Meditime – 14 Shkurt

Lexoni nga Gjoni 12:20-26
Lokali i Adit
Kush e do jetën e vet, do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme. (v. 25)

Kisha që unë shërbeja në Grand Rapids ka mbështetur për një kohë të gjatë një shërbesë që quhet Lokali i Adit. Adi, në fakt, ka qenë një anëtar i kishës, që ka kohë që ka ndërruar jetë, i cili kishte një pasion të madh për të ushqyer të varfrit. Çdo javë te Lokali i Adit vijnë një numër i madh njerëzish nga komuniteti përreth, ndonjëherë edhe qindra njerëz, për të ngrënë një vakt të ushqyeshëm, me gatime të freskëta, dhe për garniturë, dinjitetin njerëzor. Ushqimi shërbehet pa pagesë, nuk bëhet asnjë pyetje, dhe i dërgojmë njerëzit në shtëpi me nga një kuti me ushqimet që teprojnë. Një nga anëtarët e kishës që ka ndihmuar me besnikëri në përgatitjen dhe servirjen e ushqimit, më tha njëherë: “Unë gjithmonë vij këtu duke menduar se jam unë ai që po bën një gjë të mirë për të varfrit, pra, që unë po i bekoj ata. Por gjithmonë kthehem në shtëpi duke kuptuar që në fakt më kanë bekuar ata mua”.
Njerëzit më të lumtur që njihni, ata që e konsiderojnë veten më të bekuarit, janë ata të cilët i kanë humbur jetët e tyre në shërbim ndaj Perëndisë dhe të tjerëve. Sigurisht kjo të çon në konkluzionin që, njerëzit më qyqarë, të palumtur që ju njihni, janë ata që jetojnë për veten e tyre, duke menduar vetëm për përfitimin e tyre. Ata nuk janë të lumtur, dhe zakonisht, janë të vetmuar. “Nëse kokrra e grurit e rënë në dhè nuk vdes, ajo mbetet e vetme” (v. 24). Egoizëm do të thotë vetmi. Njerëzit që jetojnë vetëm për veten e tyre zakonisht lihen të rrinë me veten e tyre. Tingëllon si kundër logjikës, por, siç e shohim edhe te vargu ynë për sot, vetëm kur vdes uni ynë, do të jemi vërtetë të gjallë. — Lou Lotz

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë ta jetoni jetën tuaj përmes tij.

Komente

komente