Meditime – 13 Qershor

Lexoni nga 2 Korintasve 4:10-14

Aty ku është jeta e vërtetë

Krishti, jeta jonë. (Kol. 3:4)

Unë dhe një plak tjetër i kishës po i shërbenim Darkën e Zotit një çifti pleqsh në shtëpinë e tyre. Burri kishte probleme me dëgjimin, ndërsa gruaja e tij vuante nga Alzajmeri. Përtej supit të saj më shkuan sytë tek ndeshja që po jepej në televizor. E ktheva përsëri vështrimin tek gruaja, tek fytyra e saj me faqet e varura dhe sytë e lodhur që shikonin përmes ca xhamave të trashë, e cila nuk ishte e përqendruar në asnjë gjë. Çfarë kontrasti me futbollistët e rinj dhe energjikë që vraponin në fushën e gjelbër. Një infermiere që kishte ardhur për vizitë po përpiqej të ndihmonte gruan që të merrte bukën e Darkës së Zotit. “Fute të gjithë në gojë” e nxiste burri i saj, ndërkohë që po zgjatej dhe e shtyu copën e bukës në gojën që dridhej të bashkëshortes së tij.

Ajo nuk e dinte fare se ç’po ndodhte, ndërsa bashkëshorti i saj mezi dëgjonte. Por ata mund ta shihnin, ta preknin dhe ta provonin bukën dhe kupën. Pastaj lexojmë se si ne jemi: “gjithnjë duke mbajtur në trupin tonë vdekjen e Zotit Jezus, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë”. Ky është realiteti frymëror që na premton Jezusi, buka e gjallë që erdhi nga qielli, me anë të besimit: “Kush ha nga kjo bukë, do të jetojë përjetë” (Gjo. 6:51).

Futbollistët dukeshin kaq shumë të gjallë. Çifti i pleqve dukej kaq i vdekshëm. Por le të mendojmë pak: nëse jeta, jeta e vërtetë dhe e përjetshme, është ajo që dikush merr me anë të besimit tek Jezusi, atëherë ndoshta atë ditë kishte më shumë jetë përreth tavolinës në atë kuzhinë sesa në fushën e lojës.—Chic Broersma

Lutje: O Zot, më ushqe gjithnjë me jetën tënde. Amen.


Komente

komente