Meditime – 14 Prill

Lexoni nga Luka 23:18-25

Na liro Barabën

Por ata, të gjithë njëzëri, bërtitën duke thënë: “Hiqe, këtë dhe na liro Barabën”. (v. 18)

A ishte prezent Baraba gjatë kryqëzimit? Shkrimi nuk e thotë, por unë rri e mendoj. Nëse do ta dinit që dikush mori vendin tuaj në kryq, dhe ekzekutimi po ndodhte vetëm dy hapa jashtë mureve të qytetit, a nuk do të shkonit ta shihnit?

Unë pyes veten nëse Baraba qëndroi në distancë, duke vëzhguar të tre kryqet, duke studiuar atë që ishte në mes, i cili varej atje sipër midis qiellit dhe tokës, sikur të mos dëshirohej as nga njëri as nga tjetri. Pyes veten nëse Baraba u prek ngadalshëm nga e vërteta që ai po dëshmonte me sytë e tij kryqëzimin e vet. Ai ishte kryqi i tij. Ato ishin gozhdët e tij. Ne këndojmë këngë e himne që flasin për Jezusin që vdiq në vendin tonë, por për Barabën kjo ishte e vërtetë në kuptimin e plotë të fjalës.

Po, çfarë u bë me Barabën? Askush nuk e di. Në filmin e vjetër të vitit 1961 me titull “Baraba”, ai bëhet i krishterë në fund. Por ky është versioni i Hollivudit, jo i Shkrimit. Sido të ketë qenë fundi i tij, Baraba mund të ketë qenë personi i parë që ka parë një të vërtetë të madhe të krishtërimit, që, Jezusi vdiq në vendin tonë.

Jezusi vdiq në vendin tim. “Ai vetë i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit” (1 Pjetri 2:24). Më kujtohen vargjet e një himni të vjetër, që thotë: “Jetoj për Jezusin që vdiq në vendin tim, / duke mbartur në Kalvar mëkatin dhe turpin tim. / Kjo dashuri më detyron t’i përgjigjem thirrjes së tij, / nga pas atë ta ndjek, dhe gjithçka e imja i përket atij”.
Ai vdiq në vendin tuaj. Përgjigjuni thirrjes së tij. Jepini gjithçka tuajën. —Lou Lotz

Lutje: O Zot, gjithçka unë kam, ta jap ty.

Komente

komente

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *