Meditime – 15 Korrik

Lexoni nga Eksodi 4:18-20

Hapi i parë

Moisiu . . . u kthye në vendin e Egjiptit. (v. 20)

Një fjalë e urtë e lashtë kineze thotë: “Një udhëtim prej mijëra kilometrash fillon me një hap të vetëm”. Në një pikë të caktuar, pas gjithë justifikimeve, na duhet të hedhim hapin e parë në misionin e mrekullueshëm të Perëndisë. Noeut i duhet të përpunojë trungun e parë për arkën. Abrahamit i duhet të fillojë të ecë në drejtim të Kanaanit. Davidit i duhet të lëshojë gurin e parë drejt kokës së Goliathit. Esterit i duhet të mbajë qëndrimin e saj përpara mbretit. Marisë i duhet t’i tregojë Jozefit ato që i tha engjëlli. Palit, duke e ditur se e prisnin “pranga dhe mundime”, i duhet të lëviz drejt Jerusalemit. Ai shton: “Por unë . . . as jetën time nuk e çmoj aq, sa ta kryej me gëzim vrapimin tim dhe shërbesën, që mora nga Zoti Jezus” (Veprat 20:24). Moisiut i duhet të marrë shkopin në duart e tij dhe të kthehet përsëri në Egjipt (Eks. 4:20).  Në vitin 1994, një avokat që punonte në Departamentin amerikan të Drejtësisë hetoi gjenocidin në Ruandë.

Geri Hogen gërmoi përmes varreve masive dhe Perëndia preku zemrën e tij. Ai shkoi për të parë masën e dhunës dhe të skllavërisë në mes të atyre që ishin të dobët dhe të varfër. Kështu, në vitin 1997 Geri hoqi dorë nga profesioni i tij si avokat dhe lançoi një grup të ri për t’i dhënë fund skllavërisë moderne. Dhe kështu lindi Misioni Ndërkombëtar i Drejtësisë. Sot me rreth 17 filiale të shpërndara në mesin e kombeve në zhvillim shohin përditë njerëz të skllavëruar që çlirohen dhe kriminelë që sillen para drejtësisë. A është detyra e Perëndisë tepër e madhe? Jepini fund skllavërisë moderne. Geri Hogen e mori atë hap të parë, dhe sot mijëra vetë janë të çliruar. Dhe nesër do të ketë edhe më shumë. Çfarë misioni po ju jep Perëndia? Është koha të niseni.—Jon Opgenorth

Lutje: O Zot, më jep kurajë që të marr hapin e parë.


Komente

komente