Meditime – 13 Shtator

Lexoni nga Mateu 5:1-12

Vizion mbretërie – përkatësia

Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve. (v. 3)

Në vargjet e para të Lumturive, Jezusi po thotë se mbretëria e qiejve ju takon atyre që janë skamës në frymë. Ashtu siç e kam thënë edhe më parë, shumë nga miqtë e mi që kanë aftësi të kufizuara, janë, nga nevoja, të vetëdijshëm për cenueshmërinë dhe nevojat që kanë. Shpeshherë, kjo do të thotë se ata e pranojnë nevojën e tyre përpara Perëndisë. Shumë prej miqve të mi kanë dhuntinë e skamjes frymërore.
Një nga gjërat e bukura të skamjes frymërore është se ajo shpesh transmeton një frymë mirëpritëse. Ata njerëz që e ndjejnë nevojën e tyre dhe mikpritjen krahëhapur të Perëndisë kthehen në njerëz të cilët mirëpresin me krahë të hapur të tjerët. Nëse mbretëria e qiejve i përket skamësve në frymë, atëherë do të jetë një vend mirëpritës, një vend ku ka përkatësi të vërtetë.

Një nga fqinjat e mia e shfaq përditë këtë lloj mirëpritje. Ajo ka shumë qejf të takojë njerëz të rinj dhe shpesh ulet në verandë vetëm për të përshëndetur personat që kalojnë në rrugë. Njëherë e pyeta si ka mundësi që nuk e ka problem t’u flasë të panjohurve dhe përgjigja e saj ishte: “Unë nuk besoj se ka të panjohur”. Kjo grua, që e vetme duket si “komiteti i mirëseardhjes” i bën personat që vijnë për herë të parë të ndihen menjëherë sikur janë në shtëpinë e tyre. Në mendjen e saj, çdo person që ajo takon, i përket atij vendi. Me rrethin e saj të miqve gjithnjë në rritje, nuk është çudi që festat e saj të ditëlindjes sjellin mbi 100 njerëz. Ç’bekim që është për botën fakti që mbretëria është e atyre që janë skamës në frymë.—Amy Curran

Lutje; Na mëso, o Jezus, të njohim skamjen tonë para teje. Na ndihmo ta mirëpresim mbretërinë tënde duke mirëpritur njerëzit e tu.

Komente

komente