente

komente

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *