Meditime – 14 Korrik

Lexoni nga Marku 8:27-30

Vetëm Krishti

Dhe [Jezusi] u tha atyre: “Po ju, kush thoni se jam?”. Dhe Pjetri, duke iu përgjigjur i tha: “Ti je Krishti”. (v. 29)

Tani që po shkruaj është muaji tetor i vitit 2017, dhe shumë të krishterë po festojnë 500 vjetorin e Reformacionit. Pikërisht më 31 tetor 1517, Martin Luteri gozhdoi 95 tezat e tij në derën e kishës në kështjellën e Uitenbergut në Gjermani, duke filluar kështu një epokë të re në jetën e kishës së Jezu Krishtit.

Por diçka edhe më e rëndësishme se kjo ndodhi në Cezare të Filipisë kur Jezusi i pyeti dishepujt për veten e tij se kush mendonin ata se ishte. Pjetri, pa hezituar, u përgjigj: “Ti je Krishti”. Kjo deklaratë dhe pjesa tjetër e Dhjatës së Re i çoi reformatorët që të rrëfenin pesë “sola-t” (vetëm): pra, vetëm Shkrimi, vetëm Krishti, vetëm besimi, vetëm hiri dhe vetëm për lavdi të Perëndisë. Shumë shpejt këto pesë “vetëm” u kthyen në standarde për kishat dhe për individët që kërkonin të nderonin dhe të lëvdonin Perëndinë tonë të hirshëm i cili na e ka treguar veten e tij, vetëm nëpërmjet besimit te Jezu Krishti, ashtu siç na zbulohet te Shkrimi.

Kjo fjalia e fundit ishte plot me fjalë të mëdha, por ato fjalë rrethojnë madhështinë e atij që ne quajmë ungjill. Nuk po themi që Pjetri ishte gjeni, se në fakt nuk ishte! Por, ashtu siç e nxjerr në pah Jezusi në të njëjtën histori në versionin e Mateut: “këtë nuk ta zbuloi as mishi, as gjaku, por Ati im që është në qiej” (Mat. 16:17). Sa shumë mirënjohës duhet të jemi që Perëndia na e ka zbuluar se kush është Jezusi në të vërtetë! Qoftë vetëm Jezu Krishti gjithmonë në thelb të dëshmisë sonë.—John Koedyker

Lutje: Faleminderit o Zot, për Krishtin, i vetmi që na shpëton nga mëkati dhe vdekja. Haleluja! Amen!


Komente

komente